(sprovë për një këndvështrim sociolinguistik)*

Ngjarjet e rëndësishme të historisë së kombit mbeten objekt i vazhdueshëm studimi dhe hulumtimi.

Rishqyrtimi dhe ristudimi i ngjarjeve të tilla si Kongresi i Elbasanit[1] apo Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, që kanë mundësuar zhvillime të reja në hapësirat e zhvillimit të gjuhës, të arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare nuk kanë vetëm vlerën e plotësimit të njohurive dhe dijeve për to. Por, kur jemi larguar në dhjetëvjeçarë prej tyre, po aq i rëndësishëm është edhe ndriçimi gjithnjë e më i plotë i vendit që zë ngjarja në rezultanten e përgjithshme historike.

Ky vend ndriçohet nga historia e ngjarjes, por edhe nga parahistoria dhe pashistoria e saj. Nga kjo kuotë vlerësohet më qartë kontributi i saj në drejtimin që ka synuar.

Distancimi kohor ndikon si rrjedhojë e ndikimit të dy faktorëve:

  1. Mesazhet gjuhësore, dëshmi dokumentare të atyre kohëve, gjenerojnë kuptime gjithnjë e më të pasura në raport me lexuesin apo studiuesin. Sipas teorisë tekstore bashkëkohore edhe vetë lexuesi është një kategori historike, ai ka të përpjesëtuara në trajtat e veta tiparet e një epoke të dhënë.
  2. Studiuesi i tanishëm mund të përdorë metodologji shumë më funksionale për studimin e objektit të tij. Distancimi kohor nga ngjarjet dhe metodologjitë më funksionale të studimit na mundësojnë objektivitet dhe thellësi në përgjithësime, në lidhje me dukuritë gjuhësore, qofshin ato mirëfilli gjuhësore, por edhe sociolinguistike, etnolinguistike apo psikolinguistike.

Dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit tonë, në të cilët datohen ngjarje të rëndësishme për zhvillimin e gjuhës, na paraqiten si një periudhë kur në mënyrë intensive u përvijua një politikë gjuhësore funksionale dhe secila nga ngjarjet, me problematikën që bart, është një segment domethënës dhe funksional që formëson qartazi dukurinë e planifikimit gjuhësor në këtë etapë.

Ngjarje të tilla si Kongresi i Manastirit, ai i Dibrës, Kongresi i Elbasanit, Komisia Letrare Shqipe në Shkodër dhe Kongresi i Lushnjës (ai arsimor), me synimet dhe objektivat që parashtruan dhe zgjidhën, janë dëshmi e politikës gjuhësore të projektuar në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit tonë. Por edhe më drejtpërdrejtë, sidomos Kongresi i Manastirit, ai i Elbasanit dhe Komisia Letrare e Shkodrës përfaqësojnë segmente tepër të dallueshme dhe funksionale në linjën e planifikimit gjuhësor në këtë etapë, me tiparet tepër të përvijuara, konkrete.

Ne do të ndalemi në dy prej këtyre ngjarjeve, në Kongresin e Elbasanit dhe në Komisinë Letrare të Shkodrës. Këndvështrimi ynë: Rëndësia e një ngjarjeje historike matet me suksesin e zgjidhjeve të bëra dhe hapësirën që mundësojnë zgjidhjet e bëra për zgjidhjen më tej të problemeve të tjera që nxjerr përpara zhvillimi.

Ky këndvështrim dhe veçantia e objektit që ne studiojmë parakupton operimin me dy koncepte qendrore të teorisë sociolinguistike: atë të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor.

Sidoqoftë, para se të diskutojmë, duhet të qartësojmë termat – vërente Volteri. Ç’do të kuptohet me politikë gjuhësore dhe planifikim gjuhësor?

E bëjmë sqarimin e termave për të përcaktuar qëndrimin dhe këndvështrimin tonë, meqë mes shkollës anglosaksone dhe asaj latine konceptet, duke qenë pothuajse të njëjta, hasen edhe me emërtime apo terma të tjerë. (Literatura anglosaksone ofron termat language engineering, language development, language determination, cultivation, formation, modernization etj.)

Diksionerin e gjuhësisë dhe shkencave të ligjërimit kemi këto përkufizime:

Politikë gjuhësore: “Tërësi e masave dhe projekteve ose e strategjive që kanë për qëllim të rregullojnë statusin dhe formën e një ose shumë gjuhëve.”

Planifikim gjuhësor: “Tërësi e masave të përpunuara mirë nga shteti për normalizimin e një gjuhe ose për përdorimin e saj.”[2]

Ndërsa Christian Baylon, duke përgjithësuar për përcaktimet e Fasold-it, Rubin-it, Kloss-it etj. vëren: “Politika gjuhësore përbën në fakt veçse një formë të veçantë dhe pak a shumë tërësore të një fenomeni më të përgjithshëm, atij të planifikimit gjuhësor, i cili konsiston në një aktivitet të ndërgjegjshëm në të cilin shteti ose pushteti vendos të ndërhyjë në mënyrë sistematike dhe të rregullt, me qëllim që të modifikojë një gjuhë ose raportet që ekzistojnë midis varianteve të ndryshme gjuhësore në një territor të caktuar.”[3]

  1. Garmadi thekson: “Planifikimi gjuhësor është një tërësi e synimeve dhe përpjekjeve të ndërgjegjshme dhe të organizuara për të zgjidhur problemet gjuhësore. Këto zgjidhje bëhen për të ndikuar, nxitur ose dekurajuar praktika dhe përdorime gjuhësore. Është shuma e përpjekjeve të bëra për të ndryshuar me vetëdije formën e një gjuhe dhe përdorimm e saj apo ligjërimin. Priret t’i japë një formë të përkryer një gjuhe që shpreh individualitet kombëtar. Priret të reformojë dhe standardizojë një gjuhë në mënyrë normative. Synon t’i japë një kod të shkruar një gjuhe që nuk e ka atë… Synon të vendosë leksikun e një gjuhe në përshtatje me zhvillimet ekonomike, shoqërore, teknike dhe kulturore të një vendi… “[4]

Nga një këndvështnm i tillë, rëndësia e Kongresit të Elbasanit për problemin që diskutojmë, mendojmë se qëndron në dy plane:

  1. Institucionalizimi i ideve që ishin parashtruar dhe argumentuar në mënyra të ndryshme në mendimin intelektual të kohës në lidhje me njësimin e gjuhës së shkruar dhe të folmen apo dialektin që do të përdorej si gjedhe, si model.
  2. Mundësimi i trajtimit të një problematike të re, në një etapë të mëvonshme të zhvillimit të shqipes, mbi zgjidhjet e bëra në këtë kongres.

Domosdoshmërinë e parë në planin gjuhësor për thirrjen e Kongresit të Elbasanit e përbënte statusi i shqipes së shkruar, status ende i paformuar plotësisht si rrjedhojë e ndikimit të një sërë faktorësh historikë, shoqërorë, politikë. Sidoqoftë, koha po shtronte domosdoshmërinë e njësimit të shqipes së shkruar.

Nëse do t’i referohemi J. Fishmanit, C. Fergusonit dhe J. Das Guptës vërejmë se ato dallojnë tri stade në zhvillimin e një gjuhe: “…përzgjedhja dhe përsosja e kategorisë së shkrimit, normalizimi i drejtshkrimit dhe modernizimi i fjalorit.” [5]

Shqipja në atë fazë të zhvillimit të saj kishte zgjidhur problemin e alfabetit në Kongresin e Manastirit (1908). Para forcave intelektuale e shkencore të kohës shtrohej kërkesa e institucionalizimit të politikës gjuhësore dhe gjetjes së mjeteve për zbatimin e saj, që në terminologjinë e sociolinguistikës, siç theksuam, quhet planifikim gjuhësor. Studiuesi francez J.L.Calvet pohon: “E konsiderojmë politikën gjuhësore si tërësinë e zgjidhjeve të ndërgjegjshme të kryera në fushën e raporteve midis gjuhës dhe jetës shoqërore dhe më veçanërisht midis gjuhës dhe jetës kombëtare, dhe planifikimin gjuhësor si kërkimin dhe evidencimin e mjeteve të nevojshme për zbatimin e një politike gjuhësore.”[6]

 Padyshim që kushtet tona në këtë përzgjedhje ishin të vështira dhe komplekse. Megjithatë, në teorinë sociolinguistike pohohet: “Ndodh që një shtet, një komb, një komunitet të mos ketë mundësira të shumta në planin e politikës gjuhësore, ashtu siç mund të ndodhë që përzgjedhjet e natyrës politike, përsa i përket gjuhës, të mos kalojnë domosdoshmërisht përmes një forme të dukshme juridiko-institucionale pak a shumë spektakolare.”[7]

Në kushtet tona të asaj periudhe, proceset sigurisht që do t’i kishin të kufizuara mundësitë spektakolare juridiko-institucionale të miratimit, si dhe alternativat në kuadrin e politikës gjuhësore. E megjithatë, brenda atyre situatave politiko-kulturore, zgjidhjet e bëra rczultojnë të drejta dhe funksionale.

Tashmë Kongresi i Elbasanit, me të drejtën dhe statusin e një përfaqësie mbarëkombëtare të institucionalizuar, përcakton një linjë të qartë të politikës gjuhësore për kohën. Parahistori e tij është trajtimi i vazhdueshëm në shtypin e kohës, me fillesë qysh para 20-30 vjetëve, i idesë së domosdoshmërisë së njësimit të gjuhës së shkruar dhe alternativave të mundshme. Historia e tij konfirmohet në vendimet që mori vetë ky kongres, konkretisht:

“-Shqiptarët do të përpiqen të futin gjuhën shqipe në çdo mësonjtore të huaj qi gjendet në Shqipnie.

-Kongresi vendosi t’i japë klubit qendror ngarkimin qi të kërkojë qi gjuha shqiptare të jetë gjuh’ e mësimevet në mësonjtoret e para ene të dyta të qiverisë qi gjendet në Shqipnie.

-Kongresi u dorëzon të gjithëve shkrimtarëve qi të përdorin në shkrimet e tyne, me sa t’u mundet, ligjëronjen  (dialektin) e Elbasanit, sepse ashtë ligjëroja qi kuptohet me të gjith’anët e Shqipnisë.[8]

Në vendimet e Kongresit vërehet që bëhet fjalë për shqipen e shkruar që mësohet në shkolla dhe që përdoret në veprat e shkrimtarëve. Në pamje të parë duken si funksione të kufizuara, por për kohën kishin një hapësirë të konsiderueshme. Për më tepër, edhe në teorinë sociolinguistike pohohet se “jo të gjitha nivelet e gjuhës janë të afta të jenë objekte të planifikimit gjuhësor. Përgjithësisht në këtë rast interesat shtrihen për përdorimet zyrtare, publike të gjuhës dhe jo për komunikimin e përditshëm informues, ku përzgjedhjet u janë lënë faktorëve të natyrës socio-psikologjike që përcaktojnë situatën”.[9]

Zgjedhja e elbasanishtes si gjedhe, si model i njësimit të shqipes së shkruar do të motivohej me arsye gjuhësore, si e folme kalimtare apo më saktë, më e afërt për të dy dialektet; si edhe me arsye historike, politike dhe kulturore. Teoritë sociolinguistike dhe etnolinguistike motivojnë zgjidhje të tilla ku faktorët historikë, politikë dhe shoqërorë mbajnë një peshë të konsiderueshme.

Duke trajtuar problemin e politikës dhe planifikimit gjuhësor Ch.Baylon thekson: “Duhet të kenmi gjithnjë parasysh që gjuha nuk është vetëm një instrument i komunikimit, ajo merr përsipër gjithashtu funksione simbolike në një shoqëri. Gjithnjë e më shpesh vendimet politike janë të mbështetura më shumë në vlerën simbolike të gjuhës si faktor i unifikimit ose i ndarjes në një komunitet, sesa në nevojat reale të komunikimit.”[10]

Por qysh në këtë periudhë, motivimet do të prireshin edhe nga aspekti gjuhësor, duke parapërgatitur kuotën e re të argumenteve në Komisinë Letrare.

Në një intervistë të Dervish Himës, ku mes të tjerash ai pyetet edhe për një shtypshkronjë që kërkon të hapë në Elbasan ai shprehet: “Dëshira ime e flaktë asht qi të ngre nji shtypshkronjë kombëtare n’Elbasan, me qenë qi ndodhet me nji vend qandror ene ca më tepër, se dua ditarja qi do të shtypim të jetë në ligjëronjë të kthielltë të këti qyteti, me qëllim qi të dalë në shesh kjo ligjëronjë, të përkëndohet prej të gjithë gjuhësorëve shqiptarë, ene kështu nji ditë të njifet si nji gjuhë e përgjithshme e leterare në të giithë Shqipërinë, me qenë qi pas mendimit të kaqe gjuhësorëve shqiptarë qi kuptohet me nji udobësie të veçantë si prej Toskëve ashtu ene prej Gegëve. Ashtu domethanë nji ligjëronjë në të cilën bashkohen me nji mënyrë të bukur e të lehtë gegënishtja me toskënishten.”[11]

Ndërsa Luigj Gurakuqi, në fjalën e tij të njohur para normalistëve, thekson: “Elbasani, sikundër asht mezi i Shqypnies landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnies mendore: do të jetë truni, do të jetë zembëra e të gjithë Shqyptarëvet. Këtu katundësi me qytetarin, malësori me fusharakun do të bashkëjetojnë e do të bahet një… Këtu gjuha shqype, tue u përkulun pas kësaj ligjërate t’ambële do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkme; këndej do të dalin Shqyptarë, vetëm Shqyptarë.”[12]

Kongresi i Elbasanit institucionalizon, pra, idetë dhe ndikon fuqishëm në drejtim të gjuhës së shkruar. Është ky ndikim që do të mundësojë dhe parashtrojë pas disa vitesh problematikën e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër për drejtshkrimin (atë që studiuesit amerikanë e quajnë si stad të dytë të zhvillimit të gjuhës). Nga kjo pikë referimi, Komisia Letrare Shqipe në Shkodër është pashistoria e Kongresit të Elbasanit, duke shënuar në të njejtën kohë një fazë të re të zhvillimit të shqipes.

Si një institucion tepër dinjitoz, por edhe tepër spektakolar, që do të ndikonte fuqishëm në një fazë të re në planifikimin gjuhësor, Komisia Letrare do të zgjidhte tashmë detyra specifike dhe do të ofronte zhvillime të reja. Tashmë problematika e planifikimit gjuhësor rrokte jo vetëm dukuritë që rrezononin mc spektrin e politikës gjuhësore, por edhe ato që kishin të bënin me vetë vlerat që ofrontc modeli gjuhësor normativ. Në këtë pikë, të tërë pjesëmarrësit në Komisi punuan dhe sollën argumente dhe kundërargumente për të interpretuar zgjidhjen e bërë. Edhe ky fakt ishte tregues i rëndësishëm i kuotës së re në të cilën po zhviIloheshin përpjekjet për zhvillimin e shqipes. Në teorinë sociolinguistike gjenden shembuj të ndryshëm për këto faza në vijimësi, por sigurisht jo të njëjta në planifikim.

  1. Neusputny tregon dallimin që ka të bëjë me pikënisjen e dy mënyrave krejtësisht të ndryshme të të konceptuarit të planifikimit gjuhësor. Nga njëra anë gjendet një konceptim i mbështetur mbi parimin e vlerësimit gjuhësor. Ai karakterizohet nga interesi drejt saktësisë gjuhësore dhe aspekteve stilistike të ligjërimit të folur apo të shkruar. Nga ana tjetër, interesi mund të jetë i përqendruar mbi vetë kodin dhe problemet e ngritura nga zgjedhja e një gjuhe kombëtare, të përbashkët. Në këtë rast të dytë gjendet një konceptim i planifikimit gjuhësor i mbështetur mbi parimin e politikës gjuhësore. Megjithëse këto dy mënyra të konceptimit të futjes në fushën gjuhësore mund të japin efekte që përforcojnë njëri-tjetrin, J. Neusputny vëren, që përgjithësisht planifikimi i mbështetur në parimin e vlerësimit gjuhësor vjen më vonë se planifikimi i mbështetur mbi parimin e politikës, duke qenë njëkohësisht dhe nivel më i lartë.[13]

Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, në tërë punën që bëri dhe zgjidhjet që dha, vërtetoi pikërisht këtë fazë të re dhe më të lartë zhvillimi.

Në fakt, problemi i elbasanishtes si gjedhe për një gjuhë të përbashkët shkrimi është ide e shprehur shumë më herët se në Kongresin e Elbasanit apo në Komisinë Letrare.

Kjo ide ka feksur në mendimin intelektual shqiptar qysh në shekullin e 19-të (Zef Jubani, Dhimitër Kamarda, Sami Frashëri etj.). Por, tashmë, ajo do të ishte e argumentuar jo vetëm politikisht, por edhe gjuhësisht, duke ndjekur edhe shembuj të tjerë të gjuhëve të përparuara, ku institucionalizimi i së ashtuquajturës normë preskriptive kishte qenë i suksesshëm (për shembull, frëngjishtja, anglishtja etj.).

Në mendimin gjuhësor përgjithësisht pranohet klasifikimi i propozuar nga Bodo Müller-i për llojet dhe klasifikimin e normës: ai dallon normën në raport me situatën e ligjërimit (normë relative, situacionale dhe absolute), në raport në numrin e folësve (individuale dhe shoqërore, e përbashkët), në raport me vlefshmërinë (normë preskriptive, ideale dhe statistike).[14] Baza e normës preskriptive është gjithnjë një model gjuhësor i marrë prej së shkuarës, për të saktësuar gjuhën aktuale dhe për t’i ofruar mundësi zhvillimi për të ardhmen. Mjetet që kanë ato që institucionalizojnë normën, për të zbatuar vendimet dhe zgjidhjet e tyre, janë tekstet e përdorimit korrekt të gjuhës, veprat e referencës, përkthimet dinjitoze, manualet etj.

Nëse do të përgjithësojmë nga puna e bërë nga Komisia Letrare në këtë drejtim, do të shohim po atë linjë të suksesshme që gjuhë të ndryshme ndoqën në përcaktimet normative (argumentimi gjuhësor, studimi i së folmes a dialektit, dhënia e veprave të references apo modeleve gjuhësore, saktësimi i mëtejshëm i normës etj.).

Nga studiuesit tanë janë ndriçuar përpjekjet e bëra në këto drejtime nga personalitetet që morën pjesë në Komisi. Kontributet e Komisisë Letrare të Shkodrës në zhvillimin e shqipes, ashtu si dhe ato të ngjarjeve të tjera që lidhen me të, mendojmë se feksin qartë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit tonë. Historia është një rezultante dhe në të Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, si dhe Kongresi i Elbasanit përfaqësojnë segmente të përcaktuara qartë në kontribut, në zgjidhje dhe hapësirat që hapën për më tej.

________________________________________________-

Referencat

* Marrë nga « Univers i vlerave të munguara » Sejko, 2002, faqe 24-34.

[1] Kongresi i Elbasanit u mbajt në Elbasan, më 2-9 shtator 1909. Veçanërisht është vlerësuar kontributi i këtij kongresi kombëtar për organizimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe vendimet e tij për hapjen dhe organizimin e Shkollës Normale, si institucioni i parë kombëtar për përgatitjen e mësuesve.

[2] J. Dubois, H. Giacomo…, « Dictionnaire de linguistique et des sciences du language », Larousse, 1994, faqe 367, 369.

[3] Ch. Baylon, « Sociolinguistique, Société, Langue et Discours », Nathan, 1991, faqe 184.

[4] J. Garmadi, « La Sociolinguistique », PUF, Paris, 1981, faqe 185-186.

[5] J. Fishman, C. Ferguson, J. Das Gupta, « Language Problems of Developing Nations », Ëiley, 1968, faqe 169.

[6] J. L. Calvet, « La guerre des langues et politiques linguistique », Payot, 1087, faqe 154.

[7] Ch. Baylon, vep. e cit., faqe 175-176.Q

[8] « Dielli », October 8, Boston, 1909.

[9] R. Fasold, « The Sociolinguistics of Society », Blackëell, 184, faqe 246.

[10] Ch. Baylon, vep. e cit., faqja 173.

[11] « Dielli », June, 11.1.1909, faqe 3.

[12] « Dielli », January, 14.1.1910.

[13] Shih J. Neusputny, « Language Planning Newsletter », 9, 1983.

[14] B. Müller, “Le français d’aujourd’hui”, Paris, Klincksieck, 1985, faqe 263.