Kongresi Elbasanit është përshkruar shumë bukur nga iniciatori i mbajtjes së tij Mit’hat Frashëri, nënkryetari Kongresit të Elbasanit në ditarin e tij mbajtur në Elbasan ditët e ngjarjes më të madhe të arsimit kombëtar shqiptar.
“Gjashtë javë në Shqipëri”, Shënime udhetimi.. Nga Mit’hat Frashëri në Elbasan 21 gusht 1909.

“Kur arritëm në Rrap i Vojvodës, gjetëm një shumicë njerës nga Elbasani që na kishin dalë përpara bashkë me Dervish benë. Një fjalë mirsëardhjeje prej pritësit dhe një fjalë ngjatjetimi prej nesh dhe gjithë më këmbë hyjmë në qytet drejt në klubin Bashkimi, ku na pret dhe një shumicë tjetër.
Delegatët dje u mblodhën dhe kënduan letrat (mandatet) që kish sjellë silido prej klubit nga i cili dërgohej, pastaj u zgjodh kryetari dhe nënkryetari. Sot u bë mbledhja e parë në klubin “Vllazënia”: atje mydeziri, i nderçmi Haxhi Aliu ( që sot është deputet i Elbasanit ) këndoi një lutje të bukur dhe që atë çast u hoqëm në sallon dhe zumë kuvendin.
Vërtet më të bukur qytet se Elbasani s’mund që të gjendej për një të tillë kongres kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe e mësimit të gjuhës sonë: njerëzia e Elbasanit jo tani, po dhe në kohët despotike ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe”.