Kisha katolike e Elbasanit për nga datimi historik nuk renditet ndër kishat më antike e të vjetra të qytetit, gjithsesi ajo sot ka zënë vendin e saj midis ndërtesave të kultit në qytetin tonë.

E ndodhur në territorin përbri Varrezave të Dëshmorëve, Kisha Katolike “Shën Piu X”, e ndërtuar në një territor të konsiderueshëm, është e  vetmja kishë e besimit të krishterë katolik në qytet.

Gjatë ndërtimit të Kishës "Shën Piu X", Elbasan - viti 1991.

Gjatë ndërtimit të Kishës “Shën Piu X”, Elbasan – viti 1991.

Gjatë një bisede, që kemi bërë me fratin aktual Don Emilio, i cili shërben në këtë kishë, që prej vitit 2003, kemi arritur të mësojmë diçka më shumë mbi historikun, ndërtimin e mënyrën e funksionimit të kishës.

Kisha e sotme katolike e Elbasanit është ndërtuar në vitin 1991 – 1992 në një hapësirë, në të cilën kanë qenë të vendosur një numër i konsiderueshëm familjesh të besimit katolik, që kishin ardhur në Elbasan nga zonat veriore të Shqipërisë.

Kjo kishë është në varësi të drejtëpërdrejtë të Papatit në Romë. Ka marrë këtë emër “Shën Piu X”, për nder të Papës, i cili ka qenë gjithmonë në favor të çështjes kombëtare shqiptare në fund të shek.XIX e fillim shek.XX, para Luftës së Parë Botërore. Në diskutimet e konferencat mbarë botërore që janë bërë në këto vite, Papa Piu X, ka shprehur gjithmonë qëndrimin e tij në favor të popullsisë shqiptare. Këtë qëndrim shqiptarët e vlerësuan dhe për nder të tij, komuniteti katolik vendosi t’i vinte emrin “Shën Piu X” kishës katolike të Elbasanit.

I pari që shërbeu në këtë kishë, ka qenë një shqiptar i Kosovës Don Gjergj Gjergji, i cili u pasua nga pasardhësit e tij si: Don Salvatore, Don Giusepe, Don Rolando, Don Franco, Don Armando, Don Giusepe dhe Don Emilio.

Mesha e I e zhvilluar në Shehsin "Shën Piu X", Elbasan më 21.08.1992.

Mesha e I e zhvilluar në Shehsin “Shën Piu X”, Elbasan më 21.08.1992. Në tavolinën qendrore, i dyti nga e majta, veshur me të bardha Don Gjergj Gjergji.

Sipas të dhënave që Don Emilio na jep, nga viti 1991-1992, me ndërtimin e kishës e deri sot numri i të pagëzuarve në kishën katolike, nga Elbasani e rrethinat, ka arritur deri në 963 persona, nga të cilët vetëm 120 e frekuentojnë rregullisht kishën dhe ndjekin meshat e aktivitete të tjera. Kjo edhe për faktin që një pjesë e mirë e besimtarëve katolikë të pagëzuar në këtë kishë, jetojnë jashtë Elbasanit e jashtë Shqipërisë.

Sot kisha katolike ka aktivitetin e saj, fetar, por edhe social. Përveç meshës që bëhet çdo ditë në orën 06:45 dhe vetëm të dielën në orën 10:00 deri në 11:00, kisha është e përfshirë në aktivitete të tjera.

Ajo ka vënë në dispozicion një sallë për organizime të ndryshme, ku çdo ditë mblidhen fëmijë të komunitetit rom kryesisht, me të cilët punohet në drejtime të ndryshme si: përforcim shkollor, edukim fizik, aktivitete kulturore, por edhe me prindërit e tyre duke i realizuar orë të veçanta me specialistë për edukimin prindëror.

Kisha 2 ose 3 herë në vit jep edhe ndihma në ushqime për shtresat në nevojë.

Foto e e marrë gjatë një aktiviteti të Kishës

Foto e e marrë gjatë një aktiviteti të Kishës

Ajo merr pjesë rregullisht në simpoziume e organizme të tjera të ngjajshme.

Kisha Katolike “Shën Piu X” është pjesë e inisiativës botërore “Java Ekumenike”, e cila mbahet çdo vit më 18 – 25 janar në mbarë botën. Kjo javë e shenjtë që bën bashkë të gjithë komunitetin e krishterë, katolik, ortodoks, protestant etj, konsiston në krijimin e aktiviteteve të përbashkëta gjatë gjithë javës, duke vizituar kultet e secilit sekt, pra është një lloj “shtegëtimi” në kisha të ndryshme të besimit të krishterë. Në Shqipëri, kjo javë realizohet e plotë vetëm në Elbasan, në qytetet e tjera si Shkodra apo Tirana zakonisht këto organizime bëhen në një ditë të vetme.

Që nga viti 2005 Kisha është pjesë e Qendrës për Bashkëpunim Ndërfetar.

Në 14 marsin e vitit të kaluar Kisha Katolike e Elbasanit mori edhe pronësinë mbi tokën në të cilën është ndërtuar, një problematikë që gjeti zgjidhje pas shumë peripecish.

Pamje e ambienteve të brendëshme të Kishës "Shën Piu X"

Pamje e ambienteve të brendëshme të Kishës “Shën Piu X”

Pamje e ambienteve të brendëshme të Kishës "Shën Piu X"

Pamje e ambienteve të brendëshme të Kishës “Shën Piu X”