Kisha e Shën Marisë Elbasan

Kisha ortodokse e Shën Mërisë Elbasan mendohet se është ndërtuar në shek.XVI. Supozojnë kështu sepse kjo kishë nuk përfshihet në librin “Arkitektura Mesjetare në Shqipëri në Shek. VII – XV”, me autor Aleksandër Meksin. Nga ana tjetër gjejmë të dhëna në librin burime të zgjedhura të Historisë së Shqipërisë, volumi III, të dokumentuar për ekzistencën e Kishës së Shën Mërisë, në 1657. Sipas këtij dokumenti e të tjerë pas disa vitesh të le të mendosh se kjo kishë kishte pasurinë e saj dhe siguronte të ardhura me një organizim tepër korrekt, çka do të thotë se ajo ka funksionuar kështu prej disa dekadash. Sidoqoftë hulumtimet e mëpasme do të tregojnë saktësisht të dokumentuar datimin e saj.

Në dokumentet numër 91, 92, 93 të shtyjnë të mendosh se kisha mbahej me të ardhurat e veta, me dhurime nga besimtarët, me vlera të konsiderueshme siç ka qenë ajo që në tetor të vitit 1661 në margaritarë nga Roza Haxhi Gjikës. Ndërkohë, kisha si pronare dyqanesh siguron të ardhura nga dhënia me qera e dyqaneve, sikurse edhe nga të ardhurat e shfrytëzimit të vreshtave të ullinjve. Edhe këtu nuk mungojnë rastet kur besimtarët i dhurojnë kishës vreshta. Për të gjitha këto fakte kuptohet se ruajtja, mirëmbajtja e këtij objekti kulti mbahej e administrohej nga besimtarët ortodoksë.

Sipas Kodikut të Kishës së Shën Mërisë, besimtarët edhe pas 90 vjetëve vazhdojnë t’i dhurojnë monedha, siç është rasti i vitit 1736. Këtu fjala është për shkollimin e arsimimin e fëmijëve, prandaj ata ndërtojnë një shkollë të re, ska dyshim në gjuhën greke. Dokumenti thekson se kapitalet e dhururara të kishës do të jenë të palëvizshme e të kishës, të cilat do të përdoren edhe për trajtimin financiar të mësuesve.

Shkolla greke janë hapur edhe në fillim të shek.XIX, viti 1812, por më e qënësishme është se qytetarët elbasanas nuk u greqizuan, edhe pse (bashkah se) presioni i huaj ka qenë tepër i fortë. Për ruajtjen e gjuhës e shkrimit shqip e përdorimit në alfabetin e Dhaskal Todrit ekzistojnë shënime të pronarëve të dyqaneve dhe tregtarëve. Të gjitha llogaritë ata i mbanin në gjuhën shiqpe, siç janë ata të Kostandin Andonit e Mim Bibasë. Të dy këto tregtarë kanë nënshkruar shqip më 1834 në një Kodik të Kishës së Shën Mërisë në Kala. Më 1827, 23  vjet pas vrasjes së Todrit kryepeshkop i Elbasanit, digjen dorëshkrimet e tij. Janë të panumërt rastet që kjo traditë e ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar të elementit  ortodoks në Elbasan rritet e fuqizohet e më pas shndërrohet në domosdoshmëri dhe kushtëzon përgatitjen e brezave patriotë që shquhen për ndërgjegjen e lartë kombëtare shqiptare. Në qershor 1909 Josif Haxhimima  shkruan “…shkëndija diturake ndriçonte pak nga pak vendet e errëta dhe kështu me një  nxitim ndjenja e atdhetarizmit u përhapën si në qytetin e Elbasanit, por edhe në katunde”.

Kisha dhe rindërtimi i saj

Kisha ortodokse e Shën Mërisë u dogj më 11 nëntor 1819. Kjo ishte një fatkeqësi dhe goditi rëndë besimtarët ortodoksë elbasanas. Megjithatë ortodoksia diti të organizohet e ritet fetare bëheshin në shtëpitë e të krishterëve krahas interesimit të vazhdueshëm për rindërtimin e Kishës. Ska dyshim se duheshin financime të konsiderueshme. Edhe në këtë rast nuk mungoi kontributi material për ndërtimin e këtij objekti. Kapitali themeltar ishte ai grek, për të futur në influencë komunitetin ortodoks të Elbasanit. Nuk dimë sa është financuar, sa kanë qenë kontributet e ortodoksisë, por një gjë dimë të sigurtë se ajo u ndërtua nga një grup mjeshtrash shqiptarë duke na dhururar një objekt kulti tepër estetik e funksional.

Guri i parë i themelit të Kishës së Shën Mërisë është hedhur më 1835, ditën e premte të Shën Gojartit, ndërsa mesha e parë është mbajtur më 29 qershor 1835. Kubeja e Kishës është pikturuar më 1859 dhe është lyer me varak më 1868, krahas afreskeve një mrekulli artistike, një vepër arti e përsosur, ikonostasi që edhe sot konsiderohet kryevepër. Ky ikonostas është ndërtuar nga mjeshtrat me një fantazi e krijim impresionues nga mjeshtra dibranë. Më së fundmi Kisha u ngrit, por të gjitha ritet kryhen në gjuhën greke, gjë që bie në kundërshtim me kërkesat e elementit ortodoks. Shumohen përpjekjet për të zhvilluar ritet fetare në shqip. Këtu u përqendrua edhe pikësynimi i patriotëve tanë. U përkthye në shqip ungjilli nga greqishtja. Bëhen përpjekje për të realizuar zhvillimin e ceremonive në shqip gradualisht me përhapjen e gjuhës shqipe ndër qytetarët elbasanas. Kjo u bë realitet pas vitit 1912, fitores së Pavarësisë e më vonë para opinionit kishtar qëndronte krijimi i kishës së pavarur shqiptare. Do të vinin vitet 20 të shek XX që në plan të parë do të qëndronte krijimi i kishës autoqefale shqiptare. Këtij qëllimi i shërbeu ardhja në Elbasan, më 1 janar 1922 e Fan Nolit, i cili propagandonte autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Noli meshoi shqip në tre kishat Shën Gjon Vladimit, Shën Mërisë në Kala dhe Shën Kollit, i pasuar nga muslimanë e të krishterë.  Fan Noli gjeti në takimin me intelektualë elbasanas mbështetje të fuqishme të idesë së madhe për thirrjen e një kuvendi shqiptar, i cili do të vendoste krijimin e kishës autoqefale ortodokse shqiptare. Organet e shtypit lokal si “Ura e Shkuminit”, “Ku Vemi?”, “Shkumbini” nuk reshtën  së botuari artikuj të cilët shtronin domosdoshmërinë e krijimit të kishës autoqefale ortodokse shqiptare.  Të gëzon fakti se përfaqësuesit më të ndershëm të Kongresit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare qenë Visarion Xhuvani, Simon Shuteriqi, Vasil Llapushi, të cilët u mekuan në Kishën e Shën Mërisë së Kalasë.

Ikonastasi i Kishës së Kalasë – foto e vitit 1939

Kisha dhe ortodoksia në Elbasan

Komuniteti ortodoks në Elbasan shquhet për përpjekjet e tij për dije e kulturë që nga fundi i shek.XIX. Kërkohej me ngulm mësimi i gjuhës dhe i shkrimit shqip. Kisha ortodokse e shkolla e saj u bënë qëndra ku mësohej (gramë) në Elbasan. Nëpërmjet agjentit të tij në Elbasan kolonelit austro – hungarez në Durrës njoftonte Vienën se në 14 Mars 1909 se: shkolla ortodokse e Elbasanit kishte 80 nxënës veç kurseve të natës me personel prej 3 mësuesish. Në këto rrethana qeveria greke ndërpret ndihmat vjetore, fakt që tregon qartë sikurse pohon agjenti se ky qëndrim  “rrjedh pjesërisht mardhëniet e këqija që ekzistojnë nëpërmjet një pjese të madhe të popullsisë ortodokse dhe patriarkanës respektivisht metropolitit. Mbi këto grindje kanë pas nderin të raportoja shpeshherë”.

Agjenti në Elbasan prifti ortodoks elbasanas, gjermani vazhdon më tej “Se këtu lozin rol vendimtar dhe tendendenca kombëtare shqiptare që po manifestohen gjithnjë midis ortodoksëve të Elbasanit”.

Mësimi i gjuhës shqipe binte ndesh me vullnetin e patriarkanës. Ishte ky komunitet ortodoks i cili vendosi t’i kërkojë Patriarkanës që në disa funksione kishtare të futej gjuha shqipe. Megjithatë ortodoksët mendonin se një hap i rëndësishëm për realizimin e qëllimeve të tyre antigreke do të gjenin udhë me ardhjen në Elbasan të Fan Nolit në përgjigje të kërkesës  së bërë prej kohësh.

Kërkohej financim nga ortodoksët andaj detyrohen të ndihmohen nga klubet shqiptar ose vienez. Administratorët e shkollës ortodokse pranojnë më shumë ti drejtohen Turqisë si të keqen më të vogël e të mënjanojnë Greqinë. Kështu ishte dhe përgjigja e klubit shqiptar. Kjo kishte llogjikën e saj se lëvizja xhonturke e kishte bërë propagandën e re.

Një lëvizje e gjërë popullore shpërtheu jo vetëm në Elbasan por edhe në Vlorë, Fier, Lushnjë etj, e shkurtit të vitit 1914 kundër qëllimeve djallzore të Patriarkanës e agjentëve të saj, kundër intrigave që bëheshin në gjirin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.

Më 9 shkurt 1914 populli dhe patriotët e Elbasanit i drejtuan këtë telegram “Administratorit të Arsmit në Vlorë”.

“Asht e ditur që gjithë përpjekjet e shqiptarëve në kohë të tiranisë kishin qëllim të hapnin shkolla kombëtare…Ky qëllim u arrit si u ba Shqipëria më vehte dhe shkollat shqipe u çelën tue përhapë kudo dritën e diturisë. Mirëpo janë ca njerëz që tue ndjekë qëllime propagandash të huaja përpiqen të çelin shkolla në gjuhë të botës. Andaj ne protestojmë kundër këtyre njerëzish, qofshin këta edhe kryetarë të feve, i mohojmë dhe nuk i njohim, i quajmë tradhtarë të kombit, se tpërpjekunit e tyre kanë për qëllim të fusin përsëri kombin tonë në gjuhë të huaj”.

Telegrami përfundon me besimin e plotë se shkollat shqipe do të rrojnë e përparojnë e asnjë gjuhë të huaj nuk do të lënë që të zejë gjuhën tonë. ”

Telegrami nënshkruhej prej 40 vetëve midis të cilëve ishte dhe emri i patriotit të shquar drejtorit të Normales, Aleksandër Xhuvani dhe Vasil Llapushi, Simon Popa, Taq Buda, Josif Haxhimima, FIlip Papajani etj.

Kuptohet lehtazi se këtu ankohej për qeverinë greke e cila kërkonte me çdo kusht të hapeshin shkolla greke. Por në Kishën e Kalasë gjatë  ku gjatë vitit 1908 dhanë mësim Fetah Ceka, Petro Papamihali, Dhimitër Paparisto, Foti Papajani, Simon Shuteriqi, figura të nderuara të qytetit të Elbasanit dhe më pas nuk lejuen kategorikisht të mësohej gjuha greke. Njihet kudo në Elbasan shkolla e kishës dhe autoritetin që kish fiksuar ajo për korrektësinë, ndershëmërinë e mardhënieve me kopetencë në mësimdhënie. Ajo krijoi traditën e saj. Mbeti kjo shkollë si pronë e kishës deri vonë, në 1967 – ën. Godina e shkollës me vendim të Komitetit Ekzekutiv të KP – së të rrethit u shpall Monument Kulture i kategorisë së II – të e figuron në listën e monumenteve të kulturës së rrethit elbasanas. Kjo godinë më 1970 u kthye gjatë periudhës së diktaturës komuniste u shndërrua në muze të arsimit të rrethit. Shkolla e Kishës ka historinë e saj të hershme dhe shquhet për mësimin ilegalisht të shkrimit të gjuhës shqipe në kohë të sundimit turk, por ajo ka zënë një vend të rëndësishëm në historinë e arsimit kombëtar shqiptar. Këtu zhvilloi punimet për një javë 2 – 9 shtator Kongresi i Elbasanit, sikurse thirret ndryshe Kongresi i shkollave shqipe, ku u mor vendimi historik, hapja e të parës shkollë të arsimit të mesëm kombëtar – Shkolla Normale. Kontributi i saj u ndje jo vetëm në Elbasan, por edhe në viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë etj. Pra një godinë sot thirret përsëri tek shkolla e kishës nga mbarë qytetarët elbasanas, myslimanë e të krishterë, të cilët historikisht kanë shkuar në harmoni, mirëkuptim e dashmirësi duke vënë në jetë parrulën e madhe “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”. Edhe sot të ndërpritet çdo përpjekje për shndërrimin e kësaj godine në një vatër progreke ndryshe do të përballet me urrejtjen dhe mërinë e mbarë komunitetit qytetar elbasanas. Ajo është pronë e Kishës Ortodokse Autoqefale dhe i takon asaj.