Katush Çerekja

Katush Çerekja

Katush Çerekja lindi në Elbasan, më 20 shkurt të vitit 1920 në lagjen Kala.
Shkollën fillore e kreu në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” të lagjes “Kala”. Më pas vazhdoi studimet në kolegjin e vajzave në Tiranë, në kohën e pushtimit të Shqiperisë nga Italia. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1941, i përgjigjet thirrjes së ministrit të arsimit të kohës, Ernest Koliqi dhe shkon për të punuar mësuese si fillim në qytetin e Pejës e më pas në Strugë. Pas çlirimit kthehet në Shqipëri ku nis punën në shkollën e Shijonit dhe më pas emërohet në shkollën Ushtrimore deri në vitin 1963.
Në vazhdim e shohim të punojë si mësuese për shumë vite në shkollën “Qamil Guranjaku” dhe pastaj në shkollën “Qemal Stafa”, në të cilën del në pension.
Ajo ka dhënë një kontribut të veçantë në hapjen e shkollave të reja pas çlirimit në fshatrat e Elbasanit. Është vlerësuar si mësuese e dalluar nga organet vendore e qendrore të arsimit. Puna e saj shumëvjeçare në karrierën e saj arsimore ka qenë e suksesshme. Katuish Çerekja krijoi me punën e saj një bagazh përvoje të madhe në ciklin fillor, gjë të cilën e shpaloste në çdo shkollë ku shkoi me nxënësit e saj. Gjatë gjithë viteve të punës së saj ajo është shquar për pasionin profesional, për ndërgjegjen e
lartë, përgjegjshmërinë, përkushtimin dhe për mësimdhënien cilësore.
Ndërroi jetë në qytetin e lindjes, në Elbasan më 15 shtator 2001.

Katush Çerekja me nxënësit e saj

Katush Çerekja me nxënësit e saj