Hysen Dedej

Hysen Dedej

Lindi më 1925 në Elbasan dhe ishte djali i madh i katër fëmijëve të njerit prej figurave të spikatura të drejtësisë shqiptare, Ibrahim Dedej, kryeprokurori i parë i Shqiperisë. Arsimin fillor e kreu në Itali, e më pas liceun francez të Korçës. Shpirti i tij si atdhetar nuk u pajtua me pushtimin nazi-fashist , prandaj mori pjesë në luftën për çlirimin e vendit nga pushtimi.

Pas lufte Hyseni i përkushtohet përhapjes së arsimit. Me sakrifica, përkushtim e ndershmëri të rrallë, ai çoi dritën e dijes kudo ku punoi. Kështu ai në vitet ’60, punon si arsimtar dhe më pas si drejtues në Bubullimë dhe në Krutje të Sipërme të Lushnjes. Pastaj në fshatrat e Beratit. Vjen në Belësh, drejtor në vitet më të mira të gjimnazit “Tomorr Sinani” Cërrik, në Gramsh e së fundmi në Elbasan.

Gjithkund la gjurmë e mbeti gjithnjë i respektuar . Ai ishte aktiv, i saktë në mendim, kërkues ndaj vetes, udhëhiqte me shembullin e tij.  Është dalluar gjithmonë për marrëdhëniet korrekte me kolegët, komunitetin e prindërve dhe eprorët arsimorë, për mbajtjen afër dhe ndihmesën që u jepte nxënësve të tij.  Gjithmonë e në çdo kohë ka merituar vlerësimet që i janë bërë nga autoritetet arsimore e shtetërore në rreth e në qendër.  Kështu është vlerësuar me urdhërin “Naim Frashëri”nga Kuvendi i Shqiperisë.

Ndërsa endej për të kryer me korrektësi e kompetencë detyrën, paralelisht punoi për të thelluar dijet e tija shkencore në mësuesi, dhe arriti të diplomohej në histori, ku u dallua për pasionin ndaj arkeologjisë. Është autor i librit “Historia e Gjeografisë “, botuar në vitin 1965, libër në ndihmë të mësuesve e studentëve. Hyseni falë prirjes natyrale e nga ndjenjat demokratike , përfshihet qysh në fillim të lëvizjes për demokraci, ku dallohet për mendimet dhe fjalimet përparimtare.

Pasi u lejua besimi i fesë, si besimtar i Bektashizmit, punoi në ringritjen e tij. Në aspektin familjar qe një bashkëshort dhe baba shëmbullor. Me daljen në pension atktivizohet intensivisht në përhapjen e gjuhës frënge dhe italiane, duke i pajisur të rinjtë me këto dije të domosdoshme për integrimin në Europë.  Në këto marëdhënie, tek Hyseni del në pah portreti i qytetarit , që me urtësinë, fjalët, buzëqeshjen, profesionalizmindhe mirësinë të bënte për vete.

Gjatë të gjithë jetës, qoftë si mësues, drejtues dhe veprimtar shoqëror, ai gjithmonë rrezatoi qytetarinë dhe traditën elbasanase.

 

Historia e gjeografisë. Hysen Dedej

Historia e gjeografisë. Hysen Dedej