Hysen Çaushi u rrit dhe u edukua në një familje elbasanase, me tradita qytetare, kulturore dhe arsimdashëse. I përkushtuar ndaj nxënësve, me një komunikim të ngrohtë, me zemër, me fjalë dhe me muzikë, kështu do të mbetet në mendjet e nxënësve, mësues Hyseni, sidomos për nxënësit e fillores. Kurse për nxënësit e Normales, do të mbetet shembulli i mësuesit të përkushtuar, me një formim të gjithëanshëm, pedagogjik dhe artistik. Nga ky trung familjar, është dhe normalisti i parë, Abedin Çaushi – ”Mësues i Popullit”.

Hyseni, i sapo diplomuar në Normale, në vitin 1941, me dëshirën për të arsimuar dhe edukuar fëmijët, nisi detyrën e mësuesisë në Burgajet të Matit. Duke pasur pasionin, përkushtimin dhe komunikimin, ai shumë shpejt do të gëzonte, jo vetëm dashurinë e nxënësve, por edhe respektin e banorëve të fshatit Burgajet, por edhe atyre të krahinës së Çermenikës, ku do të ushtronte detyrën e mësuesit.

Do të përzgjidhet si një ndër mësuesit që do të punojë në shkollën Ushtrimore, jo rastësisht, por si një mësues i kompletuar dhe i përkushtuar. Fakti që ishte një specialist i mirfilltë, bëri që atij t’i besohej klasa e parë. Mësues Hyseni, shumë shpejt hynte në botën e fëmijëve, i motivonte ata. Ai dinte me durim të menaxhonte me kompetencë mësimdhënien. E bënte orën e mësimit interesante, çlodhëse dhe argëtuese. Breza të tërë nxënësish dhe mësuesish të shkollës Pedagogjike, do të kujtojnë me respekt, jo vetëm mësimet model të zhvilluara nga mësues Hyseni, por edhe si një aktor diletant i jetës artistike të shkollës dhe qytetit. Orët e vëzhguara nga studentët dhe zhvillimi i praktikave pedagogjike, do të ishin një privilegj për ta. Ato do të merrnin ndihmën më profesionale, të gjithëashme, nga ky mësues didakt. Instrumenti i tij muzikor, përçoi tek nxënësit, një edukim dhe kënaqësi shpirtërore. Duke qenë jo vetëm i apasionuar me instrumentin e tij muzikor, por dhe tepër i aftë si metodist, i besohet detyra e pedagogut të lëndës së Teori Solfexhit dhe Instrument, në shkollën Pedagogjike. Po kështu ndodhi edhe me të vëllanë e Hysenit, Rifatin një instrumentist virtuoz, një pedagog i violinës në shkollën e mesme “Onufri”.

Tradita vazhdon edhe sot në këtë familje, me pedagogun e UE, Shpëtimin. Mësues Hyseni ka titullin “Mesues i Merituar”, këtë në sajë të punës së tij me përkushtim e profesionalizëm.