Mësuesia është një nga profesionet që në Elbasan gjeti shtratin e vet përmes shkollës Normale dhe që e vazhdoi atë me sukses si një nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Tërësia e këtyre mësuesve që dolën nga kjo shkollë elitë, u bënë shembulli më i mirë i titullit “Mësues” duke i dhënë brezave një model të mrekullueshëm në cilësinë dhe sasinë e arsimimit, jo vetëm në Elbasan, por në të gjitha trojet shqiptare.

Shmbujt e punës me përkushtim dhe përgjeshmëri nuk jan të pakët në Elbasan. Por në këtë tërësi vlerash shumë syresh mund të cilësohen si modele për të cilat ende ka kohë dhe vend për tu ndjekur nga mësues dhe drejtues të tanishëm të shkollave shqiptare.

Jo vetëm cilësia e mësimdhënies dhe të të nxënit me metodikat më të arritura të kohës, por edhe cilësia e njohurive që këta mësues të Normales morën, ishin në sinkron me njëra tjetrën me seriozitetin dhe përgjegjësinë ligjore dhe morale, didaktike dhe atdhetare. Janë këto cilësi që bënë të dallohen mësues dhe drejtues siç është njëri prej tyre, Hyqmet Shingjergji, por edhe shumë e shumë të tjerë që sakrifikuan rininë e tyre dhe jetën e tyre në shërbim të një arsimi kombëtar dhe mbarëkombëtar me vlera të spikatura që me të drejtë sot Normalja meriton titullin “Nder i Kombit”.

Për më shumë flet vetë CV e Hyqmet Shingjergjit, si një respekt për Mësuesin e Merituar, që do të ishte normale të shërbente si model për reformimine arsimit tonë në kohët moderne :

U lind në Elbasan në një familje qytetare më 5. 03. 1934. Shkollën fillore dhe 7-vjeçare e kreu në shkollën Sheh Hyseni në lagjen Dylgjerhysen (Partizani). Në vitin 1950-1954 studioi në shkollën e mesme Normale. Mbasi mori maturën nisi punën si mësues në rrethet Gramsh (1954-1955) dhe në Librazhd (1955-1956) si mësues i shkollës 7-vjeçare. Në vitin 1956 nisi studimet në U.T, të cilin e përfundoi në vitin 1960 me nota shumë të mira. U diplomua mësues historie për shkollat e mesme.

Në gusht të vitit 1960 u emërua inspektor i arsimit të rrethit Elbasan, duke shërbyer për 10 vjet (1960-1970) pa ndërprerje. Kjo periudhë pune intensive në zonat Cerrik, Belësh, Kajan, Shpat e armatosi me përvojë për njohjen e programeve mësimore, problemet organizative dhe të drejtimit të shkollës.

Në vitin 1970-1973 punoi në shkollën Jeronim Derada në cilësinë e drejtorit. Puna në këto vite ishte e suksesshme. Shkolla zuri vendin e parë në qytet në aksionin për modernizimin e proçesit mësimor edukativ nëpërmjet përdorimit të bazës materiale didaktike, dinamike. Shkolla u bë qendër peligrinazhi nga kolektivat e mësuesëve të qytetit dhe më gjërë dhe nga shkolla e largët e Pejës (Kosovë). Në vitin 1973 u emërua drejtor i shkollës në veri të qytetit të Elbasanit, e cila u pagëzua me emrin e dëshmorit normalist Abdyl Myzyri. Puna (1973-1989) 16 vjeçare në këtë shkollë ishte sa e mundimshme aq edhe e këndshme.

Puna nisi me gjithçka nga e para. Godina, mjediset brenda dhe jashtë saj duheshin kompletuar me krijue jo vetëm kushte estetike edukative, por edhe për me u zhvillu mësim në kushte normale, me standarte pedagogjike dhe didaktike. Lagjja Vullnetari ku u ngrit shkolla ishte e përbërë nga familje punëtore të kombinatit metalurgjik. Kjo sillte si pasojë që edhe fëmijët e tyre të mësonin në një mikro mjedis të paformuar, ku përziheshin zakone dhe tradita patriarkale. Puna e komunitetit të mësuesëve dhe drejtorisë së shkollës duhej të shtrihej sa me punë në lagje me prindërit, aq edhe në shkollë me nxënësit në një front unik. Suksesi u arrit, shkolla më e re e qytetit në ato vite, pati rezultate në saj të punës me përkushtim të mësuesëve. Ajo rrezatoi me përvojë pedagogjike, duke organizuar seminare, ballafaqime në shkallë rrethi. Për I L P “Aleksandër Xhuvani” u bë qendër trajnimi për studentët e mësuesit e ardhshëm. Në vitin 1987 me rastin e 100 vjetorit të shkollës së parë shqipe, dy pjestarë (Hyqmet Shingjergji dhe mësuesja e klasës së parë Nadisha Vrapi) u nderuan me titullin Mësues të Merituar.

Shkolla ngriti një muze dinjitoz, përurimi i të cilit u kremtua me një sesion shkencor, ku morën pjesë të gjithë frejtorët e shkollave të rrethit, organizata e veteranëve dhe drejtuesit e pushtetit në rreth. Gjatë periudhës 1970-1981 dha leksione (histori e vjetër dhe arkeologji) në I L P në sistemin e mbrëmjes. Në vitin 1960-1970 drejtoi shoqatën e mësuesëve të historisë të rrethit që kulmoi me sesionin shkencor për 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Ka qenë pjestarë aktiv në ngritjen e muzeut të arsimit duke studiuar periudhën 1925-1939. Në ngritjen e muzeut të Luftës së Dytë Botërore për lëvizjen nacional çlirimtare ka punuar dhe studiuar periudhën e operacionit të dimrit (tetor 1943 deri në shkurt të 1944) në qarkun e Elbasanit. Është antar i kryesisë së shoqatës Normalisti nga fillimi i ngritjes së saj. Për figura të shquara të arsimtarëve Normalist ka bërë kumtesa, ka botuar rregullisht në gazetën lokale të qytetit (Fjala e Lirë, Elbasani, Info). Është vlerësuar për punën që ka bërë në arsim me titullin Mësues i Merituar, medalje Naim Frashëri, medalje pune.