Me keqardhje ju njoftojme se mbrëmjen e djeshme u nda nga jeta shkrimtari elbasanas Hyjni Ceka. Shprehim ngushëllimet për mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Arkivit Digjital Elbasan dhe Revistës “Albanon”.

Pinjoll e familjes së Cekajve, një familje simbol e Elbasanit, e kulturës, arsimit e jo vetëm, Hyjni Ceka pati një veprimtari të ngjeshur letrare. Hyjni Ceka u lind në Elbasan, më 6 tetor 1932. Mori mësime në Normalen e Elbasanit dhe më pas ndoqi studimet e larta në Tiranë, në degën Gjuhë – Letërsi.

Punoi për shumë vite si mësues në fshatrat më të largëta të Shqipërisë e më pas u sistemua në shkollën e mesme të Cerrikut. Ka botuar shkrime në organe të ndryshme të shtypit të kohës. Ka shkruar po ashtu një sëre veprash si: “Shenjtorë dhe djaj”, “Dita e verës”, “Valëzakja”, “Lule më lule e këngë më këngë”, “Nëpër mite ska parajsë” etj.

Krijimtaria e tij nuk reshti deri ne ditët e fundit të jetës. Ka qenë aktiv me shkrimet e tij në disa numra të Revistës “Albanon”.

Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt për kontributin që i ka dhënë qyteti dhe për të gjithë krijimtarinë letrare që la pas. Ai do të kujtohet dhe vlerësohet gjithmonë si një njohës i mirë i vlerave dhe traditave të Elbasanit.