Imam Emin Efendi Hoxholli lindi më 27 prill 1880, në Elbasan, në një familje me tradita atdhetare, kulturore e fetare. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në vitin 1894 – 1895 shkon në gjimnazin e Manastirit dhe studimet i ndjek në Universitetin e Stambollit ku studion  në fakultetin e teologjisë islame për 8 vite rresht.

Në vitet 1913 – 1917 përfundon studimet pasuniversitare në jurisprudencë e kthehet më pas për të shërbyer në atdhe. Në shtator të vitit 1917 filloi të punojë si myderis – mësues i gjuhës shqipe në xhami. Ai zotëronte 5 gjuhë të huaja: arabishten, persishten, turqishten e vjetër e të re dhe gjuhën greke. Ai përgatiti breza të tërë në medresenë e Elbasanit, ku punoi si mësues i gjuhës arabe e osmanishtes.

Në vitin 1921 shërbeu si Vaiz – ligjërues në xhaminë e Ballijes. Në vitet 1929 – 1939 kreu detyrën e drejtuesit dhe funksionarit të lartë të Myftinisë së Elbasanit.

Në vitin 1939, bashkë me 300 vullnetarë elbasanas shkon në Durrës në mbrojtje të territoreve të atdheut, akt për të cilin u dënua në vitin 1940 nga kuestura italiane dhe qëndroi një vit në burg.

Veprimtaria e tij religjioze, shoqërore dhe intelektuale në dobi të kombit, u shpërfill, u mohua e u dënua nga ateizmi komunist në vitet 1946 – 1950.

Në vitin 1953 deri në 1959 e internojnë në jug për t’i lëkundur e zbehur besim e tij fetar, të cilin kurrsesi nuk mundën t’ia hiqnin nga zemra. Në 1960 kthehet në vendlindje, por shtëpinë e tij e kishin zënë dis qeraxhinj dhe ai pati mundësi të rrinte vetëm në njërën prej dhomave të saj, ku kishte edhe bibliotekën e tij, të pasur nga literatura islame.

Për 6 vite rresht punoi si muderis në xhaminë e Ballijes dhe në vitet 1966 – 1967 ishte Imam tek Xhamia e Pazarit.

Në vitin 1967, vit në të cilin u ndalua besimi dhe praktimi i të gjitha feve në Shqipëri nga regjimi i asaj kohe, Hoxhë Hoxholli e kundërshtoi këtë vendim pa iu dridhur qerpiku për pasojat që mund të kishte. Në vitin 1968 i djegin shtëpinë, duke i shkatërruar edhe bibliotekën e rrallë fetare.

Imam Emin Efendi Hoxholli ndërron jetë në 23 mars të vitit 1970, duke u përcjellë me nder e respekt nga i gjithë populli i Elbasanit.

Hoxhë Hoxholli kujtohet gjithmonë si një nga figurat më të nderuara të intelektualëve islamë, si një njeri i përkushtuar, i cili evokonte vlera, mirënjohje, respekt, atdhedashuri e qytetari.