Nga Astrit Lopari

Shkolla artistike Onufri filloi në 1958. Atë vit u hapën disa shkolla në Shqipëri të ciklit 8- vjeçar. Mbas vitit 1968 shkolla u kthye ne cikël të plotë nga klasa e parë deri në të 11-tën (12-tën). Shkolla filloi më një grup nxënësish të degës së violinës, rreth 30 vetë. Gradualisht ajo u pasurua dhe me degë të tjera si piano dhe violinçel. Kjo do të ishte hapësira e parë e kësaj shkolle që më vonë u pasurua edhe me profile të tjera si klarinetë dhe fizarmonikë. Kur shkolla u kthye me cikël të mesëm në të u përfshinë edhe një sërë drejtimesh të tjera artistike si dega mësuesi dhe gradualisht profilet e instrumentistëve (violin, piano, violinçel) ashtu dhe me profile te tjera si kanto dhe instrumenta fryme.

Duhet thënë se shkolla nisi me 30 nxënës në fillimet e saj dhe më pas arritit një pikë deri në 450 nxënës. Përveç profileve muzikore në vitin 1976 u bë tentativa e parë për hapjen e degës së arteve figurative (me përpjekjet e piktorit Andon Lakuriqi), e cila u konsolidua në vitet ’80 e më pas. Mësuesit e parë të shkollës “Onufri”, emër të cilin e mori në vitin 1980, ishin Hysen Shehu, Rifat Çaushi, Leonard Shuteriqi si dhe më pas Mateo Gurolumi, Kujtim Çela, Emili Qano, Liri Kita, Shefqet Pitja, Josif Shuteriqi. Duhet thënë se  në hapjen e shkollës një kontribut të çmuar ka dhënë edhe Mithat Stringa. Nga fundi i viteve ’60 në shkollën artistike erdhi një brez i ri mësuesish por sidomos në vitet ’70 profilet muzikore plotësohen me kuadro të specializuar me një sërë instrumentistësh që do të jenë baza e konsolidimit cilësor të kësaj shkolle.

Do të përmendim këtu violinstët Syrja Dylgjeri, Zeqir Sulkuqin, Ardjan Cani, Gjergji Mëhilli, Hasan Bakalli,; pianistet Neri Asllani, Keti Qose, Violeta Sulkuqi, Zhaneta Dervishi; Çelisët – Vladimir Kocaqi, Yllka Borodani; këngëtarët Faik Feçi, Eleonora Eminaj; klarinetisti – Xhevahir Qafa; trombonistin – Emin Palluqi; dirigjentët – Blerim Narazani, Sulejman Balza, mësuesit e teorisë muzikore – Kujtim Gjelina, Astrit Lopari, Durim Shishmani, Shkëndi Shupeja, Kozeta Rafti, kompozitorët – Riza Zdrava, Klement Marku dhe shumë të tjerë që pasuan në profilet muzikore dhe në dekadat e ardhshme.

Në artet figurative do të përmendim mësuesët Andon Lakuriqi, Isuf Sulovari, Sigfrid Mullisi, Ylli Haruni, Sadik Kasa, Fatbardh Marku, Arben Jano, dhe një numër i konsiderueshëm kuadrosh të rinj që qenë frut i pregatitjes në këtë shkollë, që si dhe në fushën e muzikës, u rikthyen nga Akademia e Arteve si kuadro të mëtejshëm të kësaj shkolle.

Tashmë janë bërë mëse 59 vjet nga lindja e kësaj shkolle por do të thoja që fillesat sidomos në instrumentat e harqeve por edhe më gjerë i hasim në qytetin e Elbasanit që nga fillimet e shekullit te 20-te. Kështu që ne vitin 1913 kemi formacionin e parë orkestral me instrumenta siç janë kitarat e mandolinat që në njëfarë mënyre ishin të përhapura në Shqipëri në këtë periudhë. Në vitin 1917 kemi fillimet e funksionimit të bandës “Afërdita” e cila në fillimet e veta përfshiu jo vetëm amatorë të muzikës, por njerëz që do të kenë një karrierë të tyre profesionale edhe si intelektualë të shquar të Shqipërisë. Dihet tashmë veprimtaria 100 vjeçare e kësaj bande ku pikë kulmore mbetet viti 1920, ku banda “Afërdita” mori pjesë në Luftën e Vlorës. Instrumentat e harqeve në njëfarë mënyrë bëhen tipike për Elbasanin për shkak të funksionimit të shkollës Normale ku detyrimisht nxënësit duhet të njihnin një instrument, violinën. Kështu në vitin 1927 u krijua formacioni jashteshkollor i muzikantëve që vinin nga formimi në këtë shkollë. Do të ndikonin në këtë rast muzikantë të tillë si Ahmet Gashi, profesor Krasta por edhe violinist si Sofokli Paparisto, dhe Baki Kongoli.

Në vitet ’30 këto muzikantë arritën të kryejnë formacione muzikore të harqeve saqë me veprimtarinë e tyre u bënë pjesë edhe e aktiviteteve kombëtare me rastet e festave të Pavarësisë ne vitet 1937-1939, të ftuar në Tiranë në koncertet festive shtetërore. Gjithashtu një pjesë e muzikantëve që ishin në këto formacione harqesh ne vitin 1946  u bënë pjesë e filarmonisë së shtetit. Ky shtrat artistik e bëri që natyrshëm të lindë shkolla artistike “Onufri” e cila ka funksionuar si e tillë në tre mjedise shkollore. Së pari në vitet 1958-1959 në shkollën “Ali Agjahu”, ne vitet 1960-1972 në shkollën “Qemal Stafa” dhe më pas në godinën aktuale të krijuar enkas për profilin artistik.

Shkolla “Onufri” ndër vite ka nxjerrë mjaft talente të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo ka marrë pjesë në festivalet ndërkomëtare të muzikantëve të rinj në Zvicër dhe Austri, në shumë koncerte në Itali, Greqi e Kosovë ku nxënësit tanë janë vlerësuar për cilësitë e tyre interpretative. Vazhdimisht nxënësit e kësaj shkolle janë pjesë e konkurseve kombëtare e ndërkombëtare. Nga kjo shkollë kanë dalë talente të tilla si tre tenorët Ruzhdi Karaj, Kastriot Tusha dhe Sajmir Pirgu,  këngëtarët Zina Zdrava, Zana Qatipi, Vera Laçi, Tatjana Isaj etj si dhe një numër i konsiderueshëm violinistësh të cilët kontribuojnë jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë saj. Do të përmendim këtu Gëzim Bulçari, Albana Leka, e shumë të tjerë në formacionet e orkestrës së Operës në Shqipëri, Demir Lulja, (Argjentinë), Besa Cani, Matilda Daiu, Orgesa Dylgjeri, (Francë), Fatjon Hoxholli (violinë), Marsida Koni (pianiste) (Itali) si dhe një numër të konsiderueshëm violinistësh cilësore në Greqi por dhe në Amerikë e Kanada. Vlen të përmendet edhe kompozitori Aldo Shllaku si kompozitor filmi në Hollivud.  Kjo hapësirë e shtrirjes së cilësive artistike të talenteve më të spikatur të shkollës vazhdon edhe sot me të tjerë artistë të rinj të cilët nuk i kanë munguar shkollës artistike Onufri. Gjithashtu të niveleve të tilla, janë një sërë piktorësh që e kanë veprimtarinë e tyre në Greqi, Amerikë, Kanada etj. Të rinjtë si Orens Graca (piano) e shumë të tjerë në degë të ndryshme nderojnë emrin e shkollës “Onufri”.