Nga Tomorr Arianiti

Në vitet ’60 , 270 arsimtarë të Elbasanit morën inisiativën të mbarojnë shkollën e lartë pa shkëputje nga puna me korrespondencë, gjë që do të ndikonte pozitivisht dhe në forcimin cilësor të shkollës dhe të arsimit.
Për marrjen e kësaj iniciative u desh një punë intensive për të thyer konceptet e disa mësuesve, që marrjen e arsimit përkatës me korespondencë e quanin të pamundur . U desh të bëhej një punë bindëse edhe me disa drejtues shkollash të cilët, duke u nisur nga interesa të ngushta të çastit të punës në shkollë, në fillim mbajtën qëndrime të rezervuara ndaj kësaj inisiative të mësuesve të shkollave të tyre.
Më 7 shtator 1968 u hap në Elbasan qendra e konsultimit e cila më 5 tetor 1968 kthehet në qendër provimi. Nga qendra e Elbasanit varej edhe Gramshi e Librazhdi. Kjo qendër shërbente për të ndihmuar arsimtarët e punonjësit të vazhdonin fakultetet e UT, të I.K.P dhe të Institutit Pedagogjik të Shkodrës, për t’i grumbulluar për konsultime e provime, që bëheshin nga pedagogët e shkollave të larta.
Në konsultimin e parë që u bë më 28-29 nëntor 1968, morën pjesë 270 mësues që vazhdonin degët histori-gjeografi, gjuhë-letërsi, matematikë-fizikë dhe biologji-kimi. Në sesionin e janarit të 1969 në provimet e para që u zhvilluan në Elbasan u paraqitën në provime 255 studentë – mësues nga të cilët fituan 135.
Ngjarje me rëndësi për zhvillimin e arsimit të lartë në rrethin tonë qe hapja e degës së Institutit dy-vjeçar të mbrëmjes, ceremonia e së cilës u bë më 11 dhjetor 1968, ndërsa leksionet e para filluan me 20 dhjetor 1968. Nga 201 studentë që u regjistruan në fillim vazhduan 196; kryesisht arsimtarë dhe më pak punëtorë dhe nëpunës. Ky institut kishte degët gjuhë-letërsi (me 38 studentë) matematikë-fizikë (me 34 studentë), biologji-kimi (me 46 studentë) dhe histori-gjeografi (me 78 studentë), ndërsa me korrespondencë vazhdonin 240 studentë, prej të cilëve 124 ishin femra. Nga këto, nga rrethi i Elbasanit ishin 213, nga Librazhdi 16 e Gramshi 11, ndërsa sipas degëve vazhdonin në gjuhë-letërsi 74, matematikë-fizikë 26, në biologji-kimi 37, dhe në histori-gjeografi 103.
Në vitin shkollor 1970-71 në Elbasan u hap filiali i Universitetit në degët ekonomi kontabël e plan dhe një vit më vonë ai i inxhinierisë së ndërtimit. Edhe nga punëtorët filluan të hyjnë në këtë shkollë të lartë masivisht dhe në vitin shkollor 1971-72 vazhdonin te ne 212 punonjës të ndërtimit e të ekonomisë, kryesisht punëtorë.

1973, Elbasan, Komisioni shtetëror në provimet Ekonomi Kontabël, Arkivi Digjital Elbasan

1973, Elbasan, Komisioni shtetëror në provimet Ekonomi Kontabël

1975, Elbasan, Komisioni i provimit në filialin e inxhinerisë si degë e Universitetit të Tiranës, Arkivi Digjital Elbasan

1975, Elbasan, Komisioni i provimit në filialin e inxhinerisë si degë e Universitetit të Tiranës

Vështirësitë e kësaj periudhe qenë të shumta, si për pedagogët ashtu dhe për studentët. Pedagogët tanë qenë të rinj, ata luftonin në radhë të parë me veten. A do të bëhem dot një pedagog i mirë për të justifukuar detyrën e rëndësishme të pedagogut të shkollës së lartë? Kjo pyetje i nxiste ata të punonin ditën e natën, të përgatiteshin vetë me kujdes e sedër e, në të njëjtën kohë, përgatitnin dhe studentët.
Vështirësi tjetër që paraqitej ishte edhe gjendja e teksteve dhe programeve. U bënë vërejtje dhe sugjerime të shumta për tekstet e shkollave të larta, nga ana e pedagogëve të rinj qe kishin si qëllim që në leksionet e tyre të ngrinin nivelin shkencor, të shmangnin gjërat e tepërta dhe të mos përsëritnin pa nevojë tekstin. Në luftë me vështirësitë e fillimit ata dalëngadalë por me siguri fituan një përvojë të mirë, të cilën e pasuruan më tej në vitet e mëvonëshme.
Detyra të rëndësishme dhe një punë e madhe duhet të bënin dhe pedagogët edhe për sigurimin e bazës së nevojshme materialo-mësimore. Pedagogët tanë krijuan vetë dhe grumbulluan bazë materiale të ndryshme nga fshatrat; nga shkollat 8 vjeçare e të mesme, dhe u arrit të ngrihen laboratorët e parë ku kryheshin një pjesë e konsiderueshme e punëve laboratorike. Pjesa tjetër kryhej në laboratorët e shkollave të mesme dhe në ndërrmarrjet e qytetit, sidomos ato të inxhinierisë së ndërtimit.
Detyrë e pedagogëve të jashtëm dhe efektivit për këtë periudhë qe konsolidimi organizativ i filialit, ngritja e nivelit shkencor të leksioneve; si dhe eleminimi i ndikimit të metodave të punës së shkollës së mesme nga e cila vinin ata, përpjekjet për të të siguruar vijim të rregullt në leksione, konsultime, etj.
Ndër datat që do të mbesin në historinë e arsimit të lartë të Republikës sonë dhe të rethit të Elbasanit është edhe 1 shtatori i vitit 1971 kur hapi për herë të parë dyert Instituti i Lartë i Pedagogjisë “A.Xhuvani” i rrethit tonë me shkëputje nga puna në dy degë: gjuhë-letërsi e matematikë-fizikë.

Krijimi i një kolektivi pedagogësh efektiv pranë këtij Instituti rriti mjaft cilësinë e punës në filial, sidomos në degët gjuhë-letërsi e matematikë-fizikë, i dha mundësi krijimit të katedrave që u bënë vatër e rrahjes së mendimit shkencor e pedagogjik të Institutit. Në këto katedra to fillonin në baza shkencore dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie diskutimi i leksioneve, i problemeve të punës mësimore-edukative, i metodave të mësimdhënies, etj.
Nga ana tjetër pedagogët efektivë ndihmuan me eksperiencën e tyre pedagogët e jashtëm të filialit.
Ky hop cilësor në organizimin e Institutit, bërthamat e pedagogëve efektivë të krijuara, dha mundësi konkrete që Instituti ynë të kthehet në një qendër arsimore duke patur në varësi filialet e rretheve Korçë, Fier, Berat dhe qendrën e provimit e të konsultimit të Skraparit e të Tiranës.

Vetëm në 10 vjeçarin e parë të jetës së ILP janë diplomuar nga rrethi Elbasanit 586 mësues në sistemin me dhe pa shkëputje nga puna, ose e thënë ndryshe 60 % të mësuesve të rretheve, që punojnë sot në shkollat 8-vjeçare.
Filiali i ILP luajti një rol të rëndësishëm dhe në kualifikimin e punonjësve të sektorëve të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Duke diplomuar ekonomistë të lartë dhe inxhinierë ndërtimi.
Më vonë do të hapej dega inxhinieri mekanike dhe agronomi që do të rritnin edhe më tej frekuentimin e këtij instituti.
Hapja e ILP do ta vendoste sërish Elbasanin pozicionin e një qendre të rëndësishme të arsimit kombëtar.