Në Buletinin e KK Amerikan, në Tetor të vitit 1920, në artikullin : “Story of the American Red Cross hospital for children at Elbasan, Albania”
(Historia e spitalit të Kryqit të Kuq Amerikan për fëmijë në Elbasan, Shqipëri), ndër të tjera shkruhet :

Komisioni amerikan i Kryqit të Kuq në Shqipëri po mendonte hapjen e një spitali në Elbasan. Shefqet bej Vërlaci, një i pasur, i njohur në të gjithë vendin, na dha një shtëpi të madhe në atë qytet për qëllimin tonë. Ndërtesa u riparua me ndihmën e një marangozi shqiptar dhe përmes zgjuarsisë së infermierit të Kryqit të Kuq, ajo shpejt siguroi një strehë për të sëmurët. Elbasani ka një popullsi më shumë se 10,000 banorë, kryesisht të besimit musliman. Ka dallime të rëndësishëme në jetën e tyre komunale dhe shoqërore, megjithëse vlerësohet si më konservatori ndër qytetet në Shqipëri. Pjesa më e madhe e grave dalin të mbuluara në publik. Ka e të krishtera, që madje i përmbahen kësaj praktike.
Infermierët e Kryqit të Kuq pajisën spitalin dhe krijuan një atmosferë “të rehatshme” si në spitalet Amerikane. Në dritaret u vendosën perde prej materiali të bardhë dhe të pastra. Këto e shndërruan pamjen e reparteve dhe tërë spitalit tek vizitorët. Kur gjithçka ishte në gatishmëri, u bë hapja zyrtare e spitalit, ku morën pjesë autoritete të larta të qytetit. Këtu përfshiheshin vetëm burrat, në bazë të zakonit. Asambleja përfshinte beun, një pasha; klerikët e feve të ndryshme, mjekë vendas, mësues të shkollave, punonjës të bashkisë e komandanti i ushtrisë italiane. Kritika e vetme e theksuar ishte ajo e mbajtjes së bebeve. Foshnjat shqiptare gjithmonë janë të shtrënguara fort në një “paletë”-(djepe sh. im), që rrezikon jetën e fëmijës së pafuqishëm. Me shumë vështirësi nënat u siguruan se asnjë dëm nuk sillte nëse fëmija mund të qëndronte i lirë në shtratin e tij.
Javën pasuese u ftuan zonjat. Anëtarët e stafit u befasuan në pjesëmarrjen e grave elbasanase nga dyzet deri në pesëdhjetë. Ata kishin ardhur për të verifikuar ato që u kishin thënë burrat dhe u mirëpritën ngrohtësisht. Interesimi i tyre për spitalin më në fund rezultoi në krijimin e një klubi të grave vendase, të organizuar më vonë nën kujdesin e Kryqit të Kuq Amerikan. Kështu një vajzë të re vendase u mor për të mësuar në infermierinë e spitalit. Nëse ajo dëshmohej e aftë do të dërgohej në një shkollë të akredituar trajnimi në Zvicër me shpenzimet e klubit. Me interesin e grave të ardhura në spital u rritën veprimtaritë sociale që zhvilloheshin nën drejtimin e Klubit të Kryqit të Kuq. Pra, toka ishte pjellore, fara e mbjellë kërkonte më shumë punë. Por, për shkak të mungesës së furnizimeve dhe mbikëqyrjes mjekësore, spitali i vogël, i cili filloi një punë të madhe, u detyrua të mbyllet përkohësisht. Megjithatë shpresojmë në nji ndërhyrje të autoriteteve lokale, që do të thotë shumë për banorët vendas që kanë vendosur shpresën dhe besimin e tyre për gjëra më të mira që do të vijnë nga Kryqi i Kuq.

1-A.R.C convoy of food and medicines along the ancient appian way Elbasan Albania. (Karvani i KKA me ushqime dhe ilaçe përgjatë nji rruge të vjetër të Elbasanit në Shqipëri)
2-Pacientja e hipur mbi mushkë e ardhur nga larg, pritet para ambulancës së spitalit nga infermieret e KKA.

Ndihmat e Kryqit të Kuq Amerikan në rrugicat e Kalasë, Elbasan 1920, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan
Mjekja Phoebe C. Steet, nga Baltimora, drejtuese e Klinikës Pediatrike të Kryqit të Kuq Amerikan, Elbasan 1920