Hafiz Tasim Luniku (1898-1968), Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Hafiz Tasim Luniku (1898-1968)

Në vitin 1949, në qytetin e Elbasanit, ndodhi një vdekje e hidhur. Kishte ndërruar jetë në moshën 14 vjeçare djali i dytë i hafiz Tasim Lunikut. Lajmi qe përhapur lagje më lagje nga tellalli Ymer Bishashi (Lala). Elbasani asokohe nuk i kishte 16 mijë banorët.
Bëri bujë vdekja e parakohëshme e një nxënësi shkolle, por më tepër mënyra se si u vajtua fëmija fatkeq. Sipas zakonit, gratë elbasanase i qanin të vdekurit me fjalë e vargje të stisura aty për aty e të shoqëruara me oiiii.
Kjo lloj gjëme e zbutur bëhej më e fortë, më e egër, kur humbja ishte më e madhe, më e rëndë. Për çudinë e të gjithëve, në shtëpinë e hafiz Tasimit nuk u bë vajtimi i zakonshëm.
Në ditën e varrimit e as në ato që erdhën më pas, nuk u bë vaj. Porosia e burrit të mençur, e besimtarit të madh, e Myftiut të Qytetit, kishte qenë: “Zoti na e dha e Ai na e mori. Le ta shprehim dhimbjen me lot zemre e shpirti e jo me britma e këlthitje.”
Ishte hera e parë në Elbasan që i vdekuri përcillej ashtu në heshtje të ma dhe, me lot në sy e me brengë të thellë në zemër. Një ceremoni mortore model për gjithë të kulturuarit që mbahet mend edhe sot e kësaj dite nga të moshuarit.
Për hafiz Tasimin si njeri e si teolog flitej shumë në kohën kur ishte gjallë, por kujtimi i tij, mbetet i paharruar tek ish-nxënësit dhe besimtarët që e ndiqnin në predikime e që e vlerësonin dhe e vlerësojnë edhe sot si hoxhë serioz e shembullor në kryerjen e detyrës e me tipare të rralla në jetë.
Ne vitet 1942-1943 bëhej në shkollën fillore një orë mësimi feje çdo javë. Hoxha vinte në klasë shumë i pastër, i shkëlqenin xhybja e çallma. Ishte gojëtar e tërheqës në shpjegim. Fliste pak, por rrjedhshëm dhe saktë. Qe autoritar dhe respektohej jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga mësuesit e shkollës. Hafiz Tasimi e kishte parim në jetë që ta edukosh fëmijën apo njeriun në përgjithësi, duhet ta bindësh dhe jo ta urdhërosh apo ta keqtrajtosh. Me interes është rrëfimi që bën njëri nga djemtë e hafiz Tasimit. Ai tregon:
Isha mësues në fshatrat e Fierit në fund të viteve 50 të shekullit të kaluar. Me kolegë arsimtarë të pasionuar pas gjuetisë, mësova të marr pjesë edhe unë në të diela gjahu. Armë nuk kisha, por me ato të shokëve pata vrarë edhe unë lepuj. Të blije atëherë një armë gjuetie çifte apo teke, duheshin të paktën 15 mijë lekë, pra afro katër rroga mujore të mësuesit në fshat. Më hyri dëshira ta blej një armë të tillë. Për këtë, në pushimet e verës, i parashtroj tim ati kërkesën që lidhej me kursimet e mia, të cilat në vend që t’i sillja në familje për disa muaj me radhë, do t’i ruaja për armën e dëshiruar.
Im atë nuk më kundërshtoi. Ai më dëgjoi me kujdes dhe kur unë mbarova së parashtruari kërkesën, më tha: Nuk jam kundër dëshirave të tua. Nevojtarë jemi shumë për lekë sepse rrojmë në një kohë të vështirë, por do të jap një këshillë. Me saçmat e çiftes kur vret një lepur, vepron mirë, po kur e plagos, ç’vuajtje i shkakton lepurit të gjorë? Po në rast se lepuri është femër e me këlyshë në bark? Ç’rrugë do të marrin të dëmtuarit?
Kaq më tha im atë e u largua për në dhomën e vogël, ku kishte bibliotekën e vet. Babës nuk ia zura më me gojë këtë kërkesë. Që prej asaj dite u largova një herë e përgjithmonë nga gjuetia. E shkela me këmbë dëshirën për t’u bërë gjahtar.
Po cili ishte hafiz Tasim Luniku?
Ishte elbasanas denbabaden e rridhte prej një familje fetare prej nëntë brezash. Mbahen mend, hafiz Sulejman Luniku (1777-1853), haxhi hafiz Seit Luniku (1811-1886), hafiz Sulejman Luniku (1851-1913), hafiz Mustafa Luniku (1859-1907), sheh Shaqir Luniku (1895-1937), hafiz Qamil Luniku (1902-1971) dhe së fundi hafiz Tasim Luniku (1898-1968).
Hafiz Tasimi qe shkolluar në medresenë e qytetit të lindjes. Që nxënës me vullnet të pashuar e mësoi edhe si autodidakt shumë mirë arabishten, turqishten e persishten. Trashëgoi dhe pasuroi një bibliotekë me libra fetare, por edhe me vepra të rilindësve si të Sami Frashërit etj.
Ndoqi traditën familjare trashëguese për t’u bërë hafiz e më pas hoxhë, sepse babai dhe xhaxhai i tij ishin me emër në kohën e tyre (njiheshin me epitetet si “Hafizi i madh” dhe “Hafizi i vogël” sipas moshës).
Pati mësuar në mënyrë private nga persona të dëgjuar e me nam në Elbasan si: haxhi Aliu, hafiz Sulejman Luniku dhe nga myderrizi Zeqir Hoxha i ardhur nga Struga. Kalonte orë të tëra duke studiuar. Shfrytëzonte në mënyrë të rregullt bibliotekën e vet dhe përgatitej për çdo bisedë fetare që organizonte ditën e xhuma. Ajetet kuranore që komentonte i lidhte me aktualitetin, i mbante shënim në fletushka të veçanta e i ruante që të mos përsëriste vetveten para xhematit. Kishte zërin e tenorit dhe dëgjuesit në xhami kënaqeshin me timbrin e tij melodioz. Shpesh ky zë i afronte besimtarët në faltore, duke i thënë njëri-tjetrit: “po këndon Bilbil Gjyzari!” Plot e përplot mbushej xhamia kur predikonte hafiz Tasimi. Pëlqehej zëri i tij i ëmbël, por më shumë shpjegimi i tij i qartë e plot vlera edukative. Qe burrë i ndershëm e plot autoritet. Detyrat si imam, myezin, vais e myfti i ka kryer me ndërgjegje të lartë. Pati fituar simpatinë e banorëve të Elbasanit, Peqinit dhe të katundeve rrotull tyre.
Në predikimet në xhami, në vasë, idetë kuranore gjithmonë i shoqëronte me ngjarje apo ndodhi nga jeta e profetëve ose e pasuesve të tyre. Për një kohë shumë të gjatë dhe falas përgatiti hafizë të rinj. Vazhdoi kështu deri sa e ndaloi monizmi. Dhe qenë pikërisht nxënësit e tij, që me ardhjen e pluralizmit, hapën xhamitë, filluan shërbimet fetare dhe predikimet në Elbasan.
Diktatura i solli vuajtje të mëdha në jetë, madje ia shkurtoi vitet. Në vitin 1954 u pezullua nga puna dhe deri ne vitin 1968 (kur vdiq) nuk iu dha asnjë e drejtë pensioni. Gjatë 14 vjetëve mbeti i ngujuar në shtëpinë e vet. Nuk pushonte së studiuari. Lufta e ashpër kundër fesë që bënte shteti komunist e mërziste shumë por nuk e mposhti dot. Ishte kurajoz dhe i përballonte sfidat e kohës duke thënë: “Feja Islame në kohën e Pejgamberit (a.s.) ka pasur veprime edhe më të këqija”.
Në vitin 1967 (viti i të ashtuquajturit “revolucion kulturor”) u demaskua publikisht në kinemanë e qytetit dhe me karikatura të afishuara në qendër të qytetit. Ishte lufta e vazhdueshme e diktaturës kundër intelektualëve dhe besimtarëve të vërtetë, që mbaheshin si njerëz të rrezikshëm për regjimin obskurantist komunist.
Hafiz Tasim Luniku rriti dhe edukoi 4 fëmijë (dy djem e dy vajza), të cilët mbaruan shkollën pedagogjike e përhapën dritën e arsimit në të gjitha anët e Shqipërisë. Edhe ata patën “hise” në trajtimin e babait. Diktatura u mundua ta nëpërkëmbë familjen e myftiut të respektuar, por nuk ia arriti qëllimit. Sot fëmijët e hafiz Tasimit janë që të katërt pensionistë dhe njerëz të nderuar në qytet. Ata kanë të drejtë të mburren me emrin e babait të tyre.