Nga Sefedin Dika, Cërrujë, Funar, Elbasan, 12.03.2014.

Gryka e Zaranikës fillon në periferinë veriore të Elbasanit e shtrihet përgjatë shtratit të përroit me të njëjtin emër, deri thellë në malësinë e Shëngjergjit midis Elbasanit dhe Tiranës. Këtë zonë e përbëjnë fshatrat Gurabardh, Bashabun, Letan, Rrilë, Bixille, Branesh, Preçë e Poshtme, Preçë e Sipërme, Cërrujë, Korrë, Mollagjesh, Stafaj dhe Krrabë e Vogël, të ndara në Komunën Bradashesh (fshatrat Gurabardh, Bashabun, Letan dhe Rrilë) dhe Komunën Funar.

Komuna e Funarit, në administrimin e së cilës gjenden pjesa më e madhe e fshatrave të kësaj Gryke, përbëhet nga 9 fshatra të cilët janë : Bixille, Branesh, Preçë e Poshtme, Preçë e Sipërme, Cërrujë, Korrë, Mollagjesh, Stafaj dhe Krrabë e Vogël. Nuk ka fshat me emrin Funar. Kjo komunë zë sipërfaqen prej 60.77 km2, nga të cilat 33.9 km2 janë pyje e kullota, 4.5 km2 është terren i zhveshur, 15.65 km2 është tokë bujqësore (ara e pemtari) dhe 6.72 km2 është sipërfaqe inproduktive.
Nga lindja kufizon me komunat Labinot Fushë e Labinot Mal, nga jugu me komunën Bradashesh, nga perëndimi me komunat Gracen, Krrabë (Skuter), Bërzhitë e Tiranës, ndërsa nga veriu me Shëngjergjin e Tiranës.

Largësia e qendrës së komunës së Funarit, Braneshi, nga Elbasani është 20 km dhe 68 km nga Tirana (duke kaluar nga Elbasani). Më në fund u bë lidhja rrugore Mollagjesh- Krrabë- Tiranë. Rruga akoma nuk është përfunduar, por gjithsesi shkurton shumë vajtjen në Tiranë. Zona e banuar fillon ne kuotën 280 m mbi nivelin e detit dhe shkon deri në lartësinë 1000 m, (lagja Domush, Cërrujë). Qendra e komunës ose fshati Branesh është në lartësinë 740 m lartësi mbidetare.
Maja më e lartë e krahinës së Funarit është Mali i Korrës 1417.5 m.
Nga Funari nisin rrjedhën e tyre tre përrej që janë :

  1. Zaranika me gjatësi 18 km. Buron nga Cërruja, ose më saktë nga Domushi i Cërrujës. Po aty në Cërrujë, Zaranika bashkohet me ujin e gurrave të famshme të lagjes Hanol dhe pastaj rrjedh me furi drejt perëndimit të Elbasanit. Në të shkuarën, gjatë sezonit të shirave në pranverë dhe vjeshtë, Zaranika me pjerrësi të madhe dhe shtrat të shkurtër e të ngushtë sillte shumë fatkeqësi dhe përmbytje në lagjet periferike të Elbasanit, si Karavelije, Asllanbej, Dautbej etj.
    2. Zalli i Korrës buron po nga Cërruja dhe vazhdon rrjedhën drejt perëndimit e në afërsi të Rozaveres bashkohet me Zallin e Kullojkës. Të dy vazhdojne rrjedhën e bashkohen me lumin Erzen, në Bërzhitë të Tiranës. Zalli i Korrës ka gjatësi prej 15 km.
    3. Kusha e merr ujin nga kullesat e kodrave gjatë shiut, si dhe nga shkarkimet e rezervuarëve të Funarit e më pas rrjedh drejt jugut ku bashkohet me Zaranikën në Katund të ri, Komuna Bradashesh.

Në Funar gjenden 4 rezervuarë artificialë, që janë ndërtuar në vitet 1967 dhe 1985. Të gjithë këta rezervuarë zenë sipërfaqen prej 70 ha dhe mbajnë volumin prej 5.5 milion m3 ujë. Me pak investime, kjo zonë mund të shndërrohet shumë bukur në zonë e turizmit ditor pasi klima e freskët, natyra mbresëlënëse dhe liqenet artificialë e mundësojnë më së miri këtë.
Bimësia e kësaj zone është e mjaft e larmishme. Ka shkurre (shkozë, mare, shqopë), e vazhdon me lisin, panjën, frashërin, gështenjën e pishën (të kultivuara) dhe ahun, Lisi zë sipërfaqen prej 2.200 ha, gështenja 137 ha, pisha 450 ha dhe ahu 370 ha.
Pemtaria ka në përbërje fikun, mollën, kumbullën, dardhën, qershinë e ullirin.
Ne Funar ka mjaft rrush të varieteteve të ndryshme, në varësi të lartësisë.
Perimet kultivohen pothuajse të gjitha.
Funari ashtu siç do treve ka historinë e tij. E keqja më e madhe është se unë nuk kam gjetur shumë dokumenta të shkruara. Këto që po shkruaj më shumë bazohen në gojëdhana, dëshmi dhe verifikime në terren.
Gjurmë arkeologjike të vendbanimeve të hershme ka në Cërrujë, Mollagjesh, Bixille, Korrë etj.

Interesant është se banorët e fshatrave të Grykës së Zaranikës (Gurabardh, Bashabun, Letan, Rrilë dhe Bixille) kanë traditë e këndojnë në festa këngët e bukura qytetare, shumë më herët se këto këngë të këndoheshin në vetë Elbasanin.