Grigor Kallajxhiu, siç e thërrasin shkurt Gori, lindi në lagjen “Shënkoll” të qytetit të Elbasanit, më 25 janar 1931. Rrjedh nga një familje qytetare, atdhetare e arsimdashëse shënkollase.

Vlerësime e kujtime me shumë mirënjohje e respekt vijnë për Grigorin, si mësues, koleg e drejtues nga mjedisi arsimor dhe qytetas, por dhe ngado ku punojnë e jetojnë bashëkohësit dhe nxënësit e tij. Kjo e lartëson edhe më shumë figurën e portretin e tij.

Mësimet e para të arsimit fillor i mori në qytetin e tij të lindjes, Elbasan.

Në vitin 1951 mbaroi studimet në shkollën Normale (duke ndjekur 3 vite të Kursit të ulët, Unike dhe 4 vite të kursit të lartë të Normales).

Në nëntor të vitit 1951 filloi studimet e larta pranë Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës, specialiteti Histori, studime të cilat i përfundoi me sukses në vitin 1953.

Në përiudhën 1956-1958 plotësoi paralelisht studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën Histori.

Në gusht të vitit 1951 u emërua mësues në rrethin e Gjirokastës, në fshatin Topovë të Zagorisë.

Në vitet 1953-1955 emërohet mësues i historisë në Teknikumin e Naftës në Kuçovë.

Në vitet 1955 dhe 1956 punon si mësues në Liceun e Korcës dhe në Teknikumin bujqësor “Irakli Terova”. i karakterizuar nga një ndërgjegje e lartë, pasion, korrektesë dhe përkushtim në  punë.

Në vitin 1956-1957 emërohet mësues i historisë pranë shkollës Normale, Elbasan.

Në vitin 1959 emërohet nëndrejtor në shkollën Normale, Elbasan dhe këtë detyrë e vazhdoi deri në vitin 1971.

Në vitin 1971 emërohet drejtor i shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” (Normale) dhe me këtë detyrë e mbyll rrugëtimin e tij si arsimtar deri me daljen në pension, më 25 janar të vitit 1986.

Mësues, Drejtues, Studiues dhe Hulumtues:

Gjatë gjithë jetës së tij aktive si mësues dhe drejtues ka qenë kërkues, ka refleftuar gjthmonë një shkallë të lartë profesionalizmi, i përkushtuar e i palodhur, studiues dhe hulumtues në arsim, si dhe në fushën e historisë dhe metodave, Në qendër të punës së tij si drejtues, ishte forcimi cilësor i shkollës, ruajtja e traditave të saj, edukimi i marrëdhënieve bashkëvepruese mësues e nxënës, përgatitja e mësuesve të rinj.

Si menaxher, Grigori shpalos disa vlera: marrëdhënie korrekte e ndihmëse me nxënësit e mësuesit, pasion e ndershmëri në punë, motivues për aksione e iniciativa, kompetent në drejtimin e problemeve të përmbajtjes  e cilësisë së procesit mësimor-edukativ, gjenerues idesh e mendimesh të reja për ristrukturimin e arsimit, çuarjes përpara të punës kërkimore-shkencore dhe në kualifikimin e kuadrit. Një kujdes të veçantë i kushton përgatitjes së mësuesve të ardhshëm. Kështu forcon bashkëpunimin me shkollën Ushtrimore, ku drejtonte “Mësuesi i Merituar” dhe drejtues i spikatur z. Enver Delimeta. Mbështeste dhe motivonte  ndjekjen e praktikës mësimore të kandidatëve për mësues në qytet e fshat nga tërë trupa mësimore e shkollës. Në axhendën e tij, një vend të veçantë zinte puna për ruajtjen dhe çuarjen më tej të traditave të shkollës nëpërmjet aktiviteteve përkujtimore, takimeve mes brezave normalistë, sesioneve shkencore e botimeve në shtypin e përditshëm periodik. Në periudhën që drejtoi shkollën pedagogjike u organizuan disa seminare kombëtare e lokale.

Një pjesë të kohës së punës si drejtor, ia kushtoi punës në ekip për krijimin e kushteve dhe një mjedisi sa më të mirë për zhvillimin cilësor të procesit mësimor-edukativ në të tërë komponentët.

Drejtoi punën me grupet e mësuesve të shkollës për të mbledhur në rrethe materiale lidhur me kontributin e normalistëve si mësues si dhe për hulumtime në shtypin e kohës për botime të normalistëve dhe për Normalen, duke u reflektuar në  rikonstruktimin e Muzeut të Normales (falë punës historike të  mësuesit të palodhur Genc Trandafili).

Njëherazi, përgjatë punës si drejtues por edhe mësues lënde, Grigori është marrë me studime me karakter pedagogjiko – shkencor dhe është autor i shumë temave, kumtesave, studimeve të botuara në shtypin e kohës, lokal dhe kombëtar.

Këtë veprimtari si studiues Grigori e vazhdon edhe pas daljes në pension, ku publikon periodikisht mendime të tij lidhur me rolin e Shkollës Normale në vite, ruajtjen e traditës së saj; kontribute të figurave të njohura të arsimit elbasanas e kombëtar apo patriotë e luftëtartë të shquar, duke ju referuar materialeve e botimeve shkencore si dhe përvojës së gjatë me bashkëkohësit e tij.

Një kujtësë e gjallë, admiruese, e bazuar në fakte e një mendim i drejtpërdrejtë qytetar e karakterizon Grigorin edhe sot. Është kënaqësi biseda me të.

Në 1974 në studimin e tij me temë “Juigj Gurakuqi – drejtor i parë i shkollës Normale”, kumtuar në Tiranë e Shkodër, vlerësohen vlerat, rëndësia, roli dhe kontributi i kësaj shkolle si e para shkollë shqipe për përgatitjen e mësuesve për mbarë trevat shqiptare.

Si studiues dhe hulumtues në fushën e historisë dhe metodave të mësimdhënies, më 1973-1974 u përzgjodh nga Ministria e Arsimit si autor për hartimin e tekstit mësimor të “Historia e Kohës së Re”, botuar në vitin 1975.

Botim, Grigor Kallajxhiu, (1975): Autor i tekstitHistoria e Kohës së Re”,  (tekst mësimor i cili u përdor disa vite në mësimdhënie në shkollat pedagogjike).

Gjatë punës si drejtues, punon edhe me grupe pune për tema të ndryshme studimore me karakter pedagogjik e didaktik si “Mbi disa probleme të zhvillimit të shkollës në ciklin fillor dhe detyrat që dalin sot” – me mësueset e ciklit fillor Fiqerete Shkodra dhe Jalldyz Latifi.

Me rastin e 70-vjetorit të shkollës Normale në vitin 1979, kumtoi në Konferencën shkencore Historiko – Pedagogjike  për Normalen “ Shkolla Normale – vatër e rëndësishme e përgatitjes së kuadrit pedagogjik”.

100 vjetori i Mësonjëtrores së parë shqipe, Korçë, kumtesa me titull “Mbi kontributin e shkollës Normale në fushën e arsimit”

Në 23 mars 2001 boton një monografi të përmbledhur me titull “Vasil Kamami – figurë e nderuar e arsimit tonë kombëtar”.

Gazeta Elbasani, (nëntor 2009): botim artikull “Shkolla Normale dhe kontributi i saj”, me rastin e 100 vjetorit të shkollës Normale,

Gazeta “Kushtrim Brezash”, botim artikull “Mbi veprimtarinë e Organizatës së Pionerit- Debatikas të lagjes Shënkoll”.

Gjithashtu, ka shkruar në shtypin e kohës: “Aktiviteti i Mësuesit të Populit, Vasil LLapushi”, “Vasil Kamami, drejtori më jetëgjatë i Normales”, “Portret i piktorit të Popullit, mësuesit të Normales Bukurosh Sejdini”; ka kontribuar në botimin e Historikut të Brigadës 17 Sulmuese; Çetës Dumresë; dorëshkrim për dëshmorin Toma Kalefi; mësuesin e Normales Abdyl Kajanaku (mbresa e kujtime nga puna e mësuesit të pedagogji-psikologjisë dhe praktikës pedagogjike) etj.

Shumë publikime mund të gjenden tek shtypi lokal apo kombëtar, Gazeta Mësuesi; Zëri i Popullit; Gazeta Elbasani, InfoElbasani apo si dorëshkrime në ndihmë të studiuesve të ndryshëm.

Në proces punimi për botim “Ditari i shkollës sime – Një jetë”.

Drejtori Grigor Kallajxhiu (në mes të fotos), në vitin 1978, dalë me maturantët e vitit 1928, me rastin e 50 vjetorit të maturës.

Ai ishte gjithmonë aktiv, vlerësues dhe komunikues në bashkëveprim.

Shumë bashkëkohës, mësues, ish-nxënës, prindër,  kolegë, jo vetëm në Elbasan por në të gjithë zonat ku ata jetojnë e kontribuojnë si mësues, deri edhe nxënës e mësues nga Kosova  bartin dhe përcjellin kujtime, mesazhe urimi në ditën e mësuesit, mbresa gjatë takimeve të brezave; shpesh  shkruajnë  vlerësime për shkollën Normale, mësuesit e saj  dhe për Grigorin në veçanti.

Gjithmonë, për Grigorin si racional dhe kurajoz në dhënien e mendimeve, energjik dhe i drejtë, ndërtues  i marrëdhënieve njerëzore, me iniciativë dhe me prirje për të arrtitur sa më shpejt të renë dhe progresin, zgjidhës i situatave dhe ndërtues i raporteve të drejta dhe bashkëpunuese në kolektiv, i komunikueshëm dhe i afërt me nxënësit e kolegët e tij.

Grigorin, e mbajnë mend si një drejtues të suksesshëm, ndihmues të procesit mësimor dhe edukativ, me një aftësi të lartë profesionale.

Grigorin e gjallë dhe energjik në vitet e punës e gjeje gjithmonë midis nxënësve dhe mësuesve në të gjitha veprimtaritë shoqërore, në aksionet kulturore, , në ndërtimin e godinës së  Konviktit  të shkollës pedagogjike “ Luigj Gurakuqi” Elbasan në vitin 1971, në aksionet rinore Jonufër – Vlorë, Shën Vasil (Sarandë), në ndërtimin e hekurudhës Elbasan – Pogradec, në brigadat kulturore etj. Në kohë të lirë, aktiv e sportiv e shihje bashkë me shokët dhe djemtë e tij duke ndjekur pasionin e peshkimit.

Me modesti, Grigori gjithmonë shprehet se në detyrën fisnike të mësuesit dhe me përgjegjësi të të drejtuarit të shkollës nuk është ndjerë asnjëherë vetëm, nuk e kupton veten edhe sot të shkëputur nga kolektivi me të cilin ai punoi, pa mbështetjen dhe ndërveprimin me atë kolektiv të nderuar përgjatë jetës së tij në atë shkollë.

Kështu, kushdo e kujton krenar punën e jetën në atë komunitet arsimor me vlera kombëtare e më gjerë, bashkëpunimin në atë institucion arsimor kombëtar të admirueshëm për kohën.

Për këto vlera kombëtare dhe një trashëgimi të lënë pas për brezat, punoi edhe Grigori me të gjithë bashkëpunëtorët e tij të nderuar të arsimit shqiptar.

Grigori krijoi edhe një familje qytetare, intelektuale të konsoliduar e shembullore me zj. Olimbi Kallajxhiu (Jorgaqi), edhe ajo normaliste, që vinte nga një familje qytetase e nacionaliste e Elbasanit.

Grigor Kallajxhiu ndërroi jetë më 27 shkurt të vitit 2020.

Ka pasur një veprimtari aktive e qytetare si:

  • Anëtar i Shoqatës “Normalisti”
  • Nënkryetar i parë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, të rrethit Elbasan (tetë vite).
  • Anëtar i Kryesisë së Komitetit të Veteranëve të LANÇ, të rrethit Elbasan.
  • Konferenca e rrethit e Veteranëve të LANÇ, të rrethit Elbasan prej vitesh e deri më sot, e ka zgjedhur si anëtar (kryetar) i “Këshilli i të Urtëve”.

 Publikime të studiusve e bashkëkohësve për Grigor Kallajxhiun:

Xhevat Domni, Gazeta Elbasani (nëntor 2009): “Grigor Kallajxhiu-Mësues i pasionuar dhe drejtues  i suksesshëm i shkollës Normale gjatë viteve 1956 deri 1986”.

Stefan Bebi, Gazeta InfoElbasani, (mars 2016):Mësuesi  dhe Drejtori  Veteran i Normales së Elbasanit, Grigor Mina Kallajxhiu”.

Bajram Durmishaj, Gazeta “Kushtrim Brezash” (prill 2016) “Grigor Kallajxhiu-85 vjetori i lindjes”.

Arkivi Digjital i Elbasanit, Portrete, (2018): Grigor Kallajxhiu- ish drejtor i shkollës “Luigj Gurakuqi”.

Për më shumë, mund t’u referohemi materialeve në Muzeun e Shkollës Normale, publikimeve të studiuesve apo kujtime të kolegëve, bashkëkohësve, ish-nxënësve.