“Nji dorë trokiti ke porta e banesës s’ime: dola për të pamë kush ishte e s’gjeta njeri. Por tue hudhun sytë këndej hetova tanë këta njerëz e m’u ba se kjo trokitje kishte nji fuqi simbolike, prandaj vrapova dhe redha këtu. Haxhi Vehbiun e kam njoftun si nji nga të parët kryetarë shpirtnuer, qe i pari që u dha dorën të Krishtenëve tue u thanë se e ndjekin besimin që na kanë kanë trashëgim të parët, porse kudo në jetën tonë jemi vllazën të pandashëm. Unë sot po thyej pengesën e mosmarrjeve pjesë nga ana jonë në ceremoni të tilla: na jemi vllazën. Myslimanizmi shqiptar duhet të jetë krenar që pati në gjinin e vet burra si i ndjeri: uroj nga zemra që të vazhdojë të ketë të tillë. Ai po ju len juve, shokë të klerit mysliman, idealin e tij që po forcohet dita ditës: Haxhi Vehbiu asht nga ata që i pjell rrallë koha. Ai tashti prehet i sigurtë se misioni i tij atdhetaro-fetar qëndron ndër duer të mira si të juejat.

Haxhi Vehbi Efendi Dibra do të mbesi i paharruem në historinë e Shqipnisë së Re edhe në pikëpamje tjetër: asht i pari kryetar i fesë muhamedane në Shqipni i cili, tue qenë prej origjine i Shqipnisë s’Epërme, respektohesh, simpatizohesh që në kohnat kur nuk ishte brumëzue mirë si sot bashkimi i plotë kombëtar, respektoshesh dhe simpatizohesh si prej shqiptarëve të Jugut ma të largët të Shqipnisë ashtu edhe prej atyne të Veriut ma të epërm, si prej të krishtenëve dhe prej muhamedanëve. Kohnat në të cilat jetojnë dhe sundojnë punët e fesë Muhamedane në Shqipni ishin kohnat e sëmundjeve shoqnore që kalojnë gjithë kombet kur janë formue rishtas si shtet, dhe personalitetet e ndershme ose bajraktarët dhe kombet janë në përpjekjet e tyne ma promitive dhe gjithësecili prej tyne ka dëshirë e mundohet me e ba për vete të parin e fesë për me forcue pozitën ose për me realizue qëllimin e vet. Sa punë e vështirë, sa punë e madhe asht që të qëndrojë i pari i fesë i paanshëm por edhe që t’i bajë të gjithë ta nderojnë e ta duen, por edhe të gjithë ta ndigjojnë!

Lypset të pranojmë se duhet nji diplomaci dhe politikë e fortë, nji ideal ose Atdhetari e madhe, që vetëm feja e ka ose e jep, për me mujtë prijsi i fesë t’jetë dhe të qëndrojë i patundun por edhe që t’imponohet të gjithëve. Sa i naltë e sa i madh ishte miku ynë i dashtun Haxhi Vehbi Dibra! Kur ecte, kur bisedonte, kur qëndronte në mes të miqve dhe mysafirëve i bante të gjithë pa ndryshim feje ta duen e ta respektojnë: nuk bani kurrë demagogji, as reklamë, por vetëm detyrën e tij fetaro-kombëtare si nji muhamedan i mirë si u tha prej të tjerëve, por edhe si nji shqiptar i mirë, edhe si nji filozof i zoti i punëve shoqnore.

Në asnji tallaz nuk u përkul dhe për as nji mik nuk u kursye, dhe në asnji politikë nuk u trazue, si asht fare e lehtë ose natyrale për çdo kryefetar dhe sidomos në kohnat e brumëzimit të parë social-fetar-politik dhe patriotik në Shqipni; jo se ishte miku jonë personal, por pse ishte edhe nji njeri i tillë, edhe ne pamë të arsyeshme me mos kursye por me guxue dhe me shqetësue pak këtë mbledhje të hirshme me fjalët tona në këtë vend shumë të ndershëm ku prehen eshtnat e të dashtunve tonë vllezën në kombësi, sado që për të parën herë ndofta jo vetëm në Shqipni por ndofta edhe në të gjithë botën, për të parën herë flet nji kryeprift kristjan ortodoks në vorrin e nji kryehoxhe Muhamedan. Nuk ka ma trashëgin të çmueshëm se karakteri i këtij burri për bir të tij që le mbrapa njerëz të meritueshëm”.