Në fund të nëntorit të vitit 1939 përfundonin mësimet në shkollën unike të Martaneshit. Në zonat e thella malore, shkollat ishin verore, mësimet fillonin më 1 mars dhe përfundonin me 30 nëntor, por zakonisht shkolla mbyllej më 28 nëntor, ditën e festës se pavarësisë, e cila kremtohej me një ceremoni të thjeshtë, që fillonte me ngritjen e flamurit të çetës patriotike të Martaneshit, atë flamur, të cilin malësorët e kishin trashëguar nga viti 1912 dhe që e ruanin me krenari, dashuri dhe me fanatizëm. Gjatë festës të flamurit, Baba Faja iu dhuronte këmisha të kuqe të të gjithë nxënësve, këmisha të kuqe si flamuri ynë kombëtar.

Flamuri, që ngrihej më 28 nëntor në shkollën e Martaneshit, ka një histori të lavdishme. Ai ishte flamuri i çetës së Martaneshit gjatё viteve tё luftёs kundёr pushtuesve osmanё. Flamurin e çetes te lirise e kishte Murat Zhaboli, komandant i komitave martaneshas nё vitet 1911 – 1913, në kryengritjen e përgjithëshme për pavarësi dhe kundër shovinis-tëve malazezë, që sulmuan me ushtri, për të marr Shkodrën. Për ekzistencën e flamujve kombëtar në Martanesh, dëshmon dhe Themistokli Pollo, i cili në gusht të vitit 1912, gjatë udhëtimit për në Elbasan, u ndal në Martanesh, ku bujti në Teqe te Baba Hajdarit dhe për bisedat me malësorët, në kujtimet e tij shkruan: “Martaneshasit mikpritës kishin flamurin tonë, por më kërkuan t’iu dërgoja flamuj të tjerë dhe abetare”. (45) Çdo vit, ditën e festës së pavarësisë, pjestarёt e familjes Zhaboli e sillnin në shkollë dhe e ngrinin flamurin e kuq me shqipe dy krenëshe të çetës së lirisë të Martaneshit, të komanduar nga Murat Zhaboli. Në kët ditë feste, në oborrin e shkollës mblidheshin nxënësit, prindërit e tyre, mësuesit dhe shumë e shumë malësorë. Ditën e 28 nëntorit 1939, mёsuesi Hysen Vrapi, që ishte sekretari i Partisë Fashiste për trevën e Martaneshit, dhe kryetari i Komunës, insistuan të ngrihej flamuri i miratuar nga qeveria fashiste Shqiptare, por këtë tentativë e kundёrshtoi populli, prindërit, nxënësit dhe ne menyre te veçante mësuesit Mahmut Çaushi, Ibrahim Doraci, Sabri Skilja dhe Ymer Myzyri. Malësorët e pranishёm ngritën flamurin e Martaneshit e së bashku kënduan hymnin e Flamurit. Ky flamur i çetës së Martaneshit i vitit 1912, u ruajt nga familja Zhaboli deri në 5 tetor të vitit 1942, kur Milicia Fashiste dhe karabinierët italianë, ua dogji shtёpinё dhe me gjithë përpjekiet pёr ta shuar zjarrin, nuk mundën të shpëtojnё as mallin, as teshat e as arkën ku e ruanin flamurin. Martaneshi kishte dhe një tjetër flamur, që e ruante Rrem Çela, ishkomandanti i çetës të komitëve martaneshas në vitet 1908 – 1911. Më 16 dhjetor 1942, kur çeta partizane e çliroi trevën e Martaneshit nga regjimi fashist, partizanët e ngritën këtë flamur në fshatin Peshk, në shtëpinë e Zenel Dedës.

Një flamur të kuq me shqiponjë dykrenëshe e ruante dhe Myslim Grrica. Ky ishte flamuri i çetës së lirisë i vitit 1909. Myslimi e ruante dhe e shpaloste flamurin në ditët e festës së pavarësisë.

Kёto tre flamuj të çetave patriotike tё Martaneshit, kane “humbur” por nuk jane harruar dhe nuk eshte shuar jehona e lavdise te flamujve me shqipe dykrenёshe, qё u valvitёn nga komitёt nё fushat e betejave kundёr hordhive turke, kundër serbëve dhe kozakëve, kundër turkoshakëve të Haxhi Qamilit, kundër austriakëve, kundër malazezёve në Shkodër, kundër serbëve dhe zogistëve, që rrëzuan qeverinë demokratike te Fan Nolit, si dhe kundër pushtuesve nazifashistë me bashkëpunëtorët e tyre.

Pak histori, për flamujt dhe çetat e lirisë të Martaneshit.

Prej disa dekadash, opinioni shqiptar ndjek debatin kush e ideoi, kush e solli, kush e qёndisi, kush e riprodhoi flamurin, që u ngrit mё 28 nëntor 1912 nga Ismail Bej Vlora, atë ditë të bekuar, kur Shqipëria e vogël u shpall shtet më vehte. Kuptohet, flamuri i kuq me shqiponjë dy krenëshe, që u ngrit në Vlorë, nuk ishte as i pari dhe as i vetmi, pasi shumë vite më parë, kanë ekzistuar flamuj të kuq me shqiponjё dykrenëshe, flamuj që ruheshin nga shumë familje patriote shqiptare para shpalljes së pavarësisë, ndër të cilët rikujtoj flamujt që mbanin Said Najdeni, Eqerem Bej Vlora, Faik Konica, (45.a) ashtu si dhe flamuri që ngriti Ded Gjon Luli në Deçiq në prill të vitit 1911 etj, etj (46).

 

Flamuri i Said Naidenit

Flamuri i Said Naidenit

Flamuri i Ded Gjon Lulit,i ngritur në Deçiç më 6 prill 1911.

Patrioti i shquar Faik Konica, në vitin 1897, duke iu referuar veprave të dy humanistëve Barletit dhe Lavardin shkruan: “Ne shqiptarët e kemi trashëgim flamurin e Skenderbeut, flamurin e kuq me shqiponjë ngjyrë të zezë dy krenore”. (45)

Këtë shqiponjë, në vitin 1897, Faik Konica e vendosi në kopertinën e revistës “Albania”, e cila fillimisht botohej në Bruksel e më pas, deri në vitin 1909 në Londër.  Nё arsenalin e flamujve të shumtë shqiptarë, pra krahas flamurit që Ismail Bej Vlora ngriti në Vlorë më 28 nëntor 1912, është flamuri që ngriti Aqif Pasha në Elbasan me 25 Nëntor 1912, ashtu si flamujt e kuq me shqiponjë dykrenëshe të Martaneshit, qё u mbajtën lart dhe u valvitёn nga komitёt e çetave të lirisë të Martaneshit në vitet 1900 – 1912, nё betejat kundër turqëve, kundër serbëve dhe malazezëve.

Nuk e dimё emёrin e nёnёs apo të vajzёs, qё e qendisi shqiponjёn me flatrat e hapura nё fluturim; nuk i dimё vitet e sakta, nuk e dimё nё se u qendis e njёjta shqiponjё nё tё tre flamujt e Martaneshit dhe nё se qendisën edhe flamuj tё tjerё, por është bindëse se flamujt ishin akte dhe fakte etnikisht shqiptare, akte patriotizmi të martaneshasve, sepse tё tre ishin si flamuri i Skenderbeut dhe i prinё malёsorёve nё betejat heroike pёr liri dhe pavarёsi nga Perandoria Osmane.

Flamuri, që ngriti Aqif Pasha në Elbasan, më 25 nëntor 1912 dhe në pervjetorin e parë të pavarësisë më 28 nëntor 1913.

E theksoj me krenari: Martaneshi, nё vitet 1870 – 1912 kishte tre flamuj të kuq me shqiponjёn dykrenёshe, flamuj të njohur publikisht, nё ndryshim nga trevat e tjera fqinje, ku bajraktarёt ende vazhdonin të mbanin flamurin me gjysёmhёnёn turke.

Është fakt historik, tre flamujt e kuq me shqiponjë dy krenëshe, janë mbajtur me nder nga komitat e çetës së Martaneshit, nё luftime heroike kundër pushtuesve turqë, ku u shquan: Dan Bala, Mahmut Leka, Selman Mali, Staf Çakalli, Sheh Fejza, Elmaz Fejza, Sul Zhaboli, Maksut Kenga, Selman Leka, Staf Deliu, Haki Mema, Baba Jashar Krena, Baba Hajdari, Sali Gaçi, Kasem Pepa, Mustafa Bala, Selim Peshku, Murat Zhaboli, Abaz Demiri, Zenel Bami, Deli Musta, Rrem Çela, Osman Bala, Abdi Imerri, Ali Gurra, Haxhi Lena, Osman Çela, Selman Keta etj.

Veprat e kёtyre luftёtarёve tё lirisё, janё pёrjetёsuar nё shumë kёngё trimёrie dhe në ballada, që këndohen edhe në ditët e sotme, si ballada e Dan Balës (këndohet nga Shkodra, në Kosovë, Kukës, Dibër, Martanesh dhe deri në Çamëri), kënga “Martaneshi, s’duron pashë e s’duron vezir”, kënga “Çohi djema shaloni atin”, këngët për kapedanët Sul Zhaboli, Deli Musta e Selman Keta etj.

Aktet heroike të patriotëve martaneshas në luftat për pavarësinë nga Perandoria Otomane, kontributet në hapjen e shkollave shqipe, përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar, jetojnë në memorien popullore, që i ka përjetësuar në ballada, në këngë epike dhe patriotike, në rrëfenjat e shumta, që evokojnë trimëritë e ketyre malësorëve. Vepra e tyre patriotike meriton vend nderi në historinë e trevës dhe të vendit tonë. Kalemxhinjt e politizuar, ata që pretendojnë se shkruajnë histori, i kanë harruar emrat e patriotëve martaneshas, nuk i kanё vёnё nё librat dhe as në tekstet e historisё të shkollave.

Natyrisht ky veprim nuk është harresë e thjeshtë, por qëllimkeqe. Historianët nuk mund t’i fshehin veprat e patriotëve martaneshas, sepse ata janë figura tё shquara nё historinё e lavdishme tё luftёs pёr pavarёsi tё kombit shqiptar.

28 nëntori është festa e pavarësisë, por populli ynë e quan festa e flamurit. Martaneshasit, pjesmarrës dhe protagonista të pavaresise, e kremtonin rregullisht festën e flamurit, si ditë e shënuar e historisë të popullit tonë dhe me krenari nderonin luftat e viteve 1900 – 1912. Çdo 28 nëntor, në qendër të trevës ngrinin flamujt e kuq me shqipe dykreneshe të çetës patriotike të Martaneshit. Deri në vitin 1942, ata kishin flamurin e ruajtur nga familja Zhaboli dhe me pas flamurin, që ruante Muharrem Çela. komandanti i çetës të komiteve martaneshas në vitet 1908 – 1910.

Ky flamur ka histori të lidhur me luftat për pavarësi, por dhe me përpjekiet për dituri, kulturë dhe hapjen e shkollave të gjuhës shqipe.

Me iniciativёn e shoqёrisё “Bashkimi”, nё shtator tё vitit 1909 u mblodh Kongresi i Shkollave Shqipe, i quajtur Kongresi i Elbasanit, i cili vendosi hapjen e Normales, e para shkollё e mesme në gjuhë shqipe, e cila në vitet në vazhdim përgatitit mijëra mësues. (43) Kongresi u mblodh nё situatë tё tensionuar nga politika antishqiptare e xhonturqёve, tё cilёt jo vetëm nuk i mbajtёn premtimet, por i shtuan masat shtypёse ndaj shqiptarёve dhe kryengritёsve. Nё kёtë atmosferë te nderlikuar, në gusht tё vitit 1909, Aqif Pasha thirri çetën e Martaneshit, tё cilёn e ngarkoi me detyrё tё mbronte delegatët dhe zhvillimin e punimeve të kongresit tё Elbasanit. (44) Flamuri i çetës te Martaneshit dëshmohet në shume dokumenta të rilindasve, si dhe në një fotografi te vitit 1909, e botuar në një revistë franceze, me një shkrim dedikuar kongresit të Elbasanit.

Në qendër të kësaj fotografie janë Dervish Biçaku, Mit-hat Frashëri, Myftiu i Elbasanit, disa delegatё të kongresit dhe nje grup komita martaneshas, që mbajnë flamurin e kuq me shqiponjën dykrenëshe, pra pikërisht flamurin e çetёs tё Martaneshit, atë qё e ruajti Rrem Çela.


Disa pjesёmarrёs nё Kongresin e Shkollave Shqipe në Elbasan në vitin 1909. Në qendër janë Dervish Biçaku, Mit-hat Frashëri, Myftiu i Elbasanit, disa delegatё të
kongresit dhe nje grup komita martaneshas, që mbajnë flamurin e kuq me shqiponjën dykrenëshe i çetës së Martaneshit. Kjo fotografi është botuar në njё revistё franceze nё vitin 1909, ku autori komenton dhe flamurin e kuq me shqiponjёn dy krenёshe.

Çeta e lirisë e Martaneshit dhe Pavarësia e Shqipërisë.

Kryengritja e Përgjithëshme e vitit 1912, e gjeti Martaneshin vatër të ndezur të luftës antiosmane. Çeta e Martaneshit, bashkë me çetat e Shpatit, të Dumresë dhe të Strugës, ishin më aktivet nё Vilajetin e Manastirit në luftën për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. (47, 48)

Patrioti Hasan Prishtina, në memorialin dedikuar shpalljes se pavaresise se Shqiperise: “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare tё vjetit 1912”, (48) ndër shumë dokumenta përfshinë dhe letrёn e Nënkolonel Ismail Haki Tatzati, i cili tregon pёr aktivitetin patriotik të çetёs së Martaneshit.

E konsideroj me rëndësi historike për Martaneshin, që disa pjesë nga kjo letër t’i prezantoj në vazhdim:

Shkodër, me 15. 6. 1921

Fort të ndertit Zotni

Zot. Hasan Beg Prishtinës Deputet i Dibrës në Shkodër.

“Kam marrë vesht, se Zoteria e Juej jeni tue gatue nji broshurë mbi ndodhinat e kryengritjes shqyptare në vjetin 1912.

Ju lutem të keni mirësin m’e pranue edhe ket pjesën teme e m’e shti në broshurën e siperthanun; mbassi ka të bajë me kryengritjen qi bahet fjalë.

Në vjetin 1912, me qëllim për m’u bashkue me kryengritjen e Kosovës, kjemë nisë prej Elbasanit: Ymer Bej Ohri, unë (atë herë ishe kapitan), Ahmed Dakli e shumë atdhetar të tjerë e të gjith së bashkut u bamë kund 40 vetë qi patëm formue nji komitë dhe kjemë mbledhë në katundin Martanesh; vend i permetueshëm për të sjellun të komitës. Këtu kje bashkue me ne edhe Zoti Ismail Haki Libohova, kapiten, i cilli kishte ikë prej Dibre. (49)

Sipas shkrimeve të Hasan Prishtinës (udhëheqës i kryengritjes mbarë-popullore në vitet 1911 – 1912) dhe kujtimeve të Ismail Tatzati, rezulton se nё kёtё atmosferё mobilizimi kombёtar kunder pushtuesve osmane, disa nga paria e Matit dhe nga paria e Dibrёs, nuk kishin pranuar tё shpallej pavarёsia e Shqipёrisё, por donin vetёm autonomi nёn varёsinё e Perandorisё Osmane. (48, 49)

Kundër pavarësisë ishte dhe Ahmet Zogu, i cili u bashkua me mikun e tij, me gjeneralin turk Ibrahim Pasha, i dërguari i Portës së Lartë për të shtypur kryengritjen e popullit shqiptarë. (50)

Qendrimet filoturke të parisë të Matit dhe të Dibrës, rrezikonin të tërhiqnin pas vehtes dhe paritë e fushës së Tiranës dhe të Durrësit, andaj pёr të parandaluar ndërlikimin e situatës, Ismail Bej Vlora dhe Aqif Pashë Elbasani, dёrguan në Martanesh Irfan Numan Beun (nipi i Aqif Pashёs) dhe Ahmet Daklin, të cilët i kёrkuan parisё të kësaj treve patriote, tё ftonte parinё e Matit dhe tё Dibrёs, për t’i bindur tё bashkoheshin me kryengritjen e përgjithëshme pёr pavarësinë dhe shpalljen e Shqipërisë shtet mëvehte. (51)

Takimi u zhvillua në Martanesh në gusht 1912.

Pas shume debatesh, pjesa më e madhe e parisë së Dibrës, pranoi dhe u bashkua me kryengritjen e përgjithëshme, për çlirimin e Shqipërisë nga robëria pesë shekullore osmane, ndërsa shumica e parisë së Matit me në krye Zogollët, që donin vetëm autonominë në varësi të Sulltanit, nuk pranuan të bashkohen me kryengritësit.

Qёndrimi i parisё tё Martaneshit, i shqetёsoi komandat turke të kazave tё Matit dhe tё Dibrёs, të cilat reaguan me urgjencë, duke dërguar dy batalione ushtarësh kundër popullit të Martaneshit.

 

Ushtë asqeri turk dhe shtizë e flamuri turk, trofe e fitoreve të komitave martaneshas, në betejat kundër pushtuesve osmanë. Këto relike janë në pronësi të Xheladin Koxherrit.                                                                          

Javёn e parё tё shtatorit 1912, nënprefekti i Matit, kapiteni Esad Beu, me njё batalion ushtarësh turq dhe dy topa fushor, marshoi drejt Martaneshit, por çeta e komitёve iu doli para dhe i thyen forcat turke në livadhet e Skenderit. (47, 49) Edhe nënprefekti i Dibrës dёrgoi një batalion ushtarësh turqë, tё cilët ndeshёn nё rezistencёn e çetёs të Martaneshit. Në betejën e zhvilluar në livadhet e Luçanës, ushtria turke u shpartallua dhe u kthye nё Peshkopi, ndërsa komandanti i tyre kapiten Ismail Haki Libohova, u bashkua me kryengritësit. (46, 47, 49) Pas kёtyre dy betejave, çeta e Martaneshit u ngjit në Ballejë. (47)

Të nesërmen, arrijti mesazhi i Aqif Pashës, i cili i urdhëronte të zbrisnin sa më shpejt në Elbasan, ku po mblidheshin tё gjitha çetat e komitёve tё Sanxhakut tё Elbasanit. (47, 49) Nё shtator 1912, me iniciativёn e Aqif Pashёs, në Byshek të Elbasanit u mblodhën mbi 2000 komita të çetave të lirisë, që vepronin në Sanxhakun e Elbasanit, si Çeta e Martaneshit me komandant Murat Zhabolin, Çeta e Dumresë me komandant Irfan Numan Beun, Çeta e Byshekut me komandant Ahmet Daklin, Çeta e Shpatit me komandant Sif Nosin etj.

Qëllimi i këtij tubimi ishte të bashkoheshin të gjitha çetat, nё njё njesi të vetme luftarake, për të sulmuar garnizonin turk, institucionet e administratës turke të kazasë dhe të Sanxhakut të Elbasanit. Këto çetat të bashkuara, Aqif Pashë Elbasani, i pagëzoi me emёrin Çeta e Martaneshit. (48, 49, 51) Komandant u caktua Sheh Hysen Sulova. (48, 51) Vendimin, që kjo forcë e bashkuar komitësh, të quhej çeta e Martaneshit, Aqif Pashë Biçaku e bazoi në faktin, se çeta e Martaneshit ishte më e vjetra jo vetëm e Sanxhakut, por dhe e Vilajetit të Manastirit, si e kanë theksuar Aqif Pasha dhe Hasan Prishtina, ajo ishte çeta më e shquara në luftimet kundër pushtuesve osmanë. (49, 52)

 

Kapedani Murat Zhaboli, komandanti i çetëstë Martaneshit. Fotografi e vitit 1902 e Albert LouisHugo Grothe (1869 – 1954).

Çeta e Martaneshit në Byshek, nё shtator të vitit 1912.
(Fotografi e Foti Papajanit e ruajtur në koleksionin e Lef Nosit)

Më 24 nëntor 1912, Çeta e Martaneshit, rrethoi garnizonin turk tё Elbasanit. Komanda dhe ushtria turke të bllokuara brenda gazermës, ishin të pafuqishëm të ragonin kundër komitëve te bashkuar, të cilët me flamurin me shqipen dy krenёshe në krye, hynё tё armatosur dhe triumfues në qytetin e Elbasanit, kaluan para ushtrisë dhe autoriteteve turke të Sanxhakut. (49, 52)

Me këtë akt trimërie, luftëtarët e lirisë e ngrijtën lart moralin politik dhe ndërgjegjien kombëtare të popullit të Elbasanit.

Në muajt tetor – nëntor 1912, kur Kryengritja e Pёrgjithёshme po konkretizohej drejt shpalljes së pavarёsisё së Shqipërisë, situata u ndërlikua nga ndërhyrjet brutale të ushtrive serbe, greke dhe malazeze, qё vёrsulën tё pushtojnë trojet shqiptare. Mё 24 nёntor 1912, ushtria serbe pasi mori Ohrin, Strugёn, arrijti nё Qukёs dhe po marshonte kërcënuese drejt Elbasanit. Ushtria malazeze, mё 11 tetor 1912 sulmoi Shkodrën dhe e mbante të rrethuar. Në jug, grekёt morёn Janinёn e Kosturin dhe rrethuan Korçën.

Patrioti Foti Papajani, me veshje karakteristike të Shpatit dhe kapedani Man Bala (Osman Bala nga Vali i Martaneshit),
në nëntor 1912 në Byshek. Fotografi e Lef Nosit.

Nё kёto rrethana tё vёshtira, Aqif Pasha kreu një akt të lartë patriotik dhe atdhedashurie. Mё 25 nёntor 1912, Aqif Pasha, ngriti flamurin e pavarёsisё nё Elbasan dhe menjëherë e njoftoi Ismail Bej Vlorën, me telegramin e firmosur nga 37 patriotёt, pёrfaqёsuesit e popullit tё Sanxhakut të Elbasanit, tё cilёt deklaruan shpalljen e Pavarёsisё dhe krijimin e Shtetit Shqiptar. (49, 52)

Pёr tё pёrballuar sulmin e serbëve kundër Elbasanit, Aqif Pasha u detyrua ta anulloi udhëtimin për nё Vlorё, pra nuk shkoi e nuk mori pjesë nё Kuvendin Kombёtar tё shpalljes sё Pavarёsisё, por organizoi çetat e komitёve dhe vullnetarëve, pёr mbrojtjen e Elbasanit nga sulmet e ushtrisë serbe, qё po cёnonte pavarёsinё e Shqipёrisё tё saposhpallur vend sovran dhe i pavarur. (49, 52)

Më 28 nëntor 1912, ndërsa në Vlorë u ngrit flamuri kombëtar dhe po festohej shpallja e Pavarësisë, disa nga pjesët periferike të Shqipërisё tё brishtё e tё porsalindur, u pushtuan nga ushtritё greke, serbe dhe malazeze. (53, 54)

Në këto rrethana të ndërlikura, Aqif Pasha urdhëroi, qё pjesa më e madhe e çetёs tё Martaneshit, e komanduar nga kapedani Man Bala nga Vali i Martaneshit, të shkoi në Labinot, për të ndaluar marshimin e ushtrisë serbe drejt Elbasanit, ndërsa pjesën tjetër komanduar nga Murat Zhaboli dhe çetën e Byshekut te komanduar nga Ahmet Dakli, i dёrgoi nё Shkodёr, ku u bashkuan me forcat e tjera, qё po luftonin kundёr ushtrisë malazeze, që kishte hyrë në trojet shqiptare.

Populli i Shkodrës, ushtria turke, rezervistёt shqiptarё, çetat e lirisë dhe forcat vullnetare, i rezistuan gjatë sulmeve të ushtrisë malazeze, nga Zogaj në Tarabosh, nga Kraja deri në Bushat, nga Hani i Hotit në fushat e Shtojit, nga Shengjini në Lezhë. (53, 54)

Gjatë udhëtimit për në Shkodër, kur arrijtën në Lezhë, çeta e Martaneshit u ndesh me forcat malazeze, të cilat kishin pushtuar Shengjinin dhe kishin depërtuar deri te ura e Drinit në Lezhë. Pas luftime të ashpra, forcat malazeze u thyen dhe u tërhoqën në Shengjin, ndërsa komitët martaneshas vazhduan marshimin për në Shkodër. (54)

Në mbrojtjen e Shkodrës, u zhvilluan luftime të ashpëra. (54) Sa rrijtën në Bahçallek, martaneshasit i dërguan në frontin e malit Tarabosh, ku hynë në luftime që ditën e parë dhe iu takoi të pёrballen me sulmet mё tё egёra tё ushtrisë malazeze. Në frontin e Taraboshit, komitat e Çetës së Martaneshit, së bashku me komitët e çetës së Malësisë së Madhe, zhvilluan luftime të ashpra deri në përleshje trup me trup, duke rezistuar heroikisht sulmeve të ushtrisë malazeze, që u detyrua të tërhiqej me humbje.

Trimёria e martaneshasve bёri jehonё nё popull dhe në shtypin e kohёs. Të gjithë ndiqnin me preokupim luftimet për mbrojtjen e qytetit të Shkodres. Aqif Pasha i dёrgoi telegram Esat Pashё Toptanit, aso kohe zvkomandanti i forcave që mbronin Shkodrёn, të cilit i kёrkoi ta informonte urgjent me telegram, pёr gjëndjen e luftëtarёve martaneshas. (49, 52, 53, 55)

Mbrojtjae Shkodrës, bëri jehonë dhe në vendet perëndimimore. Giulio Barella, korespondenti i gazetës italiane “Corriere della sera”, i cili ndiqte luftimet nga fronti i malazezëve dhe gazetari anglez Henry Nevinson, korespondenti i gazetës “Times”, në frontin shqiptar, kanë botuar artikuj me lajme nga lufta e Shkodrës dhe shpesh kanë treguar trimëritë e komitave të Martaneshit dhe të Malësisë së Madhe. (54) Nё luftimet kundër malazezëve për mbrojtjen e Shkodrёs, ranё heroikisht nё fushёn e betejёs 26 komita martaneshas: Murat Zenel Zhaboli, Abdi Imerri, Ahmet Cani, Ali Gurra, Haxhi Lena, Osman Çela, Mustafa Gjyla, Zenel Bami, Hasan Pepa, Sul Gaçi, Hysen Hysa, Selman Hysa, Hysen Gaçi, Seit Gjoni, Hysen Muça, Bajram Likhysa, Asllan Isaku, Beqir Gjoni, Sali Pepa, Isak Zhaboli, Abdi Leti, Kasem Lena, Zog Kurti, Beqir Hoxha, Hasan Ilami dhe Bajram Krypi.

Viti 1913: Komitat e Martaneshit dhe të Malësisë së Madhe
në luftën e Shkodrës, kundër malazezëve.

Nga ky prezantim i shkurtër i historisë së Martaneshit nё luftё për Pavarёsinё e Shqipёrisё, dëshmohet kontributi patriotik i malёsorёve të kësaj treve dhe i atyre trimave, që ranё heroikisht nё betejat kundёr hordhive turke, kundёr pushtuesve serbё, grekë dhe malazezё. Presidiumi i Kuvendit Popullor i regjimit komunist dhe Presidenca në vitet e demokracisë, kanё dekoruar shumë pak patriotё martaneshas, pra i kanё “harruar” shumё prej atyre, që meritonin të nderoheshin nga shteti. Shumë patriotë dhe martirë të luftave për pavarësi, ende nuk janë shpallur dëshmorë, shume prej tyre nuk janë dekoruar, fatkeqësisht nuk ka asnjë monument nderimi për veprën e tyre patriotike.