Fejzullah Guranjaku

Lindi në Elbasan, në vitin 1869. Mësimet e para i mori në shkollën turke, në Medresenë e qytetit të lindjes. Që në moshë fare të re u dallua për zgjuarsinë dhe vullnetin që tregoi, ndaj për këtë e çuan të studionte në Stamboll, në një kolegj pedagogjik 4 – vjeçar. Atje jo vetëm që shkëlqeu në mësime, por ra në kontakt edhe me atdhetarë si Sami Farshëri e Vaso Pasha.

Për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak, kadiu i Elbasanit ndërhyri dhe e bëri Hoxhë.

Në vitin 1878 emërohet  mësues i gjuhës turke në shkollën Idadije të Elbasanit. Që në vitet e para të punës nisi çdo gjë me përkushtimin e një atdhetari të vërtetë. Edhe pse nuk lejohej gjuha shqipe nëpër shkolla, ai mësonte u fshehurazi shqipen nxënësve të tij, me alfabetin e Stambollit. Për 30 vite radhazi  ai mësonte shqipen fshehurazi ku të mundej, në shtëpi, në shkolla, në dyqane.

Kur u shpall “Hyrijeti”, në vitin 1906, Fejzullah Guranjaku filloi mësimin e gjuhës shqipe në shkollën e tij, në të cilën mori edhe bashkëpunëtorë të tjerë. Kjo shkollë i ndërpreu mësimet në vitin 1910, me ndërhyrjen e mizorisë së Shefqet Turgut Pashës.

Atë e rrahën dhe e torturuan në Namazgja, në sy të popullit, por ai rezistoi ndaj çdo torture dhe u thoshte oficerëve turq: “Atdheun dhe gjuhën s’mi merrni dot…”.

Ka pasur kontakte e mardhënie të ngushta me emra si Aqif Pasha, Hysen Ceka, Ali Agjahu, Ali Kopili etj.

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe me mënyrëns e si rrodhën ngjarjet më pas, ai fillon të japë mësim në gjuhën shqipe në disa shkolla. Në vitin 1914 rebelët e Haxhi Qamilit e burgosën bashkë me shumë elbasanas të tjerë.

Fejzullah Guranjaku pas 46 vitesh pune si mësues, del në pension në vitin 1933. Me rastin e 25 – vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë (1937) e nderojnë me Medalje të Artë me shiritin kuq e zi.

Në vitin 1936  kur u bënë përpjekje për t’a zhvendosur Normalen nga Elbasani, Fejzullah Guranjaku doli në demostratë e protestoi kundër këtij vendimi, i cili për fat të mirë nuk u çua deri në fund.

Ai ndërroi jetë në vitin 1947, duke u përcjellë në banesën e fundit me nderime të mëdha. Në vitin 1993 mori titullin “Mësues i Popullit”.

Një shkrim nga Sefedin Trungu