Formacioni femëror i Estradës ka qenë shumë dinjitoz. Kanë qenë mjaft të talentuara me një sharm artistik të admirueshëm duke filluar që nga Bukuri Xhoxhi, Shaide Njarena, Shpresa Çopja, Vjollca Burgjia, Zhaneta Belshaku, Shane Shllaku, Antoneta Doke, Eser Qatipi, Fatbardha Topuzi etj. Dhe midis kësaj buqete të larmishme lulesh aktoreske, ishte dhe një lule karakafte me shkëlqim të veçantë , një aktore me nur artistik , e papërsëritshme në karakteret që luante ajo.

Evelina lindi në vitin 1940 në një familje të thjeshtë elbasanase , por në një mjedis mjaft të këndshëm fisnor dhe familjarë. Njerëzit nga mamaja e Evës kanë qenë mjaft hokatarë, me një humor mjaft të hollë, bile një nga djemtë e tezes së Evës, Astrit Çerma ka qenë një aktor i shquar i skenës së teatrit “Skampa” dhe një aktor i njohur i Kinematografisë Shqiptare. Pra, talenti i saj nuk qe rastësi, që në rini mori pjesë në grupet amatore të qytetit, por me grupin teatral të shëndetsisë ajo dallohet dhe spikat me talentin e saj. Të gjithë spektatorët e asaj kohe, miqtë, shokët e shoqet e mbajnë mend mirë atë vajzë elegante dhe simpatike me një gërshet të zi. E mbajti për shumë kohë atë gërshet. Indentifikoheshe nga gërsheti për spektatorët që nuk ia dinin emrin. Thuaj në atë kohë për Evën nga spektatorë të ndryshëm : “Ku e kanë gjetur atë gërshetzezën se na kënaqi, apo, ja kështu na duhen aktorët , të talentuara me humor, elegancë si ajo me gërshet të zi”.

Erdhi si profesioniste në Estradë ne vitin 1958 dhe së bashkë me aktoren Bukurie Xhoxhi krijuan një dyshe interpretuese mjaft të fuqishme, që iu përshtat shumë mirë dyshes së atëhershme të aktorëve të shquar Hysen Biza-Ferit Gjevori. Më vonë pati si partner Llambi Burginë-Agron Graceni, Hilmi Belshakun-Mehmet Ademi apo Agim Ibrahimin-Zija Xholi.

Eva ishte një tip mjaftë e këndshme, një femër lozanjare, e çiltër dhe këtë karakteristikë të saj e mishëroi në mjaft role vajzash. Karakteret e femrave lozanjare apo të përkëdhelura i qante. Më kujtohet kur erdha në estradë më 1973, në rolin tim të parë, partnere kisha Evelinën, në rol unë isha një djalë që Eva ishte qepur për të më bërë për vete , meqë unë kisha para. Eva me atë çiltërsinë e saj, me lajkat dhe përkëdheljet më thërriste : “Biiiimçe për ty vdes kjo shega devedyshe”. Në rol quheshim Ibrahim dhe Shegë. Ishte një batutë e thënë me mjeshtëri, që ngjallte humor të madh tek spektatorët. Që në atë premierë më la mbresa të paharruara si aktore. I paharruar do të mbetet interpretimi i saj i shkëlqyer te monologu “Makbule Pelivani” shkruar nga Muhamet Brazhda. Në çdo skenë që e interpretoi këtë monolog në Durrës, Tiranë etj (se në skenën e elbasanit nuk diskutohej), korri duartrokitjet dhe sukses të plotë. Një nga rolet saj më pikante dhe të arrira artistikisht ishte roli i Ljubës te premiera Ndalim Qarkullimi”. Aty duke luajtur rolin e një të reje ruse, ajo shkëlqente, krahas Agron Gracenit, Ferit Gjevorit e Hilmi Belshakut. Meqenëse mosha kalonte, ajo vazhdojë të luante me sukses edhe fëmijët e llastuar apo nxënëset tekanjoze. Më kujtohet një monolog ku bashkë me aktorin simpatik Hilmi Belshaku, Eva luante një fëmijë kopshti. Ishte një monolog me humor të madh, ishte ajo dyshe e paharruar, ku dy aktorë 40 vjeçarë luanin fëmijën 5 vjeçar që kritikonin sjelljet e edukatoreve. Mbi 100 role ka luajtur Eva në skenën e Estradës, ka kënduar dhjetëra parodi e kuplete, plot 32 vjet jetë profesioniste e vite të tjera si amatore. Ajo krijoi figurë artistike edhe në teatër në rolin e Donikës në dramën “Skëndërbeu” të shkruar dhe vënë në skenë nga regjizori Lec Shllaku në vitin 1968. Përmenda disa nga rolet e saj të suksesshme, por ajo kishte dhjetëra role të tillë. Ishte një kolege dhe shoqe shumë e mirë në shoqëri, por dhe si familjare ajo ishte shumë e përkushtuar. Për meritat në punën e saj krijuese është dekuruar me “Urdhërin Naim Frashëri të klasit III”.

U nda nga jeta para një muaji në moshën 70 vjeçare, por aktiviteti i saj artistik do mbetet gjithmonë i paharruar dhe një eksperiencë e mirë për aktorët e rinj.

Evelina Haka Spirollari me kolegët gjatë një shfaqjeje.