Emin Matraxhiu

Lindi në Elbasan në dhjetor  të vitit 1890.  Në moshën 7- vjeçare fillon mësimet në shkollën fillore  të Hafyz Karadakut, pastaj në “Idadi Mylqi” (gjimnazi ulët). Fshehurazi mëson  të shkruajë shqip nga patrioti Hysen Ceka. Merr pjesë aktive në levizjet patriotike në kohën e xhonturqve, për përhapjen e shkollave shqipe. Me hapjen e Normales, kalon në ketë shkollë ku mbaron klasën me  të lartë  të saj, rendin e tretë  të primtares. Klubi “Bashkimi”, nëpërmjet Hasan Prishtinës i dhuroi një ore të artë, si nxënës që mbaroi shkollën me rezultate  të larta. Qysh në vitet 1910, fillon  të shquhet për nji pendë  të fortë, kritike për gjendjen e Elbasanit.

” ….Sytë më lotohen kur shikoj gjendjen e sotme  të vendlindjes sime….. ”

Pas shpalljes së pavarësise, thirret nga ministri i arsimit, Luigj Gurakuqi edhe si ish nxënës i Normales dhe i ngarkon detyrën e hapjes së kurseve për mësimin e gjuhës shqipe për nënpunësit e administratës. Pas disa muajve kthehet në Elbasan. Bëhet korespondent i disa gazetave në gjuhën shqipe. Bashkëpunon me organin përiodik “Kopshti Letrar”, ku merrnin pjesë edhe patriotë  të tjerë  të Elbasanit.

Për veprimtari patriotike, arrestohet katër herë. Vuajtjet në burgje do  të ndikonin më vonë në shëndetin e tij.Në 14 janar  të vitit 1921, së bashku me disa patriotë  të tjerë elbasanas, nxjerrin gazeten “Shkumbini”, e përjavshme politike e letrare, me drejtor publicistin e mjekun Filip Papajani, kryeredaktor Sali Çekën, redaktorë Emin Matraxhiu dhe Aleksandër Xhuvani.
Gazeta vijoi për 47 numra deri në 27 janar 1922.  Nga maji i vitit 1921 u drejtua nga Emin Matraxhiu, deri në mbyllje  të saj. Kjo gazetë me shkrimet e saj propagandoi çështjen kombëtare dhe luftoi prirjet shoviniste të fqinjëve ballkanikë.
Mbajti qëndrim kritik kundër qarqeve feudale, institucioneve shtetërore,  pushtetarëve, deputetëve etj.  Motoja e gazetës ka qenë “Mpron lirin e njësinë e vërtetë”.  Në numrin e parë është botuar edhe programi me këtë moto.
Gazetën e përgëzon në numrin e parë me një shkrim edhe Aleksandër Xhuvani.  Kjo është e para gazetë që ka nxjerrë edhe një shtojcë letrare.  E. M.  ka drejtuar edhe gazeten “Fjala e lirë”.  Artikujt e tij i ka shkruar nën pseudonimin “Shigjeta”.

Miqtë e shokët e tij, bëjnë  të mundur dhe e dërgojne për kurim në Napoli. Doktorrët nuk japin shpresë, së semundja kishte avancuar. Rrugës në kthim qëndron në sanatoriumin e Barit, ku edhe vdes në mars  të vitit 1922. Shtypi i kohës do  të shkruante: ”Vdekja e parakohshme e Emin Matraxhiut, kur talenti dhe aftësia e tij gazetareske ishte në lulëzim  të plotë, ka qenë një humbje e rëndë për publicistikën tonë në përgjithësi dhe për atë  të Elbasanit në veçanti”.

 

Emin_Matraxhiu_Filip_Papajani

Emin Matraxhiu (majtas) dhe Filip Papajani

 

E. M. i shoqëruar nga xhandaret, në arrestimin e tij  të katërt me 1921.