Shëndetësia në Elbasan ka pasur fatin të përfaqësohet nga personalitete të mjekësisë që hodhën bazat e një pune me përkushtim dhe humanizëm. Në këtë plejadë doktorësh futet edhe i nderuari Emil Mborja që për rreth 30 vjet punoi në Elbasan dhe la gjurmë në këtë qytet.
Ai u lind në Tiranë në vitin 1936.
I ati Selajdini, i diplomuar në Sorbonë të Francës, është një mjek i cilësuar si pioner i kirurgjisë shqiptare. Ndërsa nëna e tij, Belkiz, ka qenë shtëpijake, por e arsimuar në Robert College në Stamboll të Turqisë.
Emil Mborja kreu arsimin fillor në Korçë dhe në Tiranë. Në Shkodër mori arsimin unik dhe të mesëm që e përfundoi me gjithë notat me të larta, por të drejtë studimi nuk i dhanë dhe filloi punën në verilindje të Shqipërisë si arsimtar.
Më vonë, në sajë të njohjeve të të atit dhe rezultateve në mësime, u regjistrua pa vendimin e Komitetit Ekzekutiv në Fakultetin e Mjekësisë, që ishte ëndrra e tij.
Ai i përfundoi studimet me diplomimin shkëlqyeshëm që ishte shkalla më e lartë e vlerësimit të kohës. Pikërisht këtu, në këtë fakultet u njoh me Kozetën me të cilën u martua dhe kanë tre femijë dhe sot plot nipër dhe mbesa.
Si mjek i ri emërohet në Elbasan në mjekësinë e përgjithshme. Shpejt, pas emërimit, dërgohet në kursin e porsahapur të kardiologjisë më 1960 – 1961 Pas përfundimit fillon për herë të parë këtë shërbim në qarkun e Elbasanit. Për shumë vite ka qenë drejtor i shërbimit ambulator dhe zëvendës drejtor i spitalit. Ka përfunduar me sukses kurse post universitare po në specialitetin e kardiologjisë në vitet 1965, 1969, etj.

Më 1970 i akordohet nga Organizata Boterore e Shëndetëisë një bursë për specializim 6/mujor jashtë shtetit . Në minutën e fundit kjo bursë i refuzohet nga qeverija shqiptare me justifikimin se “nuk kishin nevojë”. Ndërkohë që kuptohet se arsyeja e vërtetë ishte tjetërkund sepse i tillë ishte këndvështrimi poltik ndaj Emil Mborjes.
Më 1990 vjen më në fund në Tiranë, ku kishte shtëpinë dhe prindërit. Pas shumë sorollatjesh, fillon punën si kardiolog në shërbimin ambulator dhe më vonë në Qendrën Shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë si kardiolog dhe drejtues i saj.
Sipas ligjit të kohës dhe me këmbënguljen e tij, më 1997 doli në pension.
Doktor Emil Mborja është njohës i disa gjuhëve të huaja si rusisht, italisht, frëngjisht dhe anglisht. Ka pasion librat jo vetëm profesional, por dhe ato artistik, duke ruajtur parametrat intelektual të një njeriu që gjithë jetën studioi në shërbim të një profesioni human. Ai është pjesëmarrës në shumë sesione shkencore në rreth dhe në rang vendi. Përveç artikujve në shtypin shëndetësor të kohës, ka shkruar dhe librin “30 vjet punë, Elbasan 1960 – 1990, me kujtime dhe mbresa”.

Përgatiti Hyqmet Zane