Sami Frashëri (Shemsedin Sami), Kamus Alam, Cild 2, sy. 1157, İstanbul 1306 (Costantinople 1889)
Ilbasan, shqiptimi Elbasan, qytet që gjendet brenda një lugine mjaft të bukur dhe pjellore, në Shqipërinë e Mesme, në krahun e djathtë të lumit Shkumbin që ndan Gegërinë nga Toskëria, pra në veri të tij, me një popullsia prej 20’000 banorëve, prej të cilëve 3500 janë të krishterë, ndërsa pjesa tjetër myslimanë. Qyteti është i rrethuar pjesërisht me një mur antik. Mbi lumin Shkumbin që përmendëm më sipër gjendet një urë e bukur dhe e fortë. Brenda qytetit, prodhohen kondakët e tyfekëve të mirënjohur në mesin e shqiptarëve. Qyteti është një qendër tregtare ku zhvillohet me të madhe tregtia e leshit, lëkurës dhe dyllit. Pasi edhe në antikitet ky qytet ka qenë në itinerarin e rrugës Egnatia, një rrugë e rrahur shumë në kohën e Romakëve, për udhëtimet mes Durrësit dhe Selanikut, këtu do të kalonte edhe një hekurudhë që do të ndërtohej në këto anë, duke shpresuar kështu në të ardhmen për rritjen më të madhe të rëndësisë tregtare të këtij qyteti. Nuk dihet ekzaktësisht se kur dhe nga kush është ndërtuar ky qytet antik, por mendohet se qyteti Albanopolis për të cilin shkruajnë Ptolemeu dhe historianët e tjerë të antikitetit, është pikërisht tek ky qytet. Nën varësinë administrative të vilajetit të Manastirit, deri vonë ka qenë qendër administrative në rang kazaje nën varësinë administrative të sanxhakut të Dibrës, por kohët e fundit, për shkak të pozitës së tij gjeografike, është shpallur qendra administrative e sanxhakut që mban emrin e Elbasanit, e cila formohet nga tre kaza, atë të Elbasanit, Gramshit dhe Peqinit, dhe ka 312 fshatra. Një vend malor, por lumi Shkumbinit ka bërë që të jetë zonë pjellore dhe me prodhim bujqësor. Këtu rritet me shumicë ulliri, rrushi dhe lloje të ndryshme drithrash, ndërsa në kazanë e Peqinit prodhohet me shumicë orizi. Në male ka disa pyje të mëdha lisi dhe lloje të tjerë drurësh.