Nga Dr. Shefqet DELIALLISI

(Prefekt i Qarkut të Elbasanit)

Në kumtesën time, do të përpiqem që nëpërmjet dokumentave historike të Lef Nosit, të rindërtoj konributin e madh që Elbasani ka dhënë në shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë.

Nga Viena, në 9 Nëntor 1912 , Ismail Qemali  i drejtohet parisë së krahinave të Shqipërisë :

 “ Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës asht sigurue…të punoni së bashku e si vllezën…E mbledhmja e përfaqësuesvet në Durrës ose në Vlonë asht krejt e nevojshme…” (1)

Por le t’i kthehemi Elbasanit.

Cilët ishin të mandatuarit e Elbasanit për në Vlorë ?

Çdo gjë saktësisht na jepet në “ Dokumentat Historike” të Lef Nosit.

Sapo vendosi që kuvendi do të mbahej në Vlorë, Ismail Qemali, më 21 nëntor me një telegram, i  drejtohet Aqif Pashës dhe Shefqet Vërlacit, duke i kërkuar me ngulm praninë në Vlorë :

“Në nji mbledhje ku do të bisedohen masa të jashtzakonshme, e do t’epet nji vendim i premë, e gjindmja e Shkëlqesiës Tija Aqif Pashës e Shefqet Beut(Vërlacit), asht e domosdoshme, edhe për këtë nuk mund të mendohet asndonji shkak e arsye ndalimi…..” (2)

Nuk dihet pse dy figurat më të rëndësishme të Elbasanit, nuk shkuan në Vlorë, ndërsa sipas një telegrami dërguar dërguar Xhemil Bej Vlorës, organizator i kuvendit të Vlorës, Aqif Pasha kish konfirmuar pjesmarjen në Vlorë. (3)

Fillimisht si përfaqsues të Elbasanit në Vlorë u mandatuan : Mid-hat bej Frashëri, Lef Nosi e Shefqet Daiu, të cilët u nisën në 22 Nëntor.  Në 24 Nëntor atyre ju shtua dhe Dervish bej Biçakçiu,  e në  25 Nëntor, edhe Qemal bej Karaosmani. Kjo na jepet në telegramin që Aqif Pasha, Shefqet Vërlaci dhe Kryetari Bashkisë së Elbasanit, Alush Saraçi, në 24 Nëntor i drejtojnë Dervish bej Biçakçiut në Peqin :

Elbasani emnoi përfaqësues Mid-hat Bej Frashërin, Shefqet Dainë e Lef Nosin dhe pardje unisën për Vlonë. Pasi zotnia e juaj jeni zgjedhë përfaqësues nga Peqini, natyrisht, jo Elbasanin, por edhe gjithë prefekturën e përfaqësoni. Pasi po ju zgjedhim edhe n’emën t’Elbasanit, vepëroni së bashku.(4) Dervish bej Biçakçiu ishte njeri me shumë influencë në Elbasan. Në vitin1909, me votat e delegatëve nga gjithë viset shqiptare, ai ishte zgjedhur kryetar i Kongresit Kombëtar të Shkollave Shqipe të Elbasanit. Ai ishte kryetar i parsisë së shkollës Normale, njëkohësisht një nga financuesit kryesorë të saj.(5) Në 25 nëntor u caktua edhe delegati i pestë,  Qemal bej Karaosmani, siç del nga telegrami dërguar Kryesiës së Kongresit në Vlorë nga Paria e Elbasanit: “Ju bajmë më ditë, se edhe Qemal Beu, qi asht prej Parësiës, u emnue delegat, për me bashkpunue me delegatët e tjerë t’Elbasanit e të Shqipniës.…(6) Qemal Karaosmanin, gjithashtu nga një familje e shquar e Elbasanit, ngjarja e madhe e gjen drejtor të kadastrës në Berat. Në kujtimet botuar në gazetën “Arbëria” në 28 nëntor 1936 ai shkruan :

“….vjen një telegram prej Vlone, drejtue Aziz Pashë Vrionit, ku thuhej: “Ismail Qemal Beu pas-nesër del n’Durrës, dërgoni njerës dhe kuaj t’a merrni, se prej këndej nuk mundemi të dërgojmë.”…U mblodhëm në shtëpinë e Aziz Pashës, dhe biseduam ..më shënuan mua dhe unë me kënaqësi e pranova… të nesërmen u nisa për në Durrës tue marrë me vete katër persona nga njerëzit e mi, dhe tre kuaj rezervë. Në Durrës Ismail Qemali …gjendej në Hotelin e Aziz Pash Vrionit në buzë të detit… Atë natë fjeta aty dhe biseduam drejtimin e udhëtimit qi do të bajim të nesërmen….”(7)  Nga Durrësi Karaosmani i drejtohet me një telegram, një tjetër elbasanasi të shquar, Bexhet bej Hydit, në Çermë të Lushnjes të cilit i njoftonte se :  

Sot po nisemi edhe po vijmë aty, jemi ma tepër se njizet vetë. Pra, pregatituni edhe na bani vend ke Dervish Beu (Biçakçiu) ose në shtëpinë tuaj. Në dashtë zoti mbrama jemi aty”.( 8) Në mbërmjen e  23 Nëntorit, karvani i Ismail Qemalit bujti në Çermë, në çifligun e Dervish Bej Biçakçiut e Behxhet Bej Hytit.

Pra si përfundim delegatë në Kuvendin e Vlorës, si përfaqsues të Elbasanit ishin :  Lef Nosi, Shefqet Daiu, Dervish Bej Biçakçiu, Qemal Bej Karaosmani dhe Mid-hat bej Frashëri. Për këtë të fundit dalin disa pyetje.

Si u ndodh Mid-hat Frashëri ne Elbasan ?  

Këtë, e sqaron hollësisht vetë Mid-hat Frashëri në letërn që i dërgon nga Vlora Kristo Luarasit në 10 dhjetor 1912, citojmë : “I dashur Kristo, dola nga nga Shkupi ditën që filloi luftën Serbia d.m.th., më 3 (16) të muajt që doli dhe shkova nga Mitrovica ne Ipek (Pejë) , Gjakova, Has, Tej-drin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës,Elbasan e nga Elbasani arthçë këtu. Në Kosovë (d-m-th prej Peje, Gjakove, Gucie, dhe Plave) me tre shokë te tjerë mora letër me nënshkrime të parësisë(mandate) për të treguar që jemi mëkembësit e tyre për çdo gjë që të bëjmë për Shqipërinë. Kur erthmë në Tiranë, qëllimi ynë ish të bënim një kongres kombiar me ndihmë të Abdi bej Toptanit, se kishim bërë fjalë edhe me Kapidanin e Mirditës. Por kur arritmë ne gjetëm letrën e Syrja be Vlorës , i cili kish ftuar parësinë me një mbledhje. U gëzuam se kështu e gjenim gati punën. N’ Elbasan donja që të bëhej ay qytet si vent i mbledhjes, po atje na erdhi tejshkrimi(telegrami) i Ismail Qemalit , që na lajmëronte se do të dalë në Vlorë dhe ftonte botën me një mbledhje. Edhe pas pakë ditësh arriti në Durrës, bashkë me delegatët e Bukureshtit dhe Gurakuqin. Nga Durrësi, gjithë delegatet e ardhur dhe t’atyre viseve, vanë në Vlore, ku dhe unë vajta me shokët e Elbasanit…Lumo Skëndo “10 dhjetor 1912 (9) 

Analiza e kësaj Leter letër zbulon disa fakte interesante tek të cilat po ndalem shkurtimisht. Ideja për organizimin e një kuvendi kombëtar për të ardhmen e Shqipërisë, kishte lindur dhe filluar të vihej në jetë në tre pika të ndryshme, pa lidhje me njera tjetrën, që konverguan në Durrës e Elbasan, prej nga ju drejtuan Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali.

Më herët, pa filluar Lufta Ballkanike, kish filluar Syrja bej Vlora. Në librin “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri” të Eqrem Bej Vlorës dhe Baroneshës Marie Amelie thuhet, citoj: “Disa muaj më parë, (shpërthimit të Luftës Ballkanike shënim i imi SH.D),…me një vizion të qartë për rreziqet e gjendjes, Syrja bej Vlora ishte përpjekur që t’i bindëte  rrethet drejtuese për mbajtjene një kuvendi,që sipas idesë së tij do të ishte hartimi i një programi të qartë në rastin e një humbje të Turqisë, e pashmangshme sipas tij. … Me të hyrë Gushti (1912) ai u dërgoi të gjithë atdhetarëve udhëheqës dhe krerëve vendorë një letër që analizonte gjendjen, njëherësh edhe ftesën telegrafike për të ardhur në Vlorë …” Madje Syrja Beu shkoi dhe në Vjenë për ndihmë, ku disa javë më parë kish qenë dhe Vetë Eqerm bej Vlora dhe ishte përpjekur të bindëte Ministrinë e Jashtme për planin e të atit. Ai gjeti në Vjenë dashmirësinë më të madhe kundrejt Shqipërisë .. Vetë shefi i shtabit të përgjithshëm, baroni Konrad fon Hëcendorf, u bashkua me mendimin e Eqrem e Syrja beut, u  tregua shumë i interesuar për fatet e Shqipëisë dhe premtoi të ushtrojë gjithë ndikimin e tij për të shpëtuar pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. (10)

Nga ana tjetërm prej disa kohësh, deri në 16 tetor, që filloi Lufta Ballkanike, Mit’hat Frashëri ndodhej në Shkup si mbikqyrës i qeverisë otomane për zgjedhjet parlamentare që pritesh të bëheshin(11) . Më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, u mbajt një mbledhje për të tërhequr vëmendjen e faktorit të brendshëm dhe kancelarive të fuqive të mëdha, ndaj rrezikut që i kanosej popullit shqiptar. Merrnin pjesë në të Nexhip Draga, Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, etj, (12). Këtu u vendos edhe për organizimin e një kuvendi kombëtar për përgatitjen e të cilit u caktua një delegacion i përbërë nga Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani, të cilët në 16 tetor lanë Shkupin, duke kaluar nëpër Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Has, Tejdrin, Guci, Plavë, Kurbin, Mirditë, Durrës, Tiranë, e në Elbasan. Por siç thotë Mid’hat Frashëri për thirrjen e kuvendit, “punët i gjetën gati” nga Syrja bej Vlora.

Nga Trana, ai erdhi në Elbasan me mendimin që kuvendi i pavarsisë të mbahej në këtë qytet. Por telegrami (tejshkrimi) i Ismail Qemalit, që e ftonte në Vlorë ja ndyshoi planet. Mid’hat Frashëri, u zgjodh edhe përfaqsues i Elbasanit dhe bashkë me të tjerët, nga Elbasani u nis për në Vlorë.

Pse Mid-hat Frashëri dëshironte që mbledhja të zhvillohej në Elbasan ?  

Është fakt i njohur që Mid-hat Frashëri kishte simpati për Elbasanin, që e ka shprehur që në Kongresin kombëtar të Elbasanit në vitin 1909, kur në ditarin e tij shkruante :  “ Vërtet më të bukur qytet se Elbasani s’mund që të gjëndej për një të tillë kongres kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe mësimit të gjuhës sonë : njerëzia e elbasanit jo tani, po dhe në kohët despotike, ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe….”(13). Domethënës është edhe fakti se pas dorheqjes nga qeveria e Vlorës në vitin 1913, ai u vendos në Elbasan, ku punoi si arsimtar (14). Nga ky qytet ai ndërmori dhe nismën e famshme të stilografit të artë për Edit Durhamit, siç dokumentohet nga gazeta “Përlindja e Shqipëniës” të cilës i drejtohej : Zoti Drejtor, Lutem të botoni këto të paka radhë : Këtu n’Elbasan filluam të mbledhim ndihmë nga një metelik për njeri. Duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojme zonjës Edith Durham,si një kuptim për shërbimet fisnike që i ka bërë kombit tonë me shkrimet e botimet e saja. Për të rrëfyer këtë mirënjohje kombi ynë,kemi dashur që edhe ndihma të jetë e popullit dhe nga ky shkak,s’mbledhim më tepër se nga një metelik…..Në komisionin që u formua për këtë ndihmë, janë z.G. Cilka , dr.Ruzhdi beu,Taq Buda dhe unë… (15)

Së fundi, pse Elbasani e zgjodhi Mid-hat Frashërin si përfaqsuses të tij në Vlorë ?

Sigurisht që një qyetet si Elbasani, kishte mjaft figura të shquara, por Mid-hat Frashëri spikaste si patriot mbi të tjerët. Veç të tjerash ai kish qenë organizator dhe kryetar i Kongresit të Manastirit, organizator dhe nënkryetar i Kongresit Kombëtar të Elbasanit. Sigurisht që rrespektohej dhe si pasardhës i të madhit Abdyl bej Frashërit.

Në Vlorë

Katër nga përfaqsuesit e Elbasanit, firmëtarë të aktit të pavarsisë janë : Lef Nosi, Mit-hat Frashëri, Shefqet Daiu, dhe Qemal Karaosmani. Dervish Biçakçiu, siç del dhe nga telegramet, (16)  ka ardhur në Vlorë një ditë më pas, bashkë me Isa Boletinin e të tjerë, dhe ka marrë pjesë në mbledhjen e dytë, të datës 30 Nëntor. Këtë e vërteton në kujtimet e tij edhe Tafil Boletini, që udhëtonte me Isa Boletinin drejt Vlorës : “… ishin afër tetëqind vetë që shkonin drejt Pavarësisë. Kalorësit kaluan nga Dibra në Librazhd, në Elbasan, Belsh, Lushnje, Fier. Rrëfen Tafili: “…Tej lumit na priste Sami bej Vrioni e Dervish bej Biçaku. Të gjithë shkuam mysafirë të Ymer pashë Vrionit, në Fier. Më 28 herët u nisëm për në Vlorë…”( 17)

Duhet theksuar fakti se përfaqsuesit e Elbasanit ishin shumë të vlerësuar. Lef Nosi dhe Mith-hat Frashëri u zgjodhën ministra të qeverisë së përkohshme. Shefqet Daiu u zgjodh sekretar i kuvendit bashkë me Luigj Gurakuqin, siç dokumentohet nga telgrami që Qeveria e Përkohshme që njofton Elbasanin për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë : “Kongresi u hap. Indipendenca u proklamue. Ismail Qemal Beu u sgjodh kryetar. Sonte do t’i komunikohet Shtetevet te Mbëdha me kablo. Ju urojmë. Lef Nosi, Midhat Frashëri, Qemal bej Karaosmani. Shkruesit e kongresit: Shefqet Daiu, Luigj Gurakuqi(18). Vetë Shefqet Daiu  momentin e shpalljes së Pavarsisë, ndërkohë që ai mbante procesverbalin e mbledhjes, në shkrimin, në gazetën Elbasani, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë :  “Tepër i thyer nga rryma e luftës, shumë i lodhëm nga mundimi i udhëtimit, fort i menduem për plotësimin e detyrës por ne me një shpresë të fortë qi bante të harrojë ç’do gja tjetër ndodhesha i kërrus ndë tryes, gati për të shkrue, nji për një bisedimet dhe deklaratën e kongresit të primë e të mbledhëm ndën kryesin e të paharrushmit z. Ismail Qemal Vlorës.(19)

Shpallja e Pavarsisë në Elbasan

Gjendjen në Elbasan na e jep telegrami që Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci i dërgojnë Aziz Pashës në Beratn në në 12 Vjeshta e Tretë 1328-1912 “ Situata e jonë asht vështirsue. Ohri edhe Struga ranë. Komandanti serb i ka telegrafue Qukzakvet…dhe i ka pytë zyrtarisht në do të dorzohen apo jo. Nga kjo kuptohet se ka me ardhë edhe këtuMe qindrue asht e pamundun; sepse popullit tonë le qi s’ka armë, por i u-ka thye edhe morali keq. Paniku mbretnon edhe këtu. Zoti na ndimoftë. (20)

Ndërsa dëshmitari okular Qamil Çelirama e përshkruan kështu : “Bash në panikun e vërshimit të ushtërive serbo-greke-malazeze mbi Shqipninë u përhapën lajmet gazmore, mbi shpalljen e Shqipnisë indipendente. Patriotët tanë të shquem me Ismail Qemalin në krye, kishin korrë suksese diplomatike, dhe kishin ardhë në Shqipni për me ngritë flamurin kombëtar e me shpall indipendencën tonë. Si mbarë populli shqiptar, ai lajm i gëzueshëm ngrofi edhe zemrat e ngrime t’Elbasanasve qi pritshin me sot me nesër invadimin e vendit nga ushtëritë serbe. Të gjithë patriotët e Elbasanit, sidomos neve rinia patriotike, u aktivizuam për me pregatitë flamurë e shqiponja, për me e festue sa më mirë atë ditë. Filluen me kalue nëpër Elbasan delegacione të Shqipnisë së sipërme, të përbamë nga Is Buletini me shokë, për me shkue ne Vlorë, ku po mblidhesh Kuvendi qi do të shpallte indipendencën shqiptare, do të ngrinte flamurin e Shqipnisë, dhe do të formonte qeverinë shqiptare.* ( Isa Boletini, u ndal në Elbasan ku qëndroi një ditë për të pushuar se shumica e njerëzve të tij udhëtonin në këmbë. Prej Elbasani arriti në Belsh, pastaj në Lushnjë në 26 nëntor. Prej këndej në Fier. Përparimi ishte i ngadaltë si pasojë e motit të keq.(21)  Ushtëria turke,qi u thye në Kosovë e në Manastir, filloi të tërhiqet nga drejtime të ndryshëm, drejt detit Adriatik, për me u inbarkue në Turqi. Ushtëritë e thyeme qi kaluen nëpër Elbasan, të komandueme nga Xhevit Pasha, insistuen qi të luftojshin për me mbrojt Elbasanin, por patriotët e vendit, qi ishin në dijeni për shpalljen e indipendencës, e detyruen komandën turke qi të hjekë dorë nga nji veprimtari e rrezikshme dhe e damshme. Serbët, tue mos gjet resistencë në marshimin e tyne, po i afroheshin Elbasanit, prandaj patriotët e qytetit tonë shpejtun me e ngritë flamurin e Shqipnisë n’Elbasan më  25.11.1912, para se të ngrihesh në Vlorë. Ai gëzim qe çashtje orësh, qyshse ushtëritë serbe, edhe se u lajmëruen pse po shpallesh indipendenca shqiptare, e se n’Elbasan u ngrit flamuri i Shqipnisë, vazhduen marshimin e tyne për me dalë në Adriatik. Si rrjedhim, ata pushtuen Elbasanin dhe e ulën flamurin tonë tue e zavendësue me të tynin. Elbasani i priti serbët si miq të paftuem, tue nxjerr nji komison pritës të përbamë prej parisë së vendit, disa orë larg Elbasanit. Të sigurtë, se qëndrimi i serbëve n’Elbasan e në vise tjerë t’atdheut ishte i përkohshëm, neve bamë durim për me e përballue zgjedhën e re, qi na dukesh edhe ma e randë se ajo e Turqisë………”

Në vitin 2009 në arkivin e Ushtrisë Jugosllave në Beograd, u gjend dokumentin i pavarsisë së shpallur në Elbasan në 25 Nëntor 1912.  Ja teksti …

Shpallje për vetqeverimin e Shqipnisë,

Na gjindja e Elbasnit, pa ndonji shtrëngim të jashtëm ose të brendshëm,… bashkë me gjithë qytetarët e Shqipnisë po i bajmë të ditun gjithë botës së qytetërueme se sot shpallim vetësinë të.. Shqippnisë tonë nga mbretnia Ottomane tue u numurue si një komb i lirë i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve të Europës, shprehem se do të qeverisim me nder, drejtësi, dhe nji paansi të plotë, pa vanë re ndryshim feje apo dogme. Ç’ do shqiptar ose i huej do të mund të rrojë lirisht duke gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe na kemi nërmend të rrojmë vllazënisht edhe me qeveritë fqinjëse, pa dashur t’u bajmë as të paktin dam, por duke ju lutun të na ndihmojnë në vetqeverimin tonë edhe rrëzimin e qeverisë Ottomane. Rroftë Shqipnia e lirë. Kështu e baftë Zoti!Na përfaqsuesit e Elbasanit vërtetojmë të sipërmen duke vumë ndënshkrimin tonë. “
Duke lexuar këtë dokument befasohesh nga idetë që në pak rradhë hedh. Prirjen pro Europiane, tolerancën fetare dhe etnike. Madje arrihet deri në të drejtat njerëzore. Fakti që ky dokument është shkruar në vitin 1912, lartëson vlerën intelektuale të atyre që e hartuan. Nisur nga gjuha,  gegërishtja e Elbasanit dhe shprehjet e përdorura, akti është hartuar nga një elbasanas, ende i panjohur, që përdor alfabetin latin të Manastirit që kishte pak kohë që ishte  futur në përdorim. Masa e gjërë atë e kishte përvetësuar shumë shpejt. Por shkruesit duket  ka njohur edhe edhe alfabetin e Stambollit që  Kongresi i Manastirit i 1908 e kishte lënë në përdorim. Kështu me një fjalë ai tingullin “dh” e paraqet me shkronjën “ δ “ , që i takon alfabetit që përdorën vëllezërit Frashëri.

Shpallja  e pavarsisë, telegrafisht ju njoftua Ismail Qemali në Vlorë : “ Gjithë populli ynë, myslymanë e të krishtenë, me nji za kanë pranue idependencën e Shqipnisë,
Në emën të gjithë popullit të prefekturës së Elbasanit
Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, zavendës mitropolit Papa Dhimitër Dhimitruka.
Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, Abdulla Bej Tirana, Fuad Bej Kareman Beu(Biçaku), Servet Bej Zylfi, Ismail Bej Xheladin Beu, Ali Agjah Bej, Maliq Bej Riza Beu, Demir Bej Sulçe Beu, Refik Myftiu, Mahmut Guma, Xhaferr Pasmaqi, Hysein Sulova, Ruzhdi Alush Saraçi, Beniamin Deliana, Beniamin Nosi, Taq Buda, Kolë Papajani, Lazër Papajani, Serafin Jorgaqi, Haxhi Nikollë Jorgaqi, Mihal Prifti, Dhimitër Paparisto, Emin Haxhiadem Shijaku, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Hysein Dakli, Jusuf Bej Taushani, Hasan çifte, Ymer Peni, Hysein Hastopalli, Demir Zenelhoxha(22)  Dëshmitari okular Jovan Dimitresku,ish shefi i kabinetit të Ahmet Zogut në kohën e republikës, dëshmon : “ .. kam qenë i pranishëm në ceremoninë e ngritjes së flamurit për herë të parë në ndërtesën e Prefekturën së Elbasanit, në 25 nëntor 1912…..Kryetari i qeverisë së përkohshme në Elbasan atëherë ishte Aqif pashë Elbasani “.

 

Reziku serb..

 

Nga telegramet botuar në “Dokumenta Historike “ del se për këtë problem ka pasur një komunikim intensiv ndëmjet parisë së Elbasanit, Ismail Qemalin dhe  komandës së forcave Serbe.  Duke pasur parasysh eksperiencën e madhe diplomatike të Ismail Qemalit, paria e Elbasanitit për çdo hap komunikon me të  (23).  Dhe Ismail Qemali i udhëzon : “…i dërgoni komandantit t‘ushtëriës serbe me anë të nji komisioni të posaçëm nji shkresë të ndënshkrueme prej Këshillës Administratore, tyke i kërkue pushimin e vepërimevet anmiqsore kundrejt jush, passi edhe Elbasani si gjithë Shqipnia ka proklamue indipendencë edhe lufta qi i kanë shpallë Turqiës Serbia me shtetet e tjera , naturisht nuk ka të bajë me Shqipniën indipendente. (24)   Ndërkohë presioni i ushtrisë Serbe shtohet. Komandanti Serb Gjenerarali Metoviç nga Ohri i shkruan Kryesiës së Bashkisë së Elbasanit se : “N’i u dorëzofshi edhe ju ushtëriës serbe … edhe n’i dhançi armët të gjitha, ju ap fjalën se do t’ju sigurohet çdo gja; domethanë: feja, pasunia, jeta e qetësia e juej…..Përgjigjen tuej e pres në zyrët telegrafike“(25)  Kopia e këtij telegrami i dërgohet Ismail Qemalit në Vlorë, dhe përgjigja e tij nuk vonon: Kopiën e telegrammës qi ju dërgon komandanti i ushtëriës serbe gjeneral Metoviç kryesiës së Bashkiës s’Elbasanit e këndova. Indipendenca u shpallë në gjithë viset e Shqipniës edhe sot uformue e u ngref Qeverria e Përkohshme Kombëtare. T’i përgjigjeni se asht i pa-drejtë vazhdimi i anmiksiës, nga ana e Mbretniës Serbe, kundrejt Shqiptarvet qi nuk po i apin asndonji shkak anmiqsie edhe i bani me ditë se në mos dëgjoftë, Shteti Shqiptar do të protestojë e do të shtrëngohet me kërkue mbrojtje e drejtësië nga Shtetet e Mëdha. Lutemi me na e bamë të ditun sa ma shpejt përgjigjën qi do të merrni. ..”(26)  Një ditë më pas, është kryetari i bashkisë së Elbasanit Alush Ruzhdi Saraçi që i drejtohet Komandantit serb në Ohër: “Parësia e qytetit u mbloth. Ju baj me ditë se  ndëpunësit turq i përzunë me kohë edhe kanë formue nji Qeverrië Indipendente me emnim Qeverria e Shqipniës.(27)   Ndësa Aqif Pasha :  “Ndashti qi u shpallë Indipendenca e gjithë Shqipniës, ruejtja e situatës së re politike të saj ka me u caktue pas përfundimit të korespondencës e bisedimevet qi do të bahen ndërmjet të Qeverriës tonë Qendrore e të Qeverriës tuej…në Prefekturët tonë, nuk do ti vijë asndonji dam, asht e ditun se përkohësisht e si mik do të priten mirë…”(28)

Ismail Qemali dërgon dhe kopjen e një proteste që duhej t’i dorzohej komandantit serb nga Aqif pasha në emër të qeverisë së  përkohshme të Elbasanit : “Tyke qenё se gjithё Mbretniёt dhe Mbretnia e Juej, e pohojnё qenjen kombёtare tё kombit Shqiptar, edhe ai ka shpallё Indipendencёn e Tija e i a ka njoftue zyrtarisht Mbretnivet tё Mёdha, Mbretnivet tё Balkanit edhe Ministriёs sё Punvet tё Jashtme tё Serbiёs, marr vesht, se Fuqia Ushtarake qi asht ndёn komandёn Tuej, po ecёn pёrpara e ka nё mёnd me shkelё Elbasanin. Asht e ditun se sikur se shkelja e tokёs Shqiptare asht kundёr sё drejtёs, ashtu edhe shkelja e Elbasanit prej Jush do me thanё se kёrkoni me i ngelё mbё qafё nji vendi indipendent, i cili nuk dishron me luftue me Serbiёn.  Protestoj vepёrimin Tuej edhe lutem tё prapseni nga ky vepёrim.”(29) Më poshtë ai e udhëzon Aqif pashën : Telegrammёn tonë të protestёs pёr Komandant Metoviçin t’i a epni me anё tё zyrёs telegrafike t’Elbasanit nё Ohёr, nё qoftё se asht atje. Nё qoftё se nuk asht e mundun me i a dhanё Ohrit, athere t’i a epni komandantit qi po vjen n’Elbasan… (30)

Një përfaqsi nga  paria e vendit, i priti serbët disa orë larg Elbasanit dhe i dorëzoi aktin e pavarsisë që përmendëm. Ky akt i është dërguar komandës së ushtrisë serbe në Beograd, prandaj dhe ndodhet në arkuivin e Ushtrisë serbe, ku dhe u zbulua disa vite më parë.

Fundi i përfaqsuesve të Elbasanit

Ashtu si i shumicës së aktorëve të pavarsisë së Shqipërisë, fundi i tyre ishte tragjik. Lef Nosi u pushkatua. Shefqet Daiu u dënua me 30 vjet dhe vdiq në burg, Mid-hat Frashëri u shpall kriminel lufte dhe vdiq në mërgim në Nju Jork, mendohet i helmuar nga komunistët. Dervish Biçakçiu u shpall kriminel lufte dhe vdiq në mërgim në Damask. Qemal Karaosmani vdiq në Kavajë i harruar nga regjimi komunist…

Po e mbyll me At Zef Pllumin, në librin “Rrno vetëm për me tregue”  :

 “Njerëzit që kanë ba Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frshëri. Faik Konica, Ismail Qemal Beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e pak tjerë si këta e krijuan Shqipninë…… Kjo asht e vërteta historike. Populli ishte ky…. (i prapambetur), intelektualët kjenë ata që e banë Shqipninë……nuk kemi kurrnji të drejtë me i gjykue për gabimet politike që kanë ba në jetë e tyne, se po ta bajmë këtë, atëhere tregohemi mosmirënjohës. Pa ata nuk do ta kishim Shqipninë e lirë….Na nuk kemi asnji të drejtë ti gjykojmë personalitetet shoqnore – politike të asaj kohe, me ato koncepte që kemi sot. Sigurisht që në atë kohë ata kanë ba politikën që duhej për interesin e popullit shqiptar aty për aty”.(31) 

BIBLIOGRAFI

1-L.Nosi “Dokumenta Historike”f.69

2- L.Nosi“Dokumenta Historike”f.75

3-Ilir Konomi, Pavarsia Ilir ikonomi, Pavarsia. Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit,UET Press 2012,  F.166

4- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.79

5- Gazeta Tomorri, Elbasan, Qershor 1910

6- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.83.

7-Qemal Karaosman, Një udhëtim historik në nëntor 1912, gazeta Arbëria,28 nëntor 1936.

8- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.76).

9 -Mid’hat frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f.387)

10- Eqrem Bej Vlora, Marie Amelie von Godin, Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri,Shtëpia botuese 55, f.205-209, Tiranë 2010.)

11-Mustafa Kruja, Antologji Historike, Sejko Elbasan,f267

12- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008, fq. 48-49.

13- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f539

14- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f.22.

15 – Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f539

16- L.Nosi “Dokumenta Historike” f97)

17-Tafil Boletini: Kujtime; përgatitur nga prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003

18 – L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.97

19- Shefqet Daiu, “Flamuri e Dita 28 Nânduer “  Gazeta Elbasani ,28 Nëntor 1922

20- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.81

21 – Ilir ikonomi, Pavarsia. Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit,UET Press 2012, f 209

22 – Lef Nossi , Dkumenta Historike f.80

23- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.85

24- L. Nosi,“Dokumenta Historike” f.104

25 – L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.96

26- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.95

27 – L. Nosi,“Dokumenta Historike” f107

28- L. Nosi,“Dokumenta Historike” f.108

29- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f111

30-L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.111

31 – Zef Pllumbi, Reno vetëm për me tregue F. 493