Doktor Kapshtica ka lindur në Kapshticë të rrethit të Korçës, më 6.8.1900. Shkollën fillore e ka kryer në Follorinë, ndërsa në liceun e Korçës ka vazhduar 2 vitet e para.

Në moshën 20-vjeçare shkoi në Amerikë për të punuar. Atje, krahas punës mbaroi shkollën e mesme dhe 4 vite të Fakultetit Pedagogjik.

Dëshira për mjekësi, megjithë vështirësitë ekonomike, e bëri të regjistrohet dhe të kryejë 2 vitet e pata në Fakultetin e Mjekësisë. Vështirësitë ekonomike, si rezultat i krizës të vitit 1933, ia pamundësuan vazhdimin e shkollës dhe e detyruan të kthehet në Shqipëri. Vetëm në vitin 1934 iu krijua mundësia për të vazhduar studimet për mjekësi në Paris, ku në vitin 1938 diplomohet si mjek i përgjithshëm. Diplomën e mbrojti me temën “Malarja në Shqipëri” – (Le paludisme en Albanie) – temë që u botua në Paris nga libraria L. Rodstein në po atë vit. Gjatë vazhdimit të fakultetit ka ndjekur rregullisht repartet e Kirurgjisë dhe Gjinekologjisë.

Në vitin1938 kthehet në Shqipëri dhe emërohet mjek në Spitalin rural të Bilishtit.

Gjatë Luftës Antifashiste ka dhënë ndihmesë në mjekimin e partizanëve në rrethin e Devollit dhe më vonë në radhët e Brigadës së Dytë ku hapi dhe spitalin partizan në fshatin Dardhë të Korçës.

Në vitin 1943 transferohet në Spitalin e Gjirokastrës dhe atje fillon punë si asistent kirurg, një dëshirë kjo shumwvjeçare  e tij. Në Gjirokastër punoi me dr.Labovitin, kirurg me përvojë. Pastaj vazhdoi kualifikimin në Spitalin e Tiranës për një vit, si asistent në kirurgji me prof. Frederik Shirokën.

Në shkurt të vitit 1948 transferohet në Spitalin e Elbasanit me detyrën e kirurgut të rrethit, ku punoi për një periudhë mëse 20- vjeçare.

Në spitalin e Elbasanit hapi repartin e kirurgjisë, sallën e operacionit dhe repartin e obstetrikë – gjinekologjisë. Jo e paktë ka qenë puna që ka bërë në shërbimin obstetrik – gjinekologjik, e
cila i kërkonte gadishmëri të vazhdueshme duke filluar nga lindjet normale deri te rastet e urgjencës apo pathologji të tjera kirurgjikale. Këtu po përmendim volumin e madh të punës në kirurgji dhe në obstetrik- gjinekologji, që përfshin mbi 15. 000 operacione të kryera shpesh në kushte mëse të vështira: nga mungesa e dritës që e detyronte të punonte nw errwsirw, mungesa e aparatit të narkozës në vitet e para të punës, mungesae gjakut etj.

Ai përgatiti kuadrin e nevojshëm, infermiere, për narkozë dhe asistencë. I vetëm në sektorin e tij duhej t’u përgjigjej ndërhyrjeve kirurgjikale të vështira dhe të shumëllojshme, sepse vetë rrethi i Elbasanit përfshinte në juridiksionin e tij edhe: Gramshin, Peqinin, Librazhdin, Cërrikun, Belshin etj.

Gjatë gjithë kohës së punës, dr. Reshat Kapeshtica ka vazhduar ngritjen profesionale e teorike dhe ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me kolegët e tij si me: prof. Frederik Shirokën, prof. dr. Petro Canin, dr. Sotir Polenën, dr. Maksut Drasën etj.

Në 1957 emërohet mjek në kirurgji dr. Kol Papajani dhe në vitin 1958, dr. Agron Egro, të cilët udhëhiqen në përgatitjen e tyre nga dr.Reshat Kapshtica.

Për dr.Reshat Kapshticën nuk mund të lëmë pa përmendur punën voluminoze që ka kryer në kirurgjinë ambulatore, punë që e kryente me shumë përkushtim.

Vazhdoi punën në Elbasan deri në vitin 1968, vit në të cilin familjarisht transferohet në Tiranë, ku emërohet mjek i kirurgjisë ambulatore në Poliklinikën e lagjes Nr. 5, detyrë të cilën e vazhdoi deri në ditën e shtrimit në Spitalin e Tiranës. Dr. Kapshtica vdiq i nderuar më 13 mars 1975, në moshën 75- vjeçare duke i dhënë mjekësisë shqiptare një veprimtari të pandërprerë 37- vjeçare.

Elbasan – 1963. Personeli i spitalit civil. Në mes të tjerëve lart – Esad Bordi, Mehmet Mihali, Emil Mbroja, Pandi Pepivani, Sadik Dinçi, Koço Poro, Sami Bejko, Kolë Papajani, Jasin Çapari, Niko Papajani. Në qendër – Reshat Kapshtica, Burbuqe Belshaku, Sanije Lamaj. Poshtë në mes – Abdyl Arapi