Peter Elezi

Petër Elezi

​Doktor Hasan Kurti në ditarin e mbajtur gjatë periudhës kur u shpërngul në Itali përshkruan mbresat dhe emocionet e jetës shkollore në Politeknikumin mjekësor në Tiranë gjatë viteve 1951-1953. Ai përmend shumë shokë të klasës që më vonë u bënë mjekë dhe kontribuan me profesionin e tyre anekënd Shqipërisë, por mbi të gjitha kujton me respekt ata mësues, që me pasionin dhe përkushtimin për edukimin e brezave u bënë për të dhe për të tjerët shembull frymëzimi.

Njëri prej tyre është profesor Peter Elezi. Ja se ç’shkruan për të Hasan Kurti:

“Në shkollën tonë ishte dhe profesori i gjuhës, i mirënjohuri, Peter Elezi me origjinë nga fshati Shelcan i zonës së Shpatit. Autor i disa teksteve të gjuhës shqipe, ai ishte një pedagog i dashur, punëtor dhe i thjeshtë. Një mësues mjaft i mirë dhe patriot. Kishte merita pune. Ishte i martuar, nuk e di nëse kishte fëmijë. Unë kisha respekt për të dhe i qëndroja gjithmonë afër. Flitej se kishte qenë antifashist i parë. Kishte mbaruar Shkollën Normale dhe banonte në Tiranë.

Me rastin e përfundimit të shkollës së mesme mjekësore, në bllokun e kujtimeve, profesor Petër Elezi më shkruante: “Kije në mendje këtë popull dhe puno për atë (bashkë me shokët e tjerë). Në çastet më të vështira merr fuqi ma të mëdha, mos e humb durimin dhe shpresën e, tue mendue se i shërben popullit tand ban çdo fli për të mirën e këtij” dhe, më pas, citonte fjalët e Faustit: “Meriton liri dhe jetë vetëm ay, të cilit i duhet të fitojë çdo ditë!”

Pas shumë vitesh mësova se profesori im i gjuhës kishte ndërruar jetë dhe në fjalët e fundit para vdekjes kishte thënë: “Të më varrosni në vendin e origjinës sime, në Shpat të Elbasanit”.

 

Shkrimi  i plotë i profesor Petër Elezit në bllokun e kujtimeve të nxënësit të tij, doktor Hasan Kurtit:

“Bir i popullit shqiptar, i ushqyem me djersën e tij, i edukuem me frymën e tij, jeton në gjirin e tij, kije në mendje këtë popull dhe puno për atë (bashkë me shokët e tjerë). Në çastet më të vështira merr fuqi ma të mëdha, mos e humb durimin dhe shpresën e, tue mendue se i shërben popullit tand ban çdo fli për të mirën e këtij.

Kur të jesh në pengesa të mëdha dhe i mërzitun kujto fjalët e Faustit: “Meriton liri dhe jetë vetëm ay, të cilit i duhet të fitojë çdo ditë!”

Dhe kështu i rrethuem me rreziqe, fëmija, i rrituni, plaku do t’i shkojë këtu trimnisht vjetët e tij. Ja këtë pështjellim do të më pëlqente të shihja dhe mbi tokën e lirë të jetoja me popullin e lirë. Atëherë mund t’i thoshja çastit: “Ndalu pra, se je shumë i bukur!”

Pra vetëm me punë, tue kalue çdo pengesë, ti, shokët e shoqet tuaja, Rinia shqiptare do ta shpini popullin në lumturi dhe do të leni gjurmë të pazhdukshme përgjithmonë.

Kujto gjithmonë familjen tande, shokët e fëminisë, mësuesit e shkollën, popullin, vendlindjen dhe puno për të mirën e përgjithshme, për Atdhe.

                                                                                          Tiranë, 20 prill 1954