Doktor Lefter Shella, punëshumi dhe fjalëpaku i radiologjisë shqiptare, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Doktor Lefter Shella, punëshumi dhe fjalëpaku i radiologjisë shqiptare

Pas të mirënjohurit, doktor Nosi, doktor Lefter Shella u kthye në simbolin e njeriut që dinte të punonte shumë dhe të fliste pak, ishte profesionist i zoti i specialitetit të radiologjisë dhe një mik i mirë i çdo pacienti të tij. Radiologjia shqiptare është përfaqësuar herët me figura doktorësh dinjitozë që janë futur në kujtesën e jo vetëm të mjekësisë shqiptare, por edhe të vetë qytetarëve për vetë karakterin , humanizmin dhe profesionalitetin e tyre.
Doktor Lefter Shella ishte një mjek  me pervojë  dhe i preferuari i pacientëve dhe kolegëve të tij. Ai me figurën e tij na bën nder edhe pas vdekjes për vetë faktin sepse i përket plejadës së atyre mjekëve që hodhën themelet e mjekësisë konvencionale në Shqipëri. Ashtu si edhe doktor Nosi, edhe doktor Lefteri, gëzonte respektin edhe të kolegëve të tij. Siç shprehet edhe Dr. Arzen Kashari, i cili s ka punuar për humë kohë me të dy këta korifej të mjekësisë elbasanase  “ata punonin dhe punonin shumë, pa pyetur një herë për shëndetin e tyre. Është një fatkeqësi që nuk i kemi më”. Doktori e ka shkruajtur nderimin e vetes me punën e tij prej një specialisti që mund të krahasohet me atë të qiririt që digjet vetë se vërtet ai u flijua me zanatin e tij për të shëruar njerëzit e tjerë pa dallim feje apo rrace. I lindur në Elbasan në një ditë të shënuar si 28 nëntori 1942, të 66 vitet e jetës së tij janë pak për familjen, bashkëshorten dhe tre fëmijët, por për qytetin dhe shëndetësinë në përgjithësi puna e doktor Lefterit ishte një bekim, një mpleksje ideale e cilësive njerëzore me ato profesionale.


Një qytetar kujtoi një ditë se kur i ishte dashur të shkonte në Tiranë tek doktor Petrit Selenica, ish pedagogu dhe kolegu i doktor Lefterit, ky i fundit i kish thënë me urtësi se “atë që ka parë doktor Lefteri tek ti, nuk kam se çfarë t’i shoh unë më shumë, ndaj ke bërë gabim që ke ardhur këtu.  Ai është profesor e kaluar profesorit”. Ky është vetëm një detaj i vogël po që flet shumë për aftësitë profesionale dhe konsideratën që gëzonte ndër kolegë edhe jashtë Elbasanit. Doktor Lefteri do të kujtohet me nderim nga të gjithë ata që e njohën. Këto rreshta nuk janë mjaftueshëm për të folur për ketë mjek dhe njeri të thjeshtë, prandaj ftojmë ato që e njihnin nga afër të japin përshtypjet e tyre për Dr. Lefterin.

 

Nga Hyqmet ZANE