Mbiemri Dodbiba është i lidhur  ngushtësisht me zanatin e vjetër të sahatçinjve ose orëndreqësve, zanat të cilin e kanë të trashëguar prej brezash.

Familja Dodbiba është me origjinë nga fshatrat e  Mirditës. Ardhja e saj në Elbasan daton që nga viti i largët 1640. Këto të dhëna pasardhësit e Dodbibave i kanë prej dokumentave të Kishës, për të cilat është interesuar personalisht, pasardhësi i tyre Lirak Dodbiba. Fillimisht kjo familje është marrë me punimin e gunave, më pas, duke qenë se në komunitet gëzonin opinionin si njerëz të besuar ato kanë qenë edhe rojtarë të portës së kalasë, midis viteve 1600 – 1700.

Me zanatin e orëndreqësit  Dodbibat kanë filluar të merren aty rreth vitit 1860. Lidhur me këtë një nga pasardhësit e kësaj familjeje, edhe ai trashëgimtar i zanatit të familjes, Frederik Dodobida thotë: “Ish – stërgjyshi im Janç Dodbiba takoi rastësisht një person në Elbasan, tëafërmin e tij, i cili i bëri një propozim, duke qenë se ishin keq nga gjendja ekonomike. Ai i tha të çonin në Rumani djalin që e kishte në  moshë të re tek një miku i tij, që  të mësonte ndonjë zanat dhe të kontribonte në gjendjen ekonomike të familjes. Janç Dodbiba stërgjyshi im, mori me vete gjyshin tim Anastas Dodbiba, asokohe 10 vjeç dhe ikën në Rumani, në qytetin e Bukureshtit. Kjo ka ndodhur në vitin 1870. Kur do kthehej Jançi vdes rrugës në Plodviv, në një qytet në Bullgari.”

Anastas Dodbiba menjëherë pas kthimit nga Rumania hap një dyqan dhe fillon të punojë në zanatin që kishte mësuar në Rumani, orëndreqës. Zanatin ia trashëgon edhe të birit Sif Dodbibës, i cili e përvetëson aq mirë, saqë bëhet një nga orëndreqësit më të mirë e konkurues në vend.

Dyqani i Dodbibave pranë Portës së Kalasë

Dyqani i Dodbibave pranë Portës së Kalasë, në anën e majtë, kati i parë.

Çka e bëntë të veçantë familjen Dodobiba nga orëndreqësit e tjerë, ishte përparimi dhe korrektësia, që për kohën në të cilën punuan nuk e ndeshnim shpesh në Shqipëri. Ata kishin instrumenta orëndreqësie, që rralllë mund t’i kishte dikush në Shqipëri, duke qenë kështu gjithmonë një hap para të tjerëve. Tregëtinë për blerjen e orëve apo instrumenteve të tjera të kësaj natyre, Sif Dodbiba e bënte kryesisht në Itali dhe Austri, i cili nisej me anije dhe pa ditur asnjë gjuhë të huaj arrinte të lidhte tregëti me jashtë. Ajo që vlen të përmendim tjetër është dhe rregullësia me të cilën Dodbibat tregëtonin në dyqanin e tyre modest.

Faturë që përdorte në dyqanin e tij Sif Dodbiba

Faturë që përdorte në dyqanin e tij Sif Dodbiba

Për çdo blerje ose riparim, ato përdornin një bllok faturash, me emrin e Sif Dodbibës, me mallin dhe markën e mallit që tregëtohej, çmimin, emrin e personit që ka blerë apo ka riparuar diçka etj, një praktikë kjo thuajse e zakonshme për ditët e sotme, por shumë e rrallë për Elbasanin në atë kohë.

Në dyqanin e Dodbibave shiteshin e rregulloheshin  orë, shiteshin radio dhe disqe, të gjitha të marra kryesisht nga Italia.

Dyqani i parë Dodbibave ndodhej në krahun e majte të Portës së Kalasë, në ish – Pazarin e vjetër të Elbasanit, ngjitur me një tjetër dyqan orëndreqësish, atë të Isak Tupes, dyqan në të cilin qëndruan deri në vitin 1940. Pas këtij viti Sif Dodbiba bëri një tjetër dyqan në Rrugën e Saçmaxhinjve, që e shohim edhe në foton më poshtë.

Dyqani i Sif Dodbibës në Rrugën e Saçmaxhinjve

Dyqani i Sif Dodbibës në Rrugën e Saçmaxhinjve

Edhe të huajt që vinin të vizitonin dyqanin e Dodbibave në pazarin e Elbasanit, habiteshin nga rregullsia dhe cilësia e mallrave që ndodheshin aty. Dodbibat tregtonin orë të markave më të njohura në Europë dhe botë si: “Vylerveta inkamfleks” e cila njihej si markë prestigjoze kryesisht sepse i rezistonte edhe goditjeve. Përveç saj në dyqan reklamoheshin edhe marka të tjera si: “Serkisoff”, “Omega”, “Longines”, “Zenif”, “Vulcain”. Sa i përket radiove që tregëtonte ato ishin të markës “Nora”, kurse gramafonët “La voce del padrone”. Madje ato bënin edhe sahatë muri me porosi, të cilët i merrnin në Austri, duke stampuar mbi sahatet e xhepit ose të murit stemën Sif A. Dodbiba Elbasan. Kryesisht ktëë lloj marrëveshjeje e kishin me firmen e njohur të sahateve “Bauman” në Vienë – Austri.

Pasioni dhe përkushtimi për punën dhe zanatin e tyre i impenjoi edhe në kërkimin dhe leximin e librave apo udhëzuezve  për riparimin e orëve, duke i dhënë Dodbibave profilin e profesionistëve të vertetë në riparimin e orëve. Ata përdornin kryesisht një libër udhëzues për orëndreqjen, të shkruar në italisht, gjuhë të cilën e njihte mirë, një tjetër pasues i zanatit të orëndreqësve Dodbiba, që ishte i biri i Josifit, Frederik Dodbiba.

Sif Dodbiba është personi që ka montuar Sahatin e qytetit të Peqinit, në vitet ’30.

Udhezues në italisht për riparimin e orëve.

Udhezues në italisht për riparimin e orëve.

Përkushtimi për një zanat, i cili sot i mbetet traditës e historisë së qytetit, e vendos familjen Dodbiba në kujtesën e Elbasanit, si një familje me kontribut të veçantë, që ka se ç ‘tu trashëgojë brezave.