Lindi në Elbasan, më 1 prill 1912.
Shkollën filore e unike e mbaroi në qytetin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme e kreu në shkollën teknike shqiptare-amerikane (dega e mësuesisë) në tiranë, në vitin 1933.
Nga viti 1933-1940 punon mësues dhe edukator në internatin e Matit në Burrel, kurse në vitin shkollor 1940-1941 në Peqin.
Në shtator të vitit 1941 i përgjigjet thirrjes së Ministrit të Arsimit të atëhershëm Ernest Koliqi, për të shërbyer në Kosovë, së bashku me qindra normalistë të tjerë.
Punon fillimisht në Prizren si drejtor shkolle e më pas në Prishtinë si inspektor arsimi i shkollave shqiptare deri në vitin 1950. Nga ky vit e deri në vitin 1975 (vit kur del në pension) shërben si redaktor dhe kryeredaktor në shtëpitë e ndërmarrjet botuese për botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Është autor dhe bashkëautor i disa abetareve të para, i librave të leximit dhe i metodikave për ciklin e ulët. Është autor i studimeve “Frazeologjizmat e gjuhës shqipe dhe shpjegime”, i librit “Prindërit dhe fëmijët”, i librit “Kujtime e shënime” (rreth punës së shkollave të para shqipe në Kosovë gjatë dhe pas Luftës II Botërore).
Ka botuar një numër të konsiderueshëm studimesh në revistat të ndryshme pedagogjike nga fusha e metodikës dhe e didaktikës, nga edukata e fëmijëve, nga gjuha praktike etj.
Mehmet Gjevori mban mjaft dekorata nga ndërmarrja botuese “Rilindja”, “Pioneri”, “Skëndia”, Enti i Mjeteve dhe Teksteve Shkollore, Biblioteka Popullore Universitare, nga Komuna e Prishtinës, etj.

Që nga themelimi i Shoqatës në vitin 1986 e deri në vitin 2001 është Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës dhe në vitin e fundit Kryetar Nderi i kësaj shoqate.
Mehmet Gjevori është lapidar dhe apostull i arsimit shqip në Kosovë dhe një nder për
emrin e një elbasanasi të respektuar, që mban titullin ”Qytetar Nderi” i Elbasanit.

Datë 25. 07. 2004