Nga Hyqmet ZANE

Dhimitër Telezi është skulptori elbasanas që bëri histori me veprat e tij. I lindur dhe i rritur në një ambjent akademikësh siç njihet lagja “Kala” e Elbasanit, ai e vuri veten në rolin e një transmetuesi artistik me veprat e tij skulpturore.

Pak për jetën e tij

Dhimiter Telezi lindi më 4 tetor 1942 në Elbasan dhe arsimin 8-vjeçar e ndoqi në Elbasan, ndërsa shkollën e mesme në liceun artistik në Tiranë. Ka punuar si mësues i shkollës fillore në zonen e Shpatit, Labinotit Mal etj, dhe më pas punoi si mësues i vizatimit në shumë shkolla të Elbasanit duke e mbyllur karrierën e  tij si mësues në shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan. Pasioni i tij dhe kryevepra e jetës së tij është puna në zhanrin e skulpturës duke sjellë në dritë një mori veprash që janë gdhendje të spikatura të historisë sonë kombëtare që lidhen eskluzivisht me Elbasanin.

Çfarë thotë skulptori Vladimir Caridha

Dhimitrin e kam pasur bashkëpunëtor. Ideja dhe dëshira e tij ishte që të trajtonte figura të mëdha për ngjarje të mëdha për ti përjetësuar në art. Ai, duke qenë kalajs, ka qenë i njohur me këto figura dhe ka ditur të fusë në kokën e tij imazhe të njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit.  Kishte një lloj dashurie për këto figura, gjente materiale për ta dhe arrinte ti punonte duke i ngritur në art.

Tek Dhimitri kishte një frymë unike, me një naivitet dhe një sinqeritet që e bënte Dhimitrin të dallohej nga skulptorët e tjerë. Tek punët e tij nuk ka detaje të tëpërta, gjithshka është e skalitur, ka mendim në tërësinë e veprës që tij. Ai mbante një stil në trajtimin e figurave që ishte karakteristikë e tija. Në veprat e tij ai nuk është fotografik, ka identitet, dhe çdo detaj i skulpturës së tij është përfaqësuese. Ai i thjeshtësonte figurat dhe me këtë ai bënte më madhështoren. Janë punë që meritojnë respekt sepse ai ka ditur të hedhë në art ato që të tjerët ndoshta edhe i anashkalonin. Punët e Dhimitrit gjenden kudo në Elbasan, si tek pallati i sportit, tek muzeu etnografik, te muri i kalasë, te shkolla Pedagogjike apo si tek shtëpia e Aleksandër Xhuvanit. Një punë e madhe e tij, ka qenë bazorelievi për shkollën Normale që për fatin e keq u zhduk dhe u trajtua si material bronzi. Tek ky skulptor merrnin jetë edhe pasqyrimi i figurave në medalion dhe ai shprehte një dashuri të madhe për to. Kjo e bënte të veçantë dhe të pakrahasueshëm me të tjerë. Shumë punë të tij sot janë bocete që meritojnë të vlerësohen se janë vepra arti.

Krijimtaria e Dhimitër Telezit

Veprat e tij si “Mësimi i gjuhës shqipe nga Kostandin Kristoforidhi” që ndodhet në Elbasan e vendosur në murin e kalasë përbri shtatores së Aqif Pashë Biçakut (Elbasani) apo “Kongresi i mësonjëtoreve të para shqipe” e vendosur në shkollën pedagogjike, janë mishërim i shpirtit të një artisti që jeton mes vlerave dhe gdhënd vlera, që përjeton historinë e qytetit të tij në shërbim të kombit dhe i përjetëson ato në bronz dhe të skalitura në memorien e një qyteti.

Në bazorelievin “Shkolla e parë shqipe “, janë të derdhura në bronz karaktere personalitetesh që bënë shkollën dhe gjuhën shqipe në kryeqytetin e arsimit. Bazorelievi vepër që ndodhet në murin e muzeut etnografik të qytetit

Kudo ku të sheh syri vepra të tilla të vendosur në pika kyçe, krahas shumë punëve të tjera të skulptorëve të këtij qyteti, do të bien në sy veprat e Dhimitër Telezit që e gdhendi jetën e  tij në historinë e artit dhe të përjetësimit të momenteve më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Bazorelievi “Shkolla e parë Normale” përfunduar në vitin 1976 që për fatin e keq u shkatërrua gjatë trazirave të vitit 1997 . Megjithatë ai e ripunoi dhe momentalisht ndodhet ne studion e tij, si një realitet që meriton vëmendjen e atyre që kanë pushtet për t’i vlerësuar dhe derdhur në bronz . Një vepër tjetër është “Aleksandër Xhuvani” e vendosur në murin e shtëpisë së këtij personaliteti të gjuhësisë shqipe dhe si një akademik i paarritshëm në llojin e tij.

Një tjetër vepër madhështore me permasa 550x450cm ndodhet ne studion e tij e cila titullohet “Bukuria fizike”, si dhe shumë vepra të tjera që ndodhen në disa institucione, si “busti i policit” që ndodhet në Ministrinë e Mbojtjes  apo “Onufri”, “Nuredin Hoxha” që ndodhet në galerinë e arteve në Tiranë, pa folur pastaj për medalione të mëdha historike që kanë mbetur si punë të përfunduara në studion e tij siç mund të cilësohen të tillë Hasan Hoxha Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi që vetë artisti Telezi i kishte të skalitur në memorien e tij për t’i përjetësuar në art kolosët e kombit dhe historinë e ngjarjeve të mëdha.