Bukuri Xhoxhi

E lindur në gusht të vitit 1931, Bukuria shumë e re u bë pjesë e lëvizjes artistike në Elbasan, në vitet 1945-1955.  Kur ajo ishte pjesë e lëvizjes amatore,  artistë si Hysen Biza, Ferit Gjevori, Bukurie Xhoxhi etj, ishin profesionistë të vërtetë. Në atë kohë Bukuria punonte në inspektoriatin e shëndetsisë ku sëbashku me ShajdeNjarenën, i ranë në sy regjizorit Skënder D. Hoxha, i cili ka meritë të veçantë në drejtimin artistik të lëvizjes amatore e më vonë profesioniste të atyre viteve. Bukuria luan role kryesore në pjesët “ Zhorzh Dante” dhe “Përtej pyllit me bredha”. Bie në sy për talentin dhe aftësitë e saj aktoreske.

Në krijimin e estradës, në tetor 1955 bëhet pjestare e kësaj trupe krahas Thanas Borodanit, Hysen Bizës, Ferit Gjevorit, duke qenë kështu e para aktore profesioniste në skenën elbasanase. Bukuria luajti plot 26 vjet në skenë, duke marrë pjesë në 70 premiera e duke interpretuar mbi 200 role të mëdha e të vogla, karaktere të shumta dhe të papërsëritshme. Ishte mjaft kërkuese në punën e saj. Nuk bënte dallim midis roleve. Ashtu siç interpretonte një monolog, p.sh. monologun e brigadieres, ashtu ajo interpretonte dhe rolin e nënës malësore tek vodëvili “Festë në brigatë” të vitit 1977, ku bashkë me Ferit Gjevorin, sado pak rol që kishin, të mbeteshin në kujtesë dhe duartrokiteshin.

Me sukses Bukuria interpretoi edhe në teatër. Kujtojmë dramën “Familja e Peshkatarit” të S. Pitarkës, vënë me sukses në teatrin tonë nga regjizorja Drita Agolli në vitin 1971, ku Bukuria luajti rolin kryesor, atë të Nënës dhe  krijoi një karakter të ndryshëm nga ajo që kishin krijuar aktore të ndryshme në skenat e teatrove të tjera.

Bukuria ishte aktore shumë planëshe. Ashtu siç luante nënën e urtë e të dashur me qetësi dhe ëmbëlsi, në një rol tjetër të një gruaje llafazane ajo shpërthente plot humor, ajo e bënte “zap” spektatorin, i cili duartrokiste dhe qeshte pa pushim me interpretimet e Bukurisë.

Në vitin 1981 Bukuria doli në pension dhe ndejti disi larg skenës, por jo larg shoqeve e shokëve.

Për punën e saj është vlerësuar dhe dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri”  i  klasit të tretë.

Bukurie Xhoxhi ndërroi jetë në 18 dhjetor të vitit 2016.

Bukuri Xhoxhi gjatë rolit të saj në dramën “Lulja e Kujtimit”