Nuk e kujtoj saktë se kur e mësova që vëllai i madh i tim eti jetonte në Itali. Prezenca e tij ndjehej në shtëpi nga kutitë e mëdha metalike të çokollatave me ngjyra krishtlindjesh me stampën “Buon Natale” dhe në gjëra të tjera më të vogla që sillte posta, e që në atë kohë nuk i gjeje në treg.
Qenia e tij “atje” nuk shpjegohej mirë – gjithsesi në cdo rast na bëhej e qartë se ai kishte ikur para vitit 1945 dhe nuk ishte i arratisur.
Në atë kohë Italia dukej si fundi i botës dhe të kishe një të afërm andej dukej si ëndërr. Aq më tepër një të afërm që shkruante rregullisht , dërgonte kartolina urimi çdo vit të ri dhe sa herë shkonte me pushime, dhe cdo rast tjetër gëzimesh a hidhërimesh familiare. Dikur ai i ftoi t’i shkruanin edhe nipat e mbesat të cilët nuk i kishte takuar kurrë.
Duhet të kem qenë rreth nëntë vjeç kur i shkrova letrën e parë dhe pas kësaj për disa vite me rradhë, letërkëmbimi ynë qe i rregullt.
“ I dashur xhaxhi Bim!….”
Ky ishte im ungj Bim Dakli, i cili u nis në Itali për të mbaruar studimet në vitin 1944 dhe me bekimin e nënës së tij jetoi atje pa e parë dot familjen për rreth 50 vjet.
Bim ( Ibrahim ) Dakli u lind në Elbasan më 16 shtator të vitit 1920. Pasi mbaroi shkollën “Plotore” ose “Naim Frashëri” (siç quhet sot), në qytetin e lindjes, prindërit duke vënë re se kishte prirje në lëndët shkencore e dërguan të vazhdojë gjimnazin në Tiranë. Në vitin 1940 mbaroi gjimnazin e Tiranës dhe shkoi për studime të larta në Firence të Italisë. Pas dy vjetësh, për shkak të Luftës u detyrua t’i ndërpresë për ca kohë studimet dhe të kthehet në vendlindje.
Në gjimnaz ishte njohur dhe miqësuar me emra të njohur të lëvizjes antifashiste si Teli Ndini, Qemal Stafa, Vojo Kushi, Ali Demi etj. me të cilët i kishte ruajtur lidhjet edhe gjatë kohës së studimeve universitare. Fashizmin nuk e deshi, ca më pak pushtimin Italian të Shqipërisë, por nuk u bashkua me asnjë nga partitë politike që u krijuan në Shqipëri në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar, sepse nuk e pranonte luftën vëllavrasëse që shpërtheu ndërmjet tyre.

Tiranë , Prill 194o. Maturantë te liceut të Tiranës. Ulur: I pari nga e djatha Pr. Kristo Frashëri, i treti nga e djathta Ing. Bim Dakli. Ne këmbë : në të djathtë të Bim Daklit, Ali Demi.

Tiranë , Prill 194o. Maturantë te liceut të Tiranës. Ulur: I pari nga e djatha Pr. Kristo Frashëri, i treti nga e djathta Ing. Bim Dakli. Ne këmbë : në të djathtë të Bim Daklit, Ali Demi.

Në një mbledhje të rinisë antifashiste shkollore dhe studentore që u organizua në Elbasan në 1943, shprehu hapur bindjet e tij në lidhje me shndërrimin e lëvizjes antifashiste në luftë vëllavrasëse . Kjo qe thyerja e tij e madhe me pushtetin qe do vinte e cila i kushtoi dyzet e shtatë vite të gjata larg atdheut dhe familjes.
Në maj të vitit 1944, Bimi u nis sërish për në Itali për të përfunduar studimet. Në Itali kërkoi statusin e refugjatit politik. Nëse do të ishte kthyer do të ishte persekutuar nga rregjimi dhe do të kishte perfunduar i burgosur , i internuar a i vrarë për bindjet e tij në kundërshtim me atë që po ndodhte në Shqipëri siç ndodhi me shumë nga bashkëatdhetarët e tij që i përkisnin të njëjtës klasë shoqërore të shkolluar, të cilët pavarësisht përfshirjes në politikë u persekutuan nga pushteti komunist vetëm për shkak të formimit të tyre intelektual që përbënte kërcënim potencial për diktaturën .
Në vitin 1946, pasi kishte marrë edhe statusin e refugjatit politik , Bim Dakli mbaroi me rezultatet maksimale studimet dhe u diplomua për Kimi në Universitetin e Firences
Po atë vit filloi punë si laborant (kërkues) kimist në Institutin e Kërkimeve Kimike “Donegani”, në Novarë.
Kjo shënoi për Bim Daklin fillimin e një karriere të gjatë e të sukseshme si kërkues shkencor në shkencën e kimisë që do kërkonte shumë punë e përpjekje po njëkoheshisht do t’i shpërblehej me kenaqësi e përmbushje profesionale.
Dhjetë vjet pas fillimit të punës u emërua drejtor i njërës prej qendrave shkencore të shoqërisë “Montekatini” (më vonë “Montedison”).
Në vitet 1969-1971, u emërua përgjegjësi i kërkimeve dhe teknologjive të Divizionit Petrokimik, me qendër në Milano.
Më 1971-1977, përgjegjës i kërkimeve shkencore dhe teknologjike fillimisht i Divizionit Petrokimik, e më pas i atij të lëndëve plastike

Konference mbi katalizatorët Ziegler-Natta. Milano 1975

Më tej, në vitet 1977-1981, Bimi Dakli punoi si këshilltar i trustit “Montedison” dhe më pas si përfaqësues i “Enit” (Enimont), kryesoi për një vit Shoqatën Europiane të Kërkimeve Shkencore në lëmin e kimisë industriale
“Janë dy faza në punën time në kërkimit kimik “ – do thoshte ai më vonë në një intervistë për gazetën Shekulli – “ në fazën e parë kam një patentë për lëndën që përdoret për bojën e makinave. Një tjetër process është për melaminën që përdoret në kuzhinë po edhe në vende të tjera.
Ndërsa faza e dytë përfshin periudhën kur isha drejtues. Qëllimi im ishte të shtyja dhe ndihmoja bashkëpunëtorër të punonin, kërkonin të zbulonin për të arritur përmbushje profesionale qoftë vetjake por edhe atë të kompanisë. “
Gjatë karrierës së tij shkencore, Bim Dakli numëron 27 patenta për zbulime e shpikje vetë ose me bashkëpunëtorë duke drejtuar rreth 1500 punonjës, nga të cilët 450 doktorrë të shkencave kimike dhe inxhinierë.

Po unë atëbotë nuk kisha si t’i dija të gjitha këto : Për të flitej me shumë mall po nuk jepeshin hollësi të të shumta përveç atyre të familjes së tij të vogël, gruan, djalin dhe më pas dy mbesat, fotot e së cilës na vinin herë pas here.
Akoma i ruaj disa nga kartolinat e tij me shkrimin e pjerrët karakteristik prej njeriu që në jetën e tij ka shkruar shumë.
Ishin letra të shkruara me kujdes që të mos dëmtohej askush nga familja, fjalë që nuk thuheshin kurrë, biseda telefonike të përmbajtura e të kujdesshme duke e ditur se mbase dikush nga ana tjetër e telit përgjonte.
Shumë kohë me vonë më tregonte se dikur, duke udhëtuar me avion mbi Shqipëri ndërsa shkonte në një konferencë në Stamboll, ishte përkulur në dritare duke u përpjekur që të shquante diçka që të çmallej. “Ishte duke u errur – tregonte – dhe poshtë nuk shquhej asgjë përveç disa regëtime të dobëta dritash. Vetëm Tirana ishte pak më e dukshme. Shqipëria dukej si një njollë e madhe e errët në hartën e Ballkanit”.
Bim Dakli në atdheun e tij u la në hije, ishte vetëm një emër që për 47 vjet nuk duhej përmendur me zë të lartë . Atdheu i tij i përçudnuar i ngarkoi mbi supe padrejtësisht kryqin e mallit.
Po Qeveria Shqiptare nuk ngurroi megjithatë, ti kërkonte ndihmë profesionale kur ia pati nevojën, herë në mënyrë të fshehtë ( 1965 – për impiantin e Fertilizuesve në Fier ) e herë zyrtarisht ( 1969 – per fabrikën e gomave në Durrës dhe 1970 për lendë plastike në sera). Bim Dakli u pergjigj se nuk mund te jepte asnjë ndihmë duke shkelur ligjet por zyrtarisht nuk u kursye për të ndihmuar sepse ndihmën profesionale e konsideronte një ndihmë për zhvillimin e vendit të tij pavarësisht kush ishte në krye. Pas vitit 1985 Ambasada Shqiptare në Romë u kujtua më në fund për shkencëtarin shqiptar të lënë në hije për 40 vjet. Filluan të vijnë ftesa për aktivitete të cilat nuk i pranoi. Më pas një ftesë për takim me Sekretarin e parë të Ambasadës diku në një kafe në Romë. U takua atje me perfaqesuesin e qeverise shqiptare i cili u mundua ta grishte te kthehej. Pergjigja ishte e prere : Jo . Nuk mund të punonte për një qeveri diktatoriale që i kishte shkaktuar aq dëme Shqipërisë dhe familjes së tij. Sekretari iu lut të pranonte të paktën një dhuratë simbolike. Nuk e pranoi duke thënë se nuk donte asgjë nga ajo qeveri.

Kujtimet e kontakteve nga Qeveria Shqiptare

E takova për herë të parë në vjeshtën e vitit 1991 – disaj muaj pas rënies së diktaturës kur erdhi në Elbasan . Kurrë nuk do t’i harroj as shprehjen e fytyrës, dhe as hapat e mëdha të pasigurta ndërsa trupi i tij shtatlartë hynte në oborrin e shtëpisë të cilin e kishte lënë 47 vjet më parë. Për fat të keq nënën e tij nuk e pa dot më . Gjyshja kishte ndërruar jetë disa muaj më parë.
Pas kësaj e sa qe gjallë ai do ta vizitonte Shqipërinë çdo vit.
Shtëpia e tij i mbajti dyert hapur për të gjithë të afërmit që vizitonin a u binte rruga në Romë
Per herë të parë e vizitova apartamentin e tij në Romë në vitin 1996 kur shkova një javë për punë. Natyrisht më bëri përshtypje shija në mobilim, ngjyrat e buta, pikturat dhe grafikët dhe veranda e madhe plot lule . Po ajo që më ngeli në mendje ishin librat. Rafte me libra në gjithë shtëpinë – ishin mbi 2000 libra shkencore, artistike, libra për florën faunën , libra për artin, libra kuzhine, katalogë pikturash, enciklopedi.
E vizitova dy vjet më vonë, e më pas në vitin 2010 bashkë me tim bir atëhere 8 vjeçar.
Asokohe jetonte vetëm. E shoqja Renata, gruaja me të cilën kishte kaluar tërë jetën, kishte ndërruar jetë disa vjet të shkuara. Na shëtiti pothuaj në të gjithë vendet historike të Romës duke shpjeguar me detaje historinë e cdo sheshi e monumenti, ndërtese , pikture a afresku që shikonim me një kujtesë të habitshme.
Ato katër ditë që kaluam bashkë më tregoi se kishte filluar të shkruante kujtimet e tij –dhe se i shkruante me makinë shkrimi sepse me kompiuter nuk e kishte fort kollaj. Në atë kohë ishte 89 vjeç. Na tha së nëse dëshironim mund t’i botonim, por pas vdekjes së tij.
Në qershor 2013 ndërsa kthehesha nga funerali i tim eti dhe ndalova në Romë për një tranzit të gjatë përfitova nga rasti t’i bëja një vizitë. E lodhur si isha nga një javë e mundimshme më kishte zënë gjumi. Kur u zgjova ai nuk ishte aty. Kishtë dalë të blinte fruta e ëmbëlsira për mua. U kthye shpejt . I kishte kaluar të nëntëdhjetat po qe i mbajtur, fizikisht, bënte një jetë të thjeshtë e të rregullt pa teprime, në bisedë qe i përmbajtur e me takt dhe gjithnjë i këndshëm. Folëm për familjet , për mbesat e tij, për kujtimet e tij , i tregova histori nga fëmijëria ime dhe më tha që është e rëndësishme që dikush ta tregojë historinë.
Pas disa orësh m’u desh të ikja. Me gjithë këmbënguljen time erdhi më përcolli në aeroport. U përqafuam dhe u ndamë. Ai përqafim është i fundit kujtim që ruaj nga im ungj.
Në dhjetor të vitit 2013 ndërroi jetë . Iku shpejt e me kthjelltësi siç ikin njerëzit që e kanë jetuar gjithë jetën me dinjitet e thjeshtësi . Ishte 92 vjeç.
Para disa vjetësh u botua nga Shtëpia botuese Onufri libri i tij me kujtime në italisht dhe shqip i titulluar “ Copëza malli “
Për mua ky libër ka padyshim vlerë të madhe sepse i njoh personazhet dhe vendet megjithatë besoj se ka interes për shumë lexues të tjerë. Është shkruar me kthjelltësinë dhe objektivitetin e një njeriu i cili është marrë gjithë jetën me shkencë, pa e fshehur mallin për njerëzit dhe vendet po duke u përpjekur t’i tregojë ngjarjet dhe t’i përshkruaje vendet sa më pranë së vërtetës me një imtësi detajesh që të habit.
Bim Dakli qe për gjithë të afërmit dhe ata që e njohën nga ata njerëz që na japin jo rrallë njëlloj krenarie që në fakt nuk na përket. Lidhjet e gjakut apo njohjet me njerëz të shquar nuk na bëjnë domosdoshmërisht më të fisëm e as më të mirë. Ajo çka duhet të përpiqemi të marrim prej tyre është, jo meritat, po një sens kritik ndaj vetes.
Bim Dakli arriti të na tregojë se kushdo që e jeton jetën me dinjitet, integritet e punon fort e ndershmërisht pa bërë kompromise me principet e tij, arrin t’i japë kuptim jetës së tij e të lerë pas një shembull të bukur për tu ndjekur.

( Ajkuna Dakli , 2020)