Bazilika Paleokristiane exta – muros

E gjendur në qendër të qytetit, nën hijen e rrapit simbol të Elbasanit, përbrij hauzit të vetëm të periudhës mesjetare, ku natyra dhe njeriu i kanë bërë bashkë këto tre monumente të rëndësishme kulturore dhe natyrore, bazilika paleokristiane dhe mozaiku shumëngjyrësh i zbuluar  në të janë një  tërheqje (joshje) historike që të shtyjnë të mësosh edhe më shumë për domethënien që përmbajnë dhe historikun që përfaqësojnë.

Bazilika Paleokristiane extra – muros, përbën sipas arkeologëve një nga zbulimet më të rëndësishme  arkeologjike të viteve të fundit në Shqipëri. Ky objekt dhe mozaiku i gjendur në të, janë një zbulim i rëndësishëm edhe në rang rajonal, duke qenë një nga sitet arkeologjike më të veçanta në Ballkan e jo vetëm.

Kjo bazilikë i pati treguesit e parë të ekzistencës së saj në bisedat e zakonshme të qytetarëve elbasanas, sidomos atyre që kishin lidhje me pazarin e vjetër të Elbasanit, nën të cilin u gjend bazilika. Kishte skica që tregonin ekzistencën e saj dhe nga materiale të ndryshme që qarkullonin.  Muzeu Etnografik i Elbasanit nxiti edhe më shumë kërkuesit që të ndërmenin një gërmim në këtë zonë ku mendohej se ekzistonte bazilika, pa pasur akoma në dorë  asnjë fakt të sigurtë.

Me inisiativën e kryetarit të bashkisë së asaj kohe Z. Sejdini, u bënë përpjekjet e para për t’a hapur vendin ku dyshohej se ishte bazilika, në verën e vitit 2007. Gërmime të tjera u ndërmorën në vitet në vijim duke vërtetuar bindshëm praninë e një bazilike, për të cilën ishte folur kaq shumë në burimet e ndryshme historike.

Gërmimi më i rëndësishëm në të ka qenë gjatë vitit 2011, në periudhën 1 gusht – 10 tetor. Ishin arkeologët Elio Hobdari dhe Ylli Cerova, ata të cilët ndoqën gërmimet në bazilikën paleokristiane. Shkrimet dhe shënimet e tyre na japin  informacione të qarta dhe të sakta mbi domethënien, rëndësinë dhe veçantinë e kësaj bazilike.

Bazilika extra-muros në Skampis, që ndodhet rreth 50 m pranë castrum-it në afërsi të rrapit të Bezistanit,  i përket fundit të shek.V të erës sonë. Ajo  ka orientim lindje-perëndim me një devijim prej 17˚ në drejtimin verilinjde-jugperëndim. Ka tre nefe me transept, krahët e të cilit nuk dalin përtej gjerësisë së naosit. Në territorin tonë është e vetmja bazilikë me të tillë transept.

Teknika e ndërtimit që është përdorur në këtë bazilikë është ajo e opus mixtum, me alternim rradhësh të trefishta tullash dhe breza gurësh rreth 50 cm të lartë. Në muret që janë zbuluar deri më tani janë përdorur gurë të rrumbullakët lumi me përmasa mesatare dhe të vogla si dhe më pak janë përdorur dhe me përmasa të mëdha.

Absida gjysmërrethore ka dalje më të madhe se rrezja e saj. Për sa i përket harkadave ato kanë qenë me pesë harqe dhe katër mbështetjet e tyre janë dy pilastra me muraturë dhe dy kolona të vendosura në mënyrë të alternuar. Skemë e cila është unikale pasi nuk është hasur më parë në vendin tonë. Nefi qëndror ka qenë më i lartë se anësorët dhe këtë gjë e vërteton gjetja e një kolone dritareje dyshe. Absida në një fazë të parë ka pasur një dritare të madhe, e cila është murosur në një fazë të dytë ku është krijuar një dritare më e vogël.

Përsa i përket dyshemesë së bazilikës, nefi qëndror i saj është i shtruar me mozaik polikrom i organizuar në dy panele, një në lindje dhe një në perëndim.

Nga gërmimet e realizuara deri tani është arritur të përcaktohen konturet e kishës, por ende nuk është arritur që të kapet se deri ku shtrihen anekset në veri dhe në jug si dhe pjesët e narteksit dhe të ekzonarteksit ose të atriumit në perëndim. Muret e kishës janë të shkatërruara në mënyrë të njëjtë në të gjithë sipërfaqen e gërmuar.

Një nga elementët më të veçantë të kësaj bazilike është Mozaiku. Një pjesë e mozaikut që gjendet në nefin qëndror i takon një bazilike paleokristiane,  është e shtruar me pllaka guri gëlqeror dhe ndoshta në një periudhë pas shkatërrimit të bazilikës janë edhe disa varre. Në murin jugor të nefit jugor ruhen dy shtresa pikture me motive gjeometrike, ndërsa lartësia e muri arrin deri në një lartësi të konsiderueshme prej 1.80 m.

Pamje e përgjithëshme e një pjese të mozaikut të bazilikës

Mozaiku në nefin qendror është i ndarë në tre panele, ku në panelin e parë, atë lindor janë të paraqitura eukaristia me dy figura njerëzore dhe kafshë e shependë si: kaproj, lepuj, zogj por edhe hardhi e rrushit si simbol i vazhdimësisë së jetës. Në panelin e dytë i cili ruhet jo plotësisht janë të evidentuara pemë me fruta dhe zogj të cilët janë në fluturim ose pranë pemëve. Në të dallohen kafshë e shpendë të ndryshëm, ndërsa në dy anët e kraterit ndodhen dy figura njerëzore, një mashkull në anën e majtë mjaft mirë i ruajtur dhe një femër në të djathtën e cila është më pak e ruajtur. Paneli perëndimor, i zbuluar pjesërisht, mbi një sfond të bardhë ka tri pemë të gjelbëruara me fruta të kuqe mbi të cilat nga drejtime të ndryshme fluturojnë shpendë të ndryshëm për të ngrënë frutat.

Në panelin e tretë paraqitet bota ujore ku janë të shprehura një peshkatar, peshq të shumtë, karkaleca, oktapod, delfinë etj.

Teserat që janë përdorur për ndërtimin e mozaikut, janë prej guri, mermeri dhe brumi qelqi  me dimensione më të vogla 1 cm x 1 cm. Ngjyrat e teserave janë të tonaliteteve të  ndryshme të të gjelbrës, ngjyrës së zezë dhe të paktën një prej të kuqes. Teserat prej qelqi transparent me një cipë ari, të gjetura gjatë gërmimit, janë të mozaikëve vertikalë.

Shtrati ku është i vendosur mozaiku është ndërtuar me llaç të fortë dhe sasi të madhe pluhuri tulle duke i dhënë një ngjyrë të kuqe të theksuar.

Dyshemeja tjetër e hapur është ajo e nefit jugor e cila është e ndërtuar me pllaka guri gëlqeror të çrregullta. Dyshemeja është prishur në dy vënde pasi është përdorur si varrezë e për dy fëmijë.

Ky mozaik vlerësohet shumë dhe për një cilësi artistike të arrirë në krijimin e figurave të ndryshme që ndodhen në të. Mozaikët janë ruajtur jo plotësisht në pjesë të ndryshme të bazilikës.

Në narteks ndodhet një tjetër mozaik që ka motive ku janë të paraqitura figura shpendësh.

Nga materialet arkeologjike të zbuluara nga gërmimet është konstatuar ose mendohet që edhe kupola në zonën e apsidës ka qenë me mozaik.

Absida ka qenë e mbuluar me gjysmëkupolë e cila ishte e veshur me mozaikë ku dominojnë teserat me brumë qelqi. Gjetje copëzash mozaiku të bëjnë të mendosh se ka pasur mozaik mural, por që ende nuk është vërtetuar.

Në bazë të bashkëpunimit franko shqiptar, studiuesit francezë të cilët kanë ardhur në Elbasan kanë bërë të mundur dokumentimin dhe  studimin shkencor të bazilikës dhe mozaikut që gjendet në të janë shprehur se ky mozaik është një ndër më të bukurit në vendin tonë. :

Deri më tani në bazilikë janë zbuluar me  mozaik këto ambiente: pjesa e absidës në perëndim të objektit, pjesa e altarit, nefi qendror dhe narteksi.

Përsa i përket tonaliteteve dhe ngjyrave që janë përdorur në bërjen e këtij mozaiku janë evidentuar 23 lloje të ndryshme ngjyrash, nga të cilat veteëm ngjyra jeshile ka tre nuanca. Një tjetër veçori e këtij mozaiku është fakti se për herë të parë në vendin tonë pranë eukaristisë (apo kupës së jetës), janë gjetur dy figura njerëzore e një mashkulli dhe e një femre. Zakonisht pranë eukaristisë gjenden figura kafshësh apo shpendësh dhe ky është bën përjashtim. Bazilika e Elbasnait është e vetmja deri më sot që ka praninë e një figurave njerëziore pranë kupës së jetës. Në nefet veriore e jugore në një moment të dytë kanë shërbyer si varre.

Detaj i mozaikut të bazilikës

Bazilika paleokristiane extra-muros, edhe pse është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, është akoma e pazbuluar plotësisht. Edhe pse mozaiku i saj nuk është i zbuluar për t’u parë nga kureshtarët, ju nuk duhet të humbisni një vizitë në rrënojat e kësaj bazilike e cila në vetvete përmban një mori elementesh sa interesantë aq edhe mistikë.