Bardhul Dakli ishte fëmija i parafundit i Hysen dhe Rukije Daklit. Ai lindi më 12 Prill 1934. Pas hyrjes në shkollë, ai shumë shpejt dallohet për zgjuarsinë dhe pasionet e tij.

Në vitin 1953 ai përfundoi studimet e mesme në shkollën Normale.

Me mbarimin e Normales, Bardhuli emërohet menjëherë si mësues, por natyrisht në një zonë tepër të largët të jugut të Shqipërisë, në Progonat të Skraparit. Bardhuli nuk ishte i vetmi prej mësueve të familjes Dakli që emërohej kaq larg qytetit të tij.

Në vitin 1955 transferohet nga Progonati në Perondi të Beratit, ku punonte prej disa vitesh edhe vëllai i tij më i madh Samiu.

Për tetë vjet me radhë në Perondi, Bardhuli dha mësim pothuaj në të gjitha lëndët e shkollës, që nga fizika, matematika, gjuha, letërsia, biologjia, kimia, fiskultura e deri tek vizatimi,për të cilën ai e pranonte që nuk kishte talent. Kjo përvojë e lidhi shumë më fort atë me arsimin dhe profesionin e mësuesit dhe djaloshi i Progonatit shumë shpejt do të kthehej në një edukator të palodhur që iu përkushtua njërës nga dashuritë e mëdha të jetës së tij,dashurisë për shkollën dhe për profesionin e mësuesit.

Gjatë kësaj kohe ai përfundon edhe studimet e larta me korrespondencë në Institutin Pedagogjik dhe më pas edhe fakultetin e gjuhës dhe të historisë në Universitetin e Tiranës.

Në vitin e tetë të punës në Perondi, Bardhul Dakli bëhet drejtor i shkollës, duke marrë kështu një lloj shpërblimi për punën e madhe dhe plot pasion të tij.

Rezultatet dhe emri i mirë i krijuar në Perondi, bëri që autoritetet e kohës ta emëronin drejtor në shkollën tetëvjeçare “18 Tetori” të qytetit të Kuçovës,që atëhere kishte emrin Qyteti Stalin.

Drejtori i ri i shkollës së madhe të qytetit me mbi 1000 nxënës, iu vu punës me pasion për të ndryshuar pamjen dhe ngjyrat e shkollës,për të krijuar laboratorët dhe stendat e informimit dhe të inkurajimit të nxënësve. Pas tre viteve në shkollën tetëvjeçare “18 Tetori”, Bardhuli transferohet në shkollën e mesme të Naftës, apo në Teknikumin e Naftës, siç quhej atëhere ku dha lëndët e gjuhës dhe të letërsisë,t ë cilat do t’i vazhdonte deri në fund të karrierës së tij.

Gjatë kohës që punoi në Kuçovë ai nisi edhe krijimtarinë e vet letrare. Bardhul Dakli shkroi dhjetëra vjersha,tregime dhe përralla për fëmijë një pjesë e të cilave u botuan në revistat e kohës për fëmijë Fatosi dhe Yllkat.Përrallat e veta më të mira ai i përmblodhi në një libër për fëmijë që u botua vitin 1991.

Me natyrën pozitive dhe komunikimin e hapur, Bardhul Dakli fitoi shumë shpejt respektin dhe dashurinë e nxënësve, kolegëve dhe të shumë qytetarëve të Kuçovës.

Në fundin e viteve 60-të,Bardhuli lidh jetën e vet me Melkizet Xhajën e cila vinte nga një tjetër familje e njohur në Elbasan. Pas përfundimit të studimeve për Gjuhë- Letërsi në Universitetin e Tiranës, Melkizeti kishte punuar si mësuese në fshatrat e Librazhdit dhe më pas në ato të Elbasanit. Me 1969 Melkizeti së bashku me vajzën, të sapo lindur bashkohet me Bardhulin në Kuçovë dhe fillon punë si mësuese në shkollën e Perondisë ku më 1972 lind djali. Me 1973 emërohen të dy në rrethin e Elbasanit ku më pas në 1979 lind edhe fëmija I tyre i tretë.

Pas rreth 16 vitesh në Perondi dhe Kuçovë, Bardhuli transferohet në shkollën bujqësore të qytetit të Cërrikut, kurse e shoqja Melkizeti u emërua në shkollën tetëvjeçare të fshatit Shtëpanjë të Elbasanit ku edhe punoi deri në fund të jetës së saj .

Në shkollën e mesme bujqësore “Mihal Shahini” të Cërrikut,Bardhuli, krijoi një nga bibliotekat më të mira të shkollave në të gjithë Shqipërinë. Përsëri edhe këtu,ai vijoi pa bujë dhe me modesti punën e një heroi të heshtur të arsimit shqiptar, i cili nuk motivohej nga postet, në detyrë apo fletëlavdërimet e kohës, por nga rezultatet konkrete të punës, nga arritjet dhe suksesi i nxënësve të tij.

“Shkolla duhet të shërbejë si një udhërrëfyes në rrugën e tyre të gjatë të formimit të personalitetit si dhe duhet të kanalizojë prirjet e tyre”, thoshte Bardhuli.

Rrapo Zguri, ish nxënës i Bardhulit,thotë……”I kam borxh jetën në një farë mënyre…”

Ish-nxënësi i Bardhul Daklit në shkollën e mesme bujqësore të Cërrikut, Mentor Kikia, sot gazetar i dëgjuar, kujton: ”Fati im nuk ka qenë ndonjë biletë lotarie, por mësuesi im i letërsisë, të cilit nuk ia thashë dot asnjëherë në sy këtë. Ai quhet Bardhul Dakli dhe iku nga kjo jetë pak muaj më parë. E kujtova mësues Bardhulin, pasi ai sot nuk do të jetë mes nxënësve të tij, që në fakt ishin fëmijët e ish-nxënësve të tij. Këto radhë nuk janë thjesht homazh për një mësues, por një ndjenjë mirënjohjeje…..”

Në 80-vjetorin e bibliotekës, shkruhet., për kontributin e vullnetarëve,”..Midis tyre mund të përmendim me respekt edhe z.Bardhyl Dakli. Edhe sot do të shikosh në skedarë shkrimin e veçantë  të Bardhylit…Një intelektual mëse i formuar,ndihma e të cilit ishte mjaft e çmuar,pothuajse në të gjithë sektorët më të rëndësishëm të bibliotekës”.

Për mbi 50 vjet shoqëria dhe shteti shqiptar janë treguar mjaft të kursyer dhe ndonjëherë edhe cinikë në shprehjen e mirënjohjes së tyre ndaj këtij kontributi të njerëzve të punës. Kështu ndodhi edhe me Bardhul Daklin. Vetëm pas daljes në pension, ai do të merrte një lloj shpërblimi moral nga shteti dhe shoqëria: Në vitin 1989, ai u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të dytë. Po në këtë vit atij do t’i jepej titulli i lartë “Mësues i Merituar”, ngjarje kjo që tregoi edhe njëherë mungesën e seriozitetit dhe  të burokracisë qeveritare në Shqipëri.  Në ceremoninë e organizuar, ku ishte i pranishëm edhe vetë Bardhuli, ai dëgjoi me veshët e tij të thuhej: “I jepet titulli “Mësues i Merituar” Bardhul Daklit, pas vdekjes.

Bardhuli u ngrit në këmbë i qetë , falënderoi të pranishmit dhe me humor tha “Ju falenderoj për vlerësimin. Titullin po vij ta marr pas vdekjes”  U largua dhe sa qe gjallë pranoi ta merrte titullin.

Dalja në pension për Bardhul Daklin ishte thjesht dhe vetëm një akt formal. Me natyrën dhe temperamentin e tij ai nuk mund të dilte në pension. Pas kohë pas daljes në pension më 21 janar 1992 iu desh të përballet me humbjen më të madhe të jetës së tij : Pas një sëmundje të rëndë largohet nga jeta, bashkëudhëtarja e tij, Melkizeti. Pasuan disa vite të vështira por shpejt iu rikthye punës.

Në moshën 64 vjeç ai ndërmori një inisiativë e cila do të ishte shumë më pranë natyrës, përvojës dhe idealeve të tij. Lindi kështu idea për hapjen e një shkollë private (jo-publike ) në qytetin e Elbasanit. Shkolla “Dakli” u ndërtua duke patur në themel ëndrrat dhe dëshirat e themeluesit të saj për të krijuar një institucion arsimor i cili duhet të ishte sa më pranë idealeve të tij për shkollën. Në themel të veprimtarisë së shkollës Dakli qëndron dhënia e dijeve dhe njohurive praktike që do t’i nevojiten fëmijëve në jetët e tyre.

Në vitin e saj të dhjetë shkolla jo-publike Dakli, kishte krijuar një emër shumë të mirë në qytetin e Elbasanit,dhe numëronte mbi 150 nxënës të një cikli të plotë të arsimit fillor nga klasa e parë në të nëntën . Por me kalimin e viteve mosha kishte bërë të vetën dhe shëndeti i drejtorit të saj nisi të paraqesë probleme serioze. Në vitin 2009, Bardhuli u diagnostikua me një sëmundje të rëndë. Këtë radhë, njeriu i paepur,do të detyrohej t’u nënshtrohej rrethanave shëndetësore.

Pa themeluesin dhe drejtorin  shkolla e kishte të vështirë vazhdimin. Në në vitin 2012 Bardhuli vendosi  me keqardhje mbylljen e saj.

Në 15 qershor të vitit 2013, zemra e fortë e Bardhul Daklit pushoi së rrahuri. Erdhi koha e pushimit të përjetshëm, për një jetë që kurrë nuk e kishte njohur pushimin.Erdhi momenti i bashkimit të përjetshëm me dashurinë e jetës së tij, Melkizetin.

Historia e një kombi është historia e jetëve dhe e punëve të njerëzve të tij. Bardhul Dakli ishte pa dyshim nje pjesë e vyer e arsimit shqiptar . Gjatë gjithë jetës ai kërkoi dhe ndërtoi tek vetja dhe u përpoq të ndërtojë edhe tek nxënësit e tij njeriun dhe qytetarin e mirë. Mësues dhe edukatorë si Bardhuli e lënë veprën e tyre pas në themel të një shoqerie  dukë u bërë kështu premisë për një të ardhme më të mirë.