Avokat Ibrahim Dedej, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Avokat Ibrahim Dedej

Ibrahim Dedej i përket atij grupi intelektualësh elbasanas që iu përkushtuan ngritjes dhe forcimit të shtetit të ri Shqiptar që në fillimet e tij.
U lind në 1887 në qytetin e Elbasanit në një familje qytetare, e cila ishte e lidhur me rrethet përparimtare të kohës. Xhaxhallarët e tij ishin bashkëpunëtorë të Abdyl Frashërit dhe së bashku me atdhetarë të tjerë themeluan degën e “Lidhjes” për Elbasanin. Për veprimtarinë e tyre në kuadër të Lidhjes së Prizrenit, ata janë dekoruar me urdhërin “Për veprimtarinë politike”.
Ibrahim Dedej vazhdoi studimet jashtë vendit. Shkollën e mesme e kreu në Manastir dhe studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll, ku u diplomua në vitin 1911. Zotëronte persishten, turqishten, frëngjishten dhe italishten.
Në vitin 1911, në moshën 24 vjeçare, emërohet në Tuz (sot Mali i Zi) si ndihmës prokuror, por me zhvillimin e kryengritjes së malësive të veriut, po në këtë vit braktis detyrën në mbështetje të kësaj levizjeje. Pas shpalljes së Pavarësisë, Qeveria e Ismail Qemalit e emëron mësues në gjimnazin turk të Elbasanit, më vonë prokuror po aty dhe në 1913 prokuror të Tiranës dhe të Durrësit, por pushohet nga puna prej Ministrit të Brendshëm të Qeverisë së re, Esad Toptani.
Më vonë ka punuar me ndërprerje në detyrën e gjyqtarit në rrethe të vogla si Pogradec, Lezhë e Lushnje. Në vitin 1922 punon si prokuror në Elbasan dhe në 1923 emërohet Prokuror i Gjirokastrës duke u ngarkuar përkohësisht dhe me zëvendësimin dhe ushtrimin e funksioneve të Prefektit të Prefekturës së Gjirokastrës, kohë gjatë së cilës bën miqësi me Salih Cekën, patriot dhe atdhetar i shquar nga zona e Çamërisë. Miqësinë dhe shoqërinë me të, e konsolidoi më 1920 duke lidhur motrën e tij në martesë me të dhe duke u ngritur kështu kundër paragjykimeve e mentalitetit të kohës.
Në verën e vitit 1924 emërohet nga qeveria e Fan Nolit, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë, dhe me ngritjen e Gjyqit Special për dënimin e shkaktarëve të vëllavrasjes, sipas pikës së dytë të Programit të Qeverisë së Nolit, caktohet njëkohësisht edhe Prokuror i këtij gjyqi.
Pas përmbysjes së qeverisë së Nolit emigron jashtë shtetit bashkë me patriotë të tjerë të njohur shqiptarë. Vendoset në Bari të Italisë, në fillim në një shtëpi të vogël bashkë me Luigj Gurakuqin.
Vdes në rrethana misterioze i helmuar në gusht 1936, në moshën 49 vjeçare.
Që në vitet e para të punës në Shqipëri u rradhit në krah të patriotit Aqif Pashë Elbasani, me të cilin familja e tij ishte tradicionalisht e lidhur duke iu kundërvënë forcave kundërshtare që përfaqësoheshin atëherë nga Esad Pashë Toptani, Shefqet Bej Vërlaci etj. Ai iu kundërvu urdhërave dhe shkeljeve ligjore të Ministrit të Brendshëm të kohës, Esad Toptani, i cili pas kërcënimeve e pushoi nga puna si Prokuror i Durrësit dhe Tiranës.
Në 1920 Ibrahim Dedej bashkë me Aqif Pashën, Ahmet Daklin dhe patriotë të tjerë në Elbasan siguruan që të fitonin delegatë të krahut progresist për në Kongresin e Lushnjes midis të cilëve Aqif Pashën në Peqin dhe Salih Cekën në Sulovë. Në lëvizjen politike të vitit 1920-1924 Ibrahim Dedej ka dhënë një kontribut me vlerë. Ai bëhet pjesëtarë i grupimit “As i Pashës, as i Beut” që u ngrit në Elbasan si një nga grupimet politike përparimtare të kohës me anëtarë Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Daklin, Kostaq Cipon, Simon Shuteriqin, Salih Cekën, Thanas Floqi, Rra[ush Demeti, etj.
Në 1923 organizohen zgjedhjet për në Asamblenë Kombëtare. Ibrahim Dedej vë kanditaturën e tij për deputet si përfaqësues i grupimit politik “As i Pashës, as i Beut” në zonën e Çërmenikës, ku populli e donte dhe respektonte, jo vetëm si atdhetar e njeri i mirë por edhe për ndërhyrjet e tij të drejta në dobi të njerëzve, kur punonte si prokuror në Prefekturën e Elbasanit. Por krahu kundërshtar i Shefqet Bej Vërlacit e akuzoi për braktisje të detyrës në Gjirokastër dhe për ndarje jo të rregullt në atë prefekturë të zonave elektorale në favor të krahut progresist. Ata morën masa administrative ndaj Ibrahim Dedejt dhe e penguan atë në fushatën elektorale. Ndërsa ky botoi në shtypin e Elbasanit manipulimet dhe shkeljet e ligjit nga njerëzit e Beut duke nënshkruar nën siglën “As i Pashës, as i Beut”. Në vitin 1924 Ibrahim Dedej si dhe shumë intelektualë të tjerë elbasanas aderuan në organizatën “Bashkimi” të themeluar nga Avni Rustemi dhe merr pjesë në përpjekjet mbarëkombëtare të intelektualëve progresistë kundër instalimit në Shqipëri të regjimit të Ahmet Zogut. Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit, fillon karvani i vuajtjeve dhe raprezaljeve për familjen Dedej. Ai merr rrugën e arratisë sepse dënohet nga gjyqi politik i kohës. Vëllai i tij pushohet nga puna si drejtor i shkollës “Agimi”, ndërsa kunati i tij Salih Ceka arrestohet dhe vritet në 1 shkurt 1925 nga xhandarët pa asnjë formalitet dhe familjes nuk i tregohet as vendi i varrimit.
Sipas dëshmisë okulare të Esat Dishnicës në një kafe të Barit, një atentator tenton të shtjerë kundra Ibrahim Dedejt dhe Shefqet Korçës por çmobilizohet nga ndërhyrja e shpejtë e Shyqyri Pezës që ishte në tavolinën pranë. Gjatë kohës në mërgim ai nuk pranoi asnjë ndihmë financiare të ofruar nga qeveria e Musolinit. Ai nuk pranoi as oferta të Zogut që ishte shpallur mbret, se po të kthehej do t’i jepte detyra të rëndësishme.
Ibrahim Dedej është dekoruar në vitin 1959 me “Urdhërin e Lirisë”, klasi i dytë, si dhe në 1974 Qeveria Shqiptare kthen eshtrat e tij në atdhe nga Italia, të cilat u rivarrosën në qytetin e Elbasanit në këndin e atdhetarëve.

 

Përgatitur nga Shpresa Dedej