Thanas Floqi lindi në qytetin e Korçës, më 14 janar të vitit 1884. Mësimet e para i mori në qytetin Karsevara të Greqisë, ndërsa gjimnazin e mbaroi në Misolongji. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin e Athinës, në fushën e jurisprudencës. Kthehet në atdhe në moshën 21 vjeçare.

Qëndron për pak kohë në Shqipëri e më pas emigron në SHBA, ku edhe themelon shoqërinë atdhetare “Malli i mëmëdheut”, e cila më vonë u bë pjesë e shoqatës “Vatra”. Në të njëjtën periudhë ka botuar edhe shkrime të ndryshme në gazetën “Kombi”.

Kthehet sërish në atdhe, në vitin 1908, për t’u instaluar në qytetin e Vlorës, ku zhvillon një veprimtari  të pasur teatrale e muzikore. Më pas shkon drejt Korçës, qytetit të tij të lindjes, ku përfshihet  në luftën për mbrojtjen e alfabetit të gjuhës shqipe, me shkronja latine.

Lëviz sërish nga Korça, kësaj here për të shkuar drejt Vlorës, e më vonë në Cakran të Mallakastrës, ku hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe.

U thirr në Vlorë para shpalljes së pavarësisë. Ishte personi që bashkë me dy të tjerë, përgatiti të gdhendur në gurë boçen e flamurit kombëtar dhe kompozoi muzikë për vjershën “O Flamur i Shqypnisë”.

Pas Shpalljes së Pavarësisë shërbeu si jurist në administratën shqiptare dhe më 1913 ishte përkthyes pranë Komisionit Ndërkombëtar. Më pas erdhi të punojë në Elbasan, pranë Aqif Pashë Biçakçiut, prefektit të asaj kohe.

Në vitin 1914 emërohet kryesekretar në Ministrinë e Drejtësisë.

Botoi shqip ligjin “Mbi gjyqin e Paqit”.

Pas grushtit të shtetit të Esat Pashë Toptanit u vendos përfundimisht në Elbasan, ku zhvilloi një veprimtari të gjërë patriotike, duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me atdhetarë të tjerë elbasanas, veçanërisht me Lef Nosin.

Për disa kohë ishte mësues në shkollën e gocave, kurse në vitin 1920 punon si mësues në shkollën Normale.

Njihte mirë disa gjuhë të huaja si: greqisht, turqisht, anglisht, frengjisht, italisht e latinisht, njohuri të cilat e kanë bërë atë përkthyes të disa veprave nga frengjishtja e italishtja. Kishte njohuri jo vetëm në jurisprudencë, por edhe në gjuhësi, muzikë, teatër, gazetari e publicistë. Ka botuar: “Kujtimet për kryengritjet e1914 -tës”, “Gramatikë e Gjuhës Shqipe për shkollat e mesme dhe të larta””, ishte pjesë  e fjalorit “Fjalor italisht – shqip”, etj.

Ka qënë një nga themeluesit e Shoqatës Teatrale të vitit 1918 në Elbasan, të cilën e drejtoi si udhëheqës artistik në teatër e muzikë. Për disa kohë ka qenë edhe drejtues i bandës “Afërdita”.

Thanas Floqi ka lënë pas një trashëgimi të vyer atdhetare. Ai do të jetë gjithmonë në kujtesën qytetare, patrioti, intelektuali dhe veprimtari i kulturës e shtetit.

Vdiq në Elbasan, në vitin 1945.