Duke kërkuar fotografi për 55 vjetorin e krijimit të Estradës, më ra në dorë një fotografi e vitit 1957, ku ishin stampuar disa orkestrantë adoleshentë që formonin një formacion orkestral simpatik. Në atë fotografi janë Sytki Çerekja, Ilmi Belshaku, Zyhdi Goga, Fatmir Harja, Petrit Pistoli, Abdyl Haxhimusaj, Petrit Gani. Krahas tyre një djalosh më i vogël, i cili quhej Atal Hastopalli.

Mësuesi i tij i parë, që i ka mësuar fizarmonikën ka qenë Azmi Bumçi. Tali ishte 12 vjeç, kur mori në duar atë vegël, e cila ishte mjaft e gjërë për moshën e tij dhe ai dukej sikur fshihej prapa saj. Që nga viti 1956 kur e mori për herë të parë në duar e deri në vitin 2006 kur doli në pension, për 50 vite rrjesht nuk u nda nga fizarmonika në asnjë çast.

Aq shumë e ruante fizarmonikën, sa kur shkonim turne nëpër fshatra, nuk e ngarkonte nëpër mjetet ku vendoseshin bagazhet, por e mbante në krah dhe ecte me të orë të tëra.

Atali bëhet pjestar i Estradës Profesioniste në vitin 1962, ishte 18 vjeç, orkestra në ato vite drejtohej nga Shefqet Pitja, nën drejtimin e të cilit Atali e perfeksionoj më tej interpretimin me fizarmonikë. Në vitet 1963 – 1965 shkon ushtar dhe mbas mbarimit të saj kthehet përsëri në karriken e fizarmoniçistit. Por Atali nuk mbeti një fizamorniçist i thjeshtë. Me punë, pasion e vullnet ai e rriti shumë nivelin e tij profesional. Mbahen mend mirë pjesët orkestrale për fizarmonikë të luajtura me mjeshtëri nga Atali, sidomos pjesa me temë popullore “Ishin dy kunata” kompozuar nga mjeshtri Alfons Balliçi dhe nje etyd nga Shopen e përshtatur për fizarmonikë. Në vitin 1972 një grup artistësh do të jepnin koncerte në Rumani dhe për këtë qëllim u mblodhën instrumentistë nga i gjithë vendi. Ishte me konkurim, më të mirët do të formonin grupin për koncertin. Atali konkuroi midis 30 instrumentistave të tjerë dhe fitoi. U pëlqye shumë nga komisioni, ku bashkë me mjeshtrin Alfons Balliçi u bënë pjestarë të atij grupi mjaft cilësor artistik që dha shumë koncerte në Rumani.

Me punën e tij ai u bë mjeshtër i orkestrimeve sidomos të këngëve popullore. Në çdo premierë ai orkestronte dy këngë popullore e dy të muzikës së lehtë. Ai i pasuronte orkestrimet duke i bërë introduksione të veçanta, mjaft të pëlqyeshme, të cilat kanë mbetur edhe sot. Për këtë pasion të tij ai jep një detaj nga jeta e tij artistike. Në vite 1965 – 1967 ai punonte ose më mirë i binte fizarmonikës në orkestrën e Turizmit( kur mungonte ndonjë instrumentist ose e ftonte ndonjë shok i orkestrës). Në një moment pushimi, në derën e Turizmit duket një burrë elegant me flokë të bardha, krehur bukur dhe me një shall të bardhë me kuadrat mbi xhaketë. Afrohet tek orkestra, merr karriken dhe ulet pranë tyre. Luan Gjylbegu, fizarmonicist i talentuar me përzemërsi i drejtohet burrit. Usta, këngës tënde i kam bërë një introduksion të ri. Mirë, ta ndigjoj një herë, përgjigjet burri. Luani luan me fizarmonikë, burri dëgjon dhe flet me ëmbëlsi. Luan, më pëlqeu, kështu luaje gjithmonë këtë këngë. Mbas ndonjë gjysmë ore burri flokë bardhë largohet. Atali u bë kurioz dhe pyet Luanin, kush ishte ky burri simpatik. Luani përgjigjet:- Nuk e njeh, është i madhi Leksi Vinit. Atali emocionohet, mediton thellë, dhe me fantazinë e tij, bisedon sinbolikisht me usta Isuf Myzyrin. Usta, dëshiroj të fus nga shpirti im artist, në orkestrimet e këngëve të tua, a më jep leje ? Ustai përgjigjet, po e pëlqeu populli mbaje. Kjo bisedë tashmë fantazi në mendjen e Atalit bëri të mundur që ai të orkestrojë me pasion e dashuri këngët e Ustait të Madh dhe kulmin ai e arriti në orkestracionin e këngës ”Si bilbilat në pranverë” kënduar po me aq mjeshtëri dhe ëmbëlsi nga vëllezërit Zena. Një orkestracion po aq mbresëlënës është ai i këngës ”Erdh pranvera me jeshile” kënduar po nga vëllezërit Zena, qe me një kontra kanto që e futi Atali, u pëlqye nga të gjithë specialistët. Në vitin 1980 në shtëpinë e Atalit troket këngëtarja e madhe e këngës popullore Fitnete Rexha. Fitnetja i drejtohet : Çuno, kam nigju fjalë t’mira për ty, du me bo nji koncert recital për vete, se në Tiranë nuk ma varin mo, se dula në pension. Patjetër, përgjigjet Atali me atë fisnikërinë dhe gadishmërinë e tij, që e kishte gjithnjë. Koncerti u bë, doli me sukses, Fitnetin e shoqëroi orkestra e Estradës Profesioniste të Elbasanit dhe ky koncert u filmua në Radio Televizionin Shqiptar.

Atali ishte nga ato orkestrantë e drejtues që punonte me këngëtarin për zbërthimin e këngës. Po me aq pasion ai punonte me aktorët në mësimin dhe interpretimin e parodive apo kupleteve.

Atali për 50 vjet në Estradë dhe sot në pension është modeli i njeriut punëtor, me edukatë dhe artist në punën e tij.

Atal Hastopalli me fizarmonikë midis tre intrumentistëve: Në klarinetë Faik Sulejmani, në dajre Viktor Boçi dhe kitarë Naim Mino.

Atal Hastopalli me fizarmonikë midis tre intrumentistëve: Në klarinetë Faik Sulejmani, në dajre Viktor Boçi dhe kitarë Naim Mino.