At Josif Papamihali

Prifti katolik i ritit bizantin, At Josif Papamihali, ka lindur në Elbasan në vitin 1912. Ai u përzgjodh midis të rinjve të tjerë, nga misionari Pietro Scarpelli, për të qenë kandidat i jetës priftërore, në seminarin papnor “Benedetto XV”, në abacinë greke të Grottaferrata. Në 5 vitet që kaloi në seminar, sjellja e tij ishte  e lavdërueshme.

Nga Grottaferrata shkoi më pas në Romë, ku vazhdoi studimet për teologji dhe filozofi, në Kolegjin Papnor grek të S. Atanasio.

Në përfundim të studimeve teologjike, në 1 dhjetor të vitit 1935 u bë prift po në kishën e S.Atanasio në Romë. E la kolegjin grek në korrik të vitit 1936.

Me zell iu përkushtua drejtimit shpirtëror të besnikëve të tij, të besimtarëve edhe në kishën e Elbasanit. Ai ishte për to, ashtu siç e kujtonin edhe të moshuarit në Elbasan, një At shpirtëror i gëzueshëm dhe një bashkëpunëtor i vëmendëshëm në familje, për të zgjidhur problemet e tyre.

Në vitin 1945, me vendosjen e komunizmit në Shqipëri, duke qenë se Papa Josifi ishte prift, u dënua me punë të sforcuar. Atë e dëguan në Maliq të Korçës, për të punuar në bonifikimin e kënetës. Kushtet ishin shumë të këqija, pa ushqim të mirë dhe ndonjëherë me temperatura të akullta. Këto e çuan atë në një gjendje të mjerueshme dhe fiziku i tij i rënduar nuk mundi më t’a përballonte.

At Josif Papamihali ndërroi jetë në 26 tetor 1948.

Vëllai i tij, Kostaqi, i lindur në Elbasan në 1919 u dënua me pushkatim në vitin 1952, sepse ishte vëllai i një prifti.

Kisha katolike e Elbasanit mban sot në gjirin e saj dy martirë të devotshëm.