Kongresi i Lushnjës  që zhvilloi punimet nga data 21 deri më 31 janar të vitit 1920, përbën një nga Kogreset më të rëndësishme në historinë tonë. Për trajtesën e vendimet që mori, ky kongres u dallua për tendencat demokratike që pasqyroi në veprimtarinë e  tij.

Një mbështetës i fortë i idesë së demokratizimit të shtetit shqiptar ishte edhe Aqif  Pashë Elbasani (Biçakçiu). Ai ishte kryetar i  Kongresit të Lushnjës, si dhe i Këshillit të Lartë të zgjedhur nga ky kongres. Patrioti Aqif Pashë Elbasani mori fjalën e tij në këtë kongres dhe   iu përgjigj të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur kështu ceremoninë e hapjes së Kongresit.

Ai kishte një peshë të madhe përgjegjësie në këtë kongres. Ishte simboli i demokratizimit, gjë e bëri që shumë herë të kishte edhe përplasje për mendimet e tij përparimtare. Duke qenë  se kishte mospërputhje me qarqet konservatore politike , të cilat iu kundërvunë frymës së Kongresit të Lushnjës, ai u largua nga Shqipëria në mars të vitit 1922, duke qenë gjithmonë aktiv dhe i zjarrtë në çështjet kombëtare e duke mos i lënë asnjëherë pas dore derisa ndërroi jetë.