Aqif Pashë Elbasani

Aqif Pashë Elbasani ose Aqif Pashë Biçakçiu është padyshim një nga figurat më të rëndësishme të historisë sonë lokale, por edhe asaj kombëtare, me atribute patriotike e atdhetare të jashtëzakonshme dhe me një veprimtari të ngjeshur politike.

Ai u lind në Elbasan, në vitin 1860. Rridhte nga një familje atdhetarësh dhe si e tillë e rriti djalin e saj Aqifin me një personalitet atdhetari e shumë të lidhur pas çështjes kombëtare.

Mësimet e para i mori në shkollën turke të qytetit të lindjes dhe studimet e larta i kreu në Stamboll.

Veprimtaria e tij në kontekstin historik i përket periudhës së Rilindjes Shqiptare, kjo veprimtari u evidentua dukshëm dhe u konkretizua edhe më në favor të çështjes shqiptare sidomos në etapën e fundit të Rilindjes, pikërisht në vitet 1908 – 1912.

Kontributi i tij vlerësohet edhe sot, në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare, por edhe përtej tyre, pavarsisht se aktiviteti i tij ishte gjithëpërfshirës ai do të jetë gjithmonë pjesë e historisë si politikani i arsyeshëm, me vizion perëndimor, që me urtësinë dhe logjikën e tij diti në shumë raste të rradhitej në anën e duhur të politikës dhe të japë zgjidhjet më të mira për çështjen kombëtare.

Aqif Pasha është Prefekti i Parë në Historinë e Administratës Vendore kombëtare shqiptare. Ai ishte një nga mbështetësit kryesorë të Ismail Qemalit dhe me Shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912, Prefektura e Elbasanit ishte bastioni kryesor i Qeverisë së Vlorës.

Në periudhën e Princ Vidit, ishte një nga mbështetësit kryesor të tij dhe pati detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Përveçse në Elbasan që ishtë padydhim një figurë e respektuar e me autoritet politik, edhe në Shkodër gjatë një periudhe që qëndroi atje ai u bë një nga figurat më të pëlqyera, sidomos edhe pse punoi shumë për të penguar vëllavrasjen  në Kryengritjen Fshatare të vitit 1914 – 1915.

Në vitin 1916 ai bëhet protagonist në shumë rrethana, punon pareshtur për thirrjen e Kongresit të Elbasanit , i cili do të vendoste për krijimin e një Shqipërie Etnike, nën mbrojtjen e monarkisë dualiste. Pushtuesi e ndaloi këtë kongres dhe ky ishte një zhgënjim i madh për të e për figura të tjera.

Aqif Pasha doli Kundër Kongresit të Durrësit, mbështeti Qeverisjen e Vidit, e njohur edhe nga fuqitë e mëdha. Pati rol të rëndësishëm gjatë qëndrimit austro – hungarez e u bë një nga figurat kryesore. Dha shumë bursa studimi për studentë të arsimoheshin jashtë, sidomos në Austri.

Ka qenë delegat e përfaqësues i Elbasanit në kongrese dhe takime të rëndësishme që në moshë të hershme, diku tek 18 – vjeç.

Në vitin 1894 ai u zgjodh anëtar i Këshillit Administrativ të Prefekturës së Elbasanit Gjatë periudhës së sundimit turk gjithmonë ka qenë ekuilibrues dhe ka qenë një ndërmjtës i mirë midis perandorisë osmane dhe vete populli, duke ulur gjakrat jo pak herë.

Më 1906, me ferman të sulltani ai emërohet anëtar i këshillit administrativ të prefekturës së Elbasanit dhe i akordohet dekorata “Misi Brisan”, për shërbimet në dobi të vendit e atdheut.

Deri në vitin 1908 ai vuante shpirtërisht për gjendjen e popullit, edhe pse ishte në dijeni të aktiviteteve ilegale për mësimin e shqipes, shpërndarjen e librave e gazetave etj. Pas shpalljes së Hyrijetit (Kushtetutës), më 13 gusht 1908, ai merr pjesë në krijimin e shoqërisë “Bashkimi” në Elbasan. Që në këto momente ai fillon të merret aktivisht me lëvizjen kombëtare dhe që këtu veprimtaaria e tij inkuadrohet tërësisht në shërbim në çështjes sonë kombëtare.

Bëhet iniciator i hapjes së shkollave shqipe në Elbasan e rrethina, zhvillon takime për të mbledhur fonde, bëhet drejtues i klubut “Bashkimi”. Në korrik të 1909 ai zgjidhet si një nga delegatët e Elbasanit në Kongresin e Dibrës. U angazhua seriozisht për hapjes e Shkollës Normale në Elbasan.

Kongresi i Dibrës, në mes me xhaketë të bardhë Aqif Pasha.

Kongresi i Dibrës, në mes me xhaketë të bardhë Aqif Pasha.

Po në vitin 1908 me ardhjen e misionarit Çarls Telford Erikson, ai e ndihmon këtë të fundit për hapjen e një kolegji protestant, e bën këtë sepse sipas tij Amerika nuk paraqiste rrezik për interesat e kombit, dhe e dyta për të pasur një prani amerikane në qytet me kushtin që Eriksoni t’i përmbahej parimeve amerikane.

Në vitin 1910, për shkak të fushatës së Shefqet Turgut Pashës, që arrestoi e rrahu shumë atdhetarë Aqif Pasha u largua nga vendi dhe shkoi në Napoli, ku qëndroi nga gushti deri në dhjetor të viti 1910. Pasi e sqaruan situatën në Stamboll, në fillim të vitit 1911 ai kthehet në Elbasan dhe bie në kontakt me Komitetin e Fshehtë për Lirinë e Shqipërisë. Shtëpia e tij ishte pikë takimi e mbledhjeve të fshehta dhe organizim i luftës kundër osmanëve.

Më krijimin e komitetit Revolucionar të Elbasanit kjo luftë merr një përmasë tjetër dhe Aqif Pasha bëhet organizator i Çetës së Martaneshit e më pas të Byshekut. Me shpërthimin e kryengritjes së përgjithëshme shqiptare hyn në kontakte me krerët e kryengritjes në Kosovë.

Më 25 Nëntor 1912, 35 përfaqësuesit e komunitetit elbasanas shpallën pavarësinë në kërcënim serb. Edhe në këtë ngjarje ai pati rol kryesor, sepse ishte ai që ngriti flamurin, por edhe personi që organizoi e propagndoi për një ditë të tillë.  Ai i siguroi përmes kontakteve dhe burimeve të tij Ismail Qemalit rrugën nga Durrësi në Vlorë. Në shtëpinë e tij u bë mbledhja për delegatët që do iknin në Vlorë nga Elbasani, për Shpalljen e Pavarësisë më 1912.

Nga mbledhja e parë e qeverisë në Vlorë ai u emërua unanim si Prefekti i Elbasanit. I pari prefekt në Historinë e Shtetit të Pavarur Shqiptar. Elbasani ishte një kryeqendër administrative.

Gjatë kophës që ishte prefekt ka bërë një drejtim të shkëlqyer të qytetit, duke u kujdesur për ruajtjen e qetësisë e rendit publik, Xhandarët në këtë periudhë kishin simbole shqiptare në qeleshe. Ai vuri një strukturë administrative në prefekturë, krijoi drejtori dhe ka qenë ai që për herë të parë në Shqipëri, organizoi sistemin e ri gjyqësor, krijoi gjyaktën dhe prokurorinë dhe kërkoi që në çdo institucion të përdorej gjuha shqipe. U mor edhe me sistemin fiskal. Për aq jetëgjatë sa që Qeveria e Parë në Shqipërinë e Pavarur i detyrohet shumë kontributit të Aqif Pashës, jo vetëm brenda vendit por edhe për politikën e jashtme që ai ndoqi.

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913 ai u delegon e telegrame forumeve ndërkombëtare, sensibilizon miq të huaj të ngrenë zërin kundër padrejtësive që po i bëheshin shqiptarëve.

Luftoi hapur e pa kompromis Esat Pashë Toptanin dhe intrigat e tij

Me ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri ai bëhet mbështetës i tij.Më pas me turbullirat që erdhën më pas me Luftën e Parë Botërore u mundua të mbronte vendin me çdo kusht. Me ardhjen në Elbasan në vitin 1916, të forcave bullgare fillimisht e më pas atyre austro – hungareze ai u mor seriozisht me organizimin e administratës shqiptare në përgjithësi, jo vetëm të Elbasanit. Ai shpresonte tek propaganda proshqiptare e Vienës, ashtu si shumë atdhetar të tjerë. Ai ishte Ministër i Brendëshëm në Periudhën Austro – Hungareze.

Në vitin 1918 u krijua në Shkodër KMK- Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, në të cilin mori pjesë aktivisht Aqif Pasha.

Doli kundër Kongresit të Durrësit në 25 dhjetor të vitit 1918, duke thënë se ishte i panevojshëm përderisa tanimë ishte shpallur Pavarësia dhe doli hapur kundër interesave të shteteve të tjera.

Në vitin 1919, bashkë më Konicën, Hasan Prishtinën etj u zgjodh delegat për të përfaqësuar interesat kombëtare në Konferencën e Paqes.

Kongresi Kombëtar i Lushnjës ishte një vulë e madhe në Histori dhe mbetet akoma. Aqif Pasha pati rolin e protagonistit në të. Në vitin 1920 bëhet një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjës dhe për punën që bëri e popullaritetin që gëzonte u zgjodh kryetar i kongresit dhe anëtar i këshillit të lartë të tij.

Në fund të vitit 1920 ai u zevendësua si anëtar i këshillit të lartë dhe forcat konservatore të kohës morën drejtimin e vendit. Duke parë këtë konsolidim të kundërshtarëve të tij Aqif Pasha zhvendoset në Vienë dhe më 4 maj të viti 1923 ai formon atje Partinë Kombëtare dhe prezanton programin e saj, që ishte shumë demokratik e përparimtar, përfshinte pluralizmin politik e parlamentar, krijimin e një shteti juridik etj.

Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1923 për Kuvendin Kushtetues zgjidhet përfaqësues i Korçës dhe nga Viena falenderon përzemërsisht popullin e Korçës për këtë zgjedhje.

Në ngjarjet e qershorit të viti 1924, me qeverinë e Nolit mban qëndrim indiferent dhe tërhiqet gradualisht nga jeta politike derisa ndërron jetë më 10 shkurt të vitit 1926. Në vitin 1995, më 25 Nëntor për nder të tij u ngrit edhe shtatorja në qendër të qytetit.

Aqif Pashë Biçakçiu

Në një letër që Ismail Qemali i dërgon Aqif Pashës, më 23 nëntor 1913, midis të tjerave i shkruan se “…nuk e di për emrin tim, por di të them se emri juaj si patriot do të mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë”… dhe ashtu mbeti.

Aqif Pashë Elbasani do të kujtohet gjithmonë si politikani, atdhetari e strategu që  gjithë potencialin e pasurinë e tij ia kushtoi lirisë e pavarësisë së kombit shqiptar, bashkimit të trojeve etnike dhe organizimit të shtetit shqiptar.

 

Referenca:

Kotherja Hyqmet, “Pavarësia e Elbasanit“, 2 lindje 2 perëndime, Tiranë, 2012, fq. 18 – 32.

Bevapi Kujtim, Plangarica Tomorr, “Në panteon, drejt Panteonit”, Elbasan, Silver, 2000, fq. 89 – 95.

Elbasani – Enciklopedi, Elbasan, Sejko, 2003, fq. 59 – 62.