Prof. dr. Aleksandër Xhuvani (1880-1961) është një figurë poliedrike, shumëdimensionale, jeta dhe veprimtaria e të cilit shtrihen në disa periudha të rëndësishme  të historisë së re popullit shqiptar. Ndër fushat më të rëndësishme të veprimtarisë së tij është edhe arsimi dhe mendimi pedagogjik shqiptar. A. Xhuvani ishte vazhdues i idealeve të larta dhe përpjekjeve  të ideatorëve dhe mësuesve të mëdhenj të Rilindjes  Kombëtare, si dhe  veprimtari më i shquar i arsimit shqiptar në gjysmën e parë  të shek. XX, themeluesi i pedagogjisë moderne shqiptare dhe i arsimit profesional të mësuesve shqiptarë.

Profesor dhe veprimtar i arsimit. A. Xhuvani lindi në Elbasanin e K. Kristoforidhit dhe studioi për gjuhësi në Universitetin e Athinës në periudhën e Rilindjes.  Nga viti 1905 dhe në vijim ai publikoi edhe shkrimet e para për një alfabet të përbashkët të shqipes, për një “gjuhë letrëtare”, për libra e shkollë kombëtare shqipe. Në vitin shkollor 1906/07  ai filloi  veprimtarinë arsimore, si mësues i gjuhës shqipe në  kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës (1906/07), themeluar nga “tatëmadhi” Jeronim De Rada.

Në vitin 1909 u themelua Shkolla Normale e Elbasanit, njëra nga arritjet kulmore të Rilindjes Kombëtare, e cila luajti rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen  profesionale të mësuesve shqiptarë dhe në zhvillimin të arsimit kombëtar në përgjithësi. A. Xhuvani ishte njëri nga themeluesit e saj. Veprimtaria e tij tri dekada me radhë, me ndërprerje të vogla, ishte e lidhur  ngushtë me këtë “tempull të diturisë kombëtare”. A. Xhuvani ishte, jo vetëm profesor apo drejtues  zyrtar i kësaj shkolle,  por edhe drejtues pedagogjik, shkencor dhe shpirtëror i saj. Në këtë akademi kombëtare u arsimuan me qindra e qindra mësues, shkrimtarë, shkencëtarë e veprimtarë të tjerë, të   cilët  punuan në arsim dhe në sektorë të tjerë të jetës dhe të punës në Shqipëri e jashtë saj.  Në vitin 1929, në këtë shkollë u regjistruan edhe vajzat e para, mësueset e ardhëshme shqiptare. Normalja e Elbasanit u shndërrua në qendër kombëtare e lëvrimit të gjuhës shqipe dhe e zhvillimit të mendimit pedagogjik e të praktikës didaktike-metodike, ku kontribut të veçantë dha  A. Xhuvani. Ushtrimorja e saj u shndërrua në laborator ku eksperimentoheshin metoda, forma e mjete të reja mësimore. Normalja e Elbasanit u quajt edhe “Normale e Xhuvanit”.

Veç punës në Normalen e Elbasanit, A. Xhuvani kontribuoi shumë edhe në konsolidimin dhe zhvillimin e sistemit të arsimit kombëtar, sidomos në vitet e njëzeta dhe të tridhjeta të shek. XX. Ndër të tjera, ishte kryetar i Këshillit të Epërm Arsimuer në Qeverinë e Sulejman Delvinës, ku u angazhua dhe punoi shumë për hartimin e legjislacionit të ri shkollor, të dokumenteve themelore të shkollës, për krijimin dhe unifikimin  e terminologjisë shkollore, për arsimin dhe organizimin e mësuesve etj.  Ai ishte organizues ose pjesëmarrës aktiv në kongreset arsimore të viteve 1920, 1922 dhe 1924.  Në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit (1929-1933), ai u angazhua për forcimin e mëtejmë të arsimit në vend, për zgjerimin e rrjetit shkollor dhe shtetëzimin e plotë të arsimit, për demokratizimin dhe laicizimin e tij, për modernizimin e përmbajtjeve dhe metodave mësimore etj.

Fushë tjetër e veprimtarisë së A. Xhuvanit, kryesisht gjatë periudhës në fjalë, ishte edhe hartimi dhe botimi i teksteve të shkollës fillore dhe të mesme (më pas edhe të lartë). Nga viti 1919, kur botoi tekstin e parë “Libri i gjuhës a gramatikë: Pjes’e parë”,  ai (qoftë si autor ose bashkautor) botoi ose ribotoi afër 40 tekste shkollore të  gramatikës e të sintaksës shqipe, abetare, libra  leximi, antologji, tekste të letërsisë së vjetër greke e arbëreshe, të stilistikës e të letërsisë së përgjithshme, të pedagogjisë e të psikologjisë etj, ndër të cilat janë edhe  tekstet: “Didaktikë e Edukatë” (1926), “Fillime të stilistikës e të letërsisë së përgjithshme” (bashkautor me Kostaq Cipon, 1930); “Psikologji e shtime në punë të edukatës” (1933), të cilën Norbert Jokli e cilësoi vepër “monumentale”, pastaj “Didaktika” (1937), “Edukatë” në dorëshkrim etj. Në studimet dhe tekstet e tij gërshetohen natyrshëm A. Xhuvani dijetar dhe A. Xhuvani gjuhëtar. Tekstet e tij u përdoren, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqiptare jashtë saj, madje edhe në diasporë. Ato  shërbyen edhe si model metodologjik për autorë të tjerë të teksteve shkollore shqipe. Edhe në Kosovë gramatikat e para të gjuhës shqipe u hartuan sipas modelit të teksteve të Aleksandër Xhuvanit. Veç teksteve shkollore, ai ishte edhe redaktor, recesent, përkthyes  etj. Me tekstet shkollore të A. Xhuvanit filloi një etapë e re në tekstologjinë shqiptare. Ndërkohë ai e intensifikoi bashkëpunimin me shumë revista e gazeta të kohës, si: “Revista pedagogjike”, “Normalisti”, “Kumtari arsimuer”, “Shkolla e re”, “Mësuesi”,  “Shkolla kombëtare” etj, ku trajtoi çështje të ndryshme pedagogjike, arsimore, mësimore etj.

Gjatë periudhës së pushtimit fashist të vendit, A. Xhuvani u emrua drejtor (komisar) i gjimnanzit në Shkodër, por për shkak të qëndrimeve e sjelljeve të tij antifashiste, autoritetet e kohës e pushuan nga puna.  Ndërkohë, qëndroi edhe në Kosovë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse i moshuar, ai ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Arsimor dhe i Komisionit Pedagogjik, me ç’rast dha ndihmesën e tij të çmuar në reformën arsimore në Shqipëri të vitit 1946. Ai  ishte  njëri nga themeluesit i Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës (1946) dhe drejtuesi i seksionit të gjuhës e të letërsisë në atë institut. Ndaj, institutin në fjalë do të emërohet Instituti i Lartë Pedagogjik  “Aleksandër Xhuvani”. Kështu, A. Xhuvani, krahas punës kërkimore-shkencore në fushën e gjuhësisë etj., kontribuoi shumë edhe në themelimin e zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Mendimi pedagogjik. A. Xhuvani është themeluesi i pedagogjisë moderne shqiptar. Mendimin iluminist të rilindësve shqiptarë e ngriti në nivelin mendimit pedagogjik shkencor-teorik. Për këtë mësojmë nga veprat dhe studimet pedagogjik-psikologjike të tij, nga tekstet e programet mësimore, nga puna dhe eksperienca e tij si mësimdhënës dhe drejtues i arsimit. Në veprat pedagogjike të tij, A. Xhuvani trajtoiçështje të ndryshme të pedagogjisë, si shkencë (teori) dhe art (praktikë).

“Pedagogji (sipas tij), quhet sot ditunija e arti i mësimit dhe i edukatës së njeriut”.  Ajo ka lidhje të ngushtë me psikologjinë, fiziologjinë, logjikën, higjienën, sociologjinë, antropologjinë, moralin.  Psikologjinë e edukimit e konsideron si “pjes’ eparë” e “fillimeve të pedagogjisë”.  Për qëllime pedagogjike e mësimore, A. Xhuvani shkroi, përktheu dhe publikoi një varg punimesh psikologjike. Shkroi dhe botoi  edhe veprën  “Psikologji e shtime në punë të edukatës”, bazuar në një bibliografi prej 44 veprash në gjuhën gjermane, franceze dhe italiane të psikologëve e pedagogëve më të shquar botërorë, si: G. Compayre, W. Wundt. A. Lay, A. Binet, E Meumann, W. James, J. Dewey, E. Claparede, J. Piaget, G. A. Colozza etj.Veç kapitujve hyrës, kjo vepër ngërthen tri pjesë kryesore: 1. “Të njohunit”. 2. “Të ndiemit e vet-vehtes”. 3. “Të dashtunit”, ku “ngjarjet shpirtore” ose “fenomenet psiqike” trajohen nga aspekti i psikologjsë së përgjithshme, fëminore, patologjike, fiziologjike, eksperimentale etj., në funksion të ngritjes së cilësisë së edukimit dhe të mësimit. Libri përfunon me një fjalorth psikologjik: shqip, frengjisht, italisht-gjermanisht.

Në kuadër të sistemit të disiplinave pedagogjike, sipas A. Xhuvanit bën pjesë pedagogjia e përgjithshme, e cila merret me përkufizimin e edukatës, me qëllimin, detyrat, parimet, mjetet e edukatës etj. Angazohet për edukimin e njeriut punëtor, të guximshëm, të ndershëm,”me gjykim më vehte e të lirë”, luftëtar për të vërtetën, për të mirën e popullit të vet dhe të njerëzimit përparimtar.

Shumë i rëndësishëm është edhe kontributi i tij në  fushën e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik botëror dhe shqiptar.  Nga këto fusha publikoi disa punime dhe citoi shumë vepra dhe pedagogë të ndryshëm botërorë. Për Pestalocin botoi studimin “J. H. Pestalozzi…” (1927).  A.Xhuvani, personalisht, ishte një “historie gjallë” e arsimit dhe e pedagogjisë shqiptare.

Didaktika ishte ajo me të cilën A. Xhuavani u mor në mënyrë të veçantë. Kontribuoi në themelimin dhe ndërtimin e didaktikës shqiptare, të pedagogjisë shkollore dhe të metodikës së mësimdhënies. U mor me trajtimin teorik dhe  praktik të përmbajtjeve e metodave mësimore, të parimeve didaktike,të ambienteve shkollore, të personalitetit të mësuesit etj. Përkitazi me mësuesin ai shkruan: “Vetë vetëdija që mësuesi asht tue formue gjan ma fisnike në botë, shpirtin e njeriut, duhet ta naltësojë e ta nxisë që të punojë sa ma shumë për atë.”Gjithashtu, ai rekomandon: “Nxanësit duhet të mbajnë mend përmendësh vetëm ato gjana qi i kuptojnë.” Ai apelonte: “t’ja lëshojmë vendin shkollës aktive…duhet të merret parasysh psikollogjia e fëmisë, nevojat e tij dhe e drejta e tij me rrnue i lirë dhe i lumtun…”.Si metodist, ai dha kontribut të vyer, sidomos, në metodikën e mësimit të abetares, të gramatikës e të letërsisë.

Aktuale janë edhe idetë dhe qëndrimet e tij për edukimin parashkollor dhe atë familjar, për edukimin e të rriturve, të gruas, të fëmijëve me nevoja të veçanta etj. Për këta të fundit, A. Xhuvani shkruan: “Fëmit  në nji gjendje anormale psyqike e fysiologjike,… kanë nevojë për edukatë e për mësim ma tepër se të shëndoshët.”

Sistemin e tij pedagogjik-mësimor A. Xhuvani e mbështeti në mendimit pedagogjik të Komenskit, Pestalocit, Distervegut, Herbartit, në pedagogjinë  shkollës së re (reformiste), në fund të shek. XIX e fillim të shek. XX, në idetë dhe idealet e Rilindjes Kombëtare etj. Ai nuk ishte vetëm njohës dhe interpretues i pikëpamjeve të tyre, por shpeshherë atyre u qaset në mënyrë kritike e kreative.  E çmoi, Pestalocin, por njëkohësisht e kritikoi monometodizmin dhe formalizmin e tij në mësim. I çmoi edhe shkallët formale të mësimit, duke shtuar se mësuesit me përvojë mund ta organizojnë mësimin edhe në mënyra të tjera.  U shpreh kundër koncepteve pedagogjike të pedagogut italian Lombardo-Radiçe dhe kundër reformës Gjentile të arsimit në Italinë fashiste etj.

  1. Xhuvani nuk ishte ithtar i ndonjë rryme pedagogjike të veçantë. U përpoq që të gjitha arritjet e pedagogjisë t’i fusë në funksion të shkollës dhe arsimit shqiptar. Bëri të mundur që pedagogjia evropiane “të flasë” edhe shqip

Veprimtaria shkencore, arsimore dhe personaliteti i A. Xhuvanit çmohen dhe vlerësohen shumë. Ndër të tjera, ai u nderua edhe me titujt  “Mësues i Popullit” dhe “Doctor honoris causa”. Mësuesit dhe pedagogët shqiptarë e cilësuan “Mësuesi i mësuesve shqiptarë”, përkatësisht “Pedagogu i pedagogëve shqiptarë”. Emrin e A. Xhuvanit e mbajnë me krenari disa institucione arsimore, siç e mban atë edhe Universiteti i Elbasanit. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, u organizua një konferencë shkencore kombëtare në Tiranë dhe disa sesione shkencore. Siri Shapllo, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Gjovalin Shkurtaj, Mehmet Gjevori, Bedri Dedja, Nuri Abdiu, Tomor Osmani dhe studiues të tjerë shkruan dhe publikuan shumë artikuj studimorë dhe e vlerësuan lartë veprën dhe personalitetin e tij. Ndërkaq, studiuesit: Bardhyl Graceni, Sotir Temo, Nikoleta Mita, Hajrullah Koliqi dhe Shefqet Riza, personalitetin dhe veprën madhore e këtij korifeu të gjuhësisë, arsimit, pedagogjisëdhe psikologjisë shqiptare, e përjetësuan në monografi të veçanta.