​Ylli Popa – ish Kryetari i Akademisë së Shkencave

Ylli Popa lindi më 12 janar të vitit 1930, në qytetin e Elbasanit. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku kreu arsimin fillor në shkollën e lagjes “Kala”. Arsimin e mesëm e kreu në Normale, ndërsa arsimin e lartë e vazhdoi në Bukuresht, në Institutin Mjekësor – Farmaceutik, përgjatë viteve 1948 – 1954.

Në vitin 1954 kthehet për të punuar në atdhe dhe bëhet drejtues i katedrës së Biokimisë.

Në vitet 1957 – 1958 fillon punë si pedagog në katedrën e terapisë spitalore.

Ishte viti 1958 kur Ylli Popa shkoi në Moskë për studime dhe në vitin 1961 ai fitoi gradën “Kandidat i shkencave ” (Doktor i Shkencave), duke u specializuar dhe  profilizuar në kardiologji.

Bashkë më Petrit Gaçen, mikun dhe kolegun e tij, themeluan shkollën e kardiologjisë shqiptare. Nën drejtimin e tij u organizua kualifikimi i vazhdueshëm i klinikës së kardiologjisë në vendin tonë.

Në vitin 1967 emërohet shef i katedrës së terapisë spitalore dhe në 1971 i jepet titulli “Docent”.

Përgjatë vitit 1972 – 1973 drejtoi repartin e kardiologjisë dhe më pas katedrën e propedeutikës. Nga viti 1973 deri në 1983, për një periudhë mbi 10 vjeçare Ylli Popa drejtoi shërbimin e kardiologjisë.

Në 1986 iu dha titulli “Profesor” dhe vetëm në vitin 1987 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave së shkencave të Shqipërisë. Nga viti 1997 u bë kryetar i saj.

Ka botuar vazhdimisht në organet shkencore brenda e jashtë vendit, studime dhe artikuj mbi sëmundjet e zemrës. Ka përfaqësuar me dinjitet kardiologjinë shqiptare në kongrese e konferenca shkencore në vend dhe jashtë tij, në Europë e më gjërë. Është bashkëautor në tekste universitare.

Zotëronte këto gjuhë të huaja: anglisht, frengjisht, italisht, rusisht, rumanisht, njohuri të cilat i jepnin mundësinë që të përkthente edhe libra.

Për disa vite ka qenë i zgjedhur si kryetar i Shqipërisë në Unionin Mjekësor Ballkanik, anëtar i Komitetit të Helsinkit, kryetar i komisionit të Fakultetit të Mjekësisë për vlerësimin e disertacioneve, anëtar i komisionit të lartë të kualifikimit shkencor.

Ylli Popa, ka kaluar përgjegjësitë e profesionit të tij, duke u angazhuar edhe në jetën politike të vendit. Kjo ka bërë që ne vitet 1982 – 1990, ai të gëzojë edhe pozicionin e deputetit të Kuvendit Popullor, përgjatë dy legjislaturave.

Për shërbimet e kontributin e tij  ndaj popullit e shkencës, Ylli Popa mban disa dekorata dhe urdhra pune.

Ylli Popa u nda nga jeta në 15 gusht të vitit 2017.