Ahmet Hastopalli lindi në Elbasan më 1894.

Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, ndërsa gjimnazin e kreu në Selanik. Më pas vijoi studimet për Drejtësi në Stamboll, ku qëndroi tre vjet.

Ai ka qënë një militant i idesë kombtare që në rininë e tij. Kur ishte nxënës gjimnazi, formoi në Elbasan shoqërinë e të rinjve «Drita» me qëllim shkrimin e leximin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e saj sidomos në fshatra.

Gjatë kohës që qëndroi në Selanik ka qënë sekretari i shoqërisë së studenteve shqiptarë. Në atë kohë kur u dëbuan nga shkolla nxënësit grevistë shqiptarë të gjimnazit te Manastirit, shoqëria e studentëve të Selanikut mundi që me përpjekjet e saj dhe me ndërmjetësine e Bajo Topullit, që ishte drejtori i gjimnazit të Selanikut, t’i bëjë të pranohen në këtë gjimnaz.

Kur ishte në Stamboll ngjiti në mure, me dorën e tij, deklaratat e studentëve të ikur me Dervish Himën, që i ishin dërguar nga Korfuzi, me katër gjuhe. Këtë veprim e ka kryer me ndihmën e një studenti bullgar, Petro Haxhistojanof, anëtar i komitetit Maqedonas, emrin e të cilit Hastopalli e kujtonte me respekt.

Po ashtu Ahmet Hastopalli ka qënë kryetari i Shoqatës «Afërdita», anëtarëve të së cilës, në vitin 1920 i kishte  sjellë një seri të plotë veglash muzikore, duke formuar kështu një bandë muzikore, me të cilën anëtarët e saj shkuan në Vlorë.

Entuziazmi dhe energjia e tij djaloshare bënë që ai të zgjidhej deputet në Parlamentin e parë shqiptar. Në letrën që Lasgush Poradeci i shkruan Asdrenit për gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ai ishte, midis shumë personaliteteve që e kishin ndihmuar, përmendte edhe Ahmet Hastopalli. Ky i fundit ishte delegat i të parit kongres mysliman, që u mbajt në korrik të vitit 1929.

Në vitin 1935 botoi novelën ”Si qeni n’vresht” në revisten Minerva.

Ahmet Hastopalli e ka konsideruar projektin e ri të marsit 1937, për heqjen e mbulesës së gruas, si një vepër të madhe. Bashkë me shumë deputetë të tjerë e ka mirëpritur ligjin për heqjen e mbulesës së gruas dhe e ka votuar.

Në vitin 1923 ai botonte fletoren “Elbasani”.

Ka përkthyer një dramë patriotike me emrin “Gjaksori i ndershëm” dhe romancën e famshme turke Cale Kushu (Çerri), e cila pjesërisht u botua në fletoren Gazeta e Re. Një gazetë e kohës do të shkruante për Ahmet Hastopallin: “Është një nga të rinjtë më me vlerë që kemi në Shqipëri dhe kandidat i nesërm i atyre që do të bëjnë vepra për vendin”.