Ahmet Duhanxhiu

Ahmet Duhanxhiu

Ahmet Duhanxhiu është një nga mësuesit e shquar të arsimit shqiptar. Ka lindur në Elbasan në vitin 1902. Prindërit Ismail dhe Ruzhdie, vdiqën të rinj dhe e lanë jetim në moshën 11 vjeçare. Filloi të punoi si shegert dhe njikohësisht vazhdonte shkollën fillore e më pas atë plotoren në Elbasan. Në vjeshtën e vitit 1917 si shumë studentë të tjerë shqiptare çohet në Grac të Austrisë për të vazhduar studimet në pedagogji, të cilat i përfundon në fillim të vitit 1924. Petro Luarasi në kujtimet e tij mbi festimin e festës së pavarsisë në Vjenë, shkruan në gazetën “Dialeria”, (shoqata e studenteve shqiptare në Austri):”Më së fundi z. Ahmet Duhanxhiu mbajti një bisedë të lartë mbi nevojën e bashkimit dhe idealizmin e dialëris shqiptare”.

Pasi u kthye në atdhe në vitin 1924 punon në fillim si drejtor dhe më vonë si mësues në shkollën ushtrimore pranë Normales së Elbasanit. Në këtë periudhë ai bie në sy për punën me pasion dhe dëshirë si mësues. Pastaj bëhet anëtar i shoqërisë “BASHKIMI”.  Si përkrahës i lëvizjes të qershorit të vitit 1924, burgoset dhe pas daljes nga burgu emigron në Itali e në mars të vitit 1929 me kërkesën dhe nderhyrjen e Aleksandër Xhuvanit, i lejohet kthimi në atdhe. Emërohet përsëri si mësues në shkollën ushtrimore të Normales së Elbasanit. Bim Dakli në librin e tij “Copëza malli”, do të shkruaj për mësuesin e tij të klasës IV-ët fillore në Ushtrimore, Ahmet Duhanxhiun “ Di vetëm se ai mësues më ka lënë përshtypjen më të mirë se të gjithë mësuesit dhe profesorët e tjerë që kam pasur. Asnjëherë nuk kam dëgjuar ndonjë britmë apo qortim të pamenduar. Nëse e takoje në rrugë, ishte si të takoje një të afërt, gjithnjë i sjellshëm, gjithnjë i mirë dhe i gatshëm për të na ndihmuar

Në vitin 1929 merr pjesë në kampionatin e parë kombëtar të atletikës, së bashku me Bexhet Jolldashi, Alush Lleshanaku dhe Petër Andoni. Më vonë emërohet si inspektor i arsimit në qarkun e Elbasanit e më pas në atë të Dibrës. Deri në vitin 1939, Ahmet Duhanxhiu zhvillon një veprimtari të gjerë për shtrirjen e rrjetit të shkollave në zonat e Shqiperise së mesme.Në vitet 1932 – 1934 Ahmet Duhanxhiu ka botuar revistën pedagogjike “Shkolla kombëtare” për të gjitha lëndët mësimore të klasës së katërt. Ka drejtuar arsimin në qarkun e Elbasanit, në vitet ’30.

Në vitin 1937 emërohet inspektor i arsimit fillor në ministrinë e arsimit. Kurse më 1939-ën emërohet Drejtor i përgjithshëm i arsimit fillor. Si drejtor i arsimit fillor, ai luajti një rol të veçantë krahas të gjithë mësuesve të tjerë për hapjen e shkollave shqipe në trojet shqiptare.

Në shkurt të 1944 arrestohet së bashku me Ali Hashorvën, por lirohet pas dy muajsh për mungesë provash. Pas çlirimit të vendit Ahmet Duhanxhiu punoi në ministrinë e Arsimit dhe në drejtorinë e botimeve të librit shkollor si përgjegjës i sektorit të teksteve të shkollës fillore. Në bashkëautorësi në vitet 1959-1960 përveç Abetares e librave të këndimit ka hartuar edhe gramatikën për klasën e dytë.  

Në vitin 1950 ka përshtatur tekstin e diturisë së natyrës për klasën e katërt.  Së bashku me Kolë Xhumarin ribotoi tekstin e Abetares.  Në vitin 1956 ka botuar librin e gjuhës shqipe të klasës së dytë fillore.  Në vitin 1958 përgatiti një abetare posaçërisht për fëmijët shqiptarë jashtë atdheut. Po kështu redaktoi tekstet e këndimit dhe të gjuhës shqipe për të katër klasat e ciklit fillor. Në vitin 1967, bashkautor i librit “Këndimi për klasën e II” M. Shala dhe “Këndimi për klasën e III”së bashku me Musa Tafën. Po kështu bashkautor i librit “Ne mësojmë gjermanisht”.

Pra janë mbi 30-të tituj librash shkollorë, ku është autor ose bashkëautor.

Ahmet Duhanxhiu nuk u shqua vetëm në fushën e hartimit të teksteve të shkollës fillore, por edhe si një mësues e metodist me përvojë ai vazhdoi të ndihmonte mësuesit e rinj për t’u përgatitur nga ana profesionale. Nisur nga kjo, në vitin 1956 ai botoi në ndihmë të mësuesve “Udhëzime metodike dhe ushtrime për zhvillimin e të folurit” për klasat e ciklit fillor. Edhe pasi doli në pension vazhdoi veprimtarinë shkencore – didaktike në ndihmë të arsimit, deri në vdekjen e tij në shkurt 1972 në Tiranë.
Për të gjithë veprimtarinë dhe punën e tij didaktike në fushën e arsimit Ahmet Duhanxhiut në vitin 1954, i jepet titulli “Mesues i Merituar ”. Në vitin 1965 i jepet grada shkencore “Kandidat i shkencave pedagogjike”dhe medalja “Për veprimtari patriotike”. Kurse në nëntor 1969 i jepet titulli”Mesues i Popullit ”.

Personalisht për daj Ahmetin ruajmë një respekt të veçantë, sepse i është gjendur familjes sonë në vitet’50-60, vitet më të vështira për ne.

Ahmet Duhanxhiu bën pjesë në atë plejadë të shkëlqyer mësuesish që ia kushtuan jetën arsimimit të shumë brezave, si mësues,  drejtues i arsimit, si novator në përmbajtjen e shkollës.  Ai do të mbetet në analet e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar si pedagog i shquar, si didakt i aftë dhe si metodist i përsosur dhe origjinal në mjeshtërinë e mësimdhënies.