Agron Graceni lindi në Elbasan, në 10 tetor të vitit 1935.

Në vitet 1951  – 1961 kryen kursin e plotë të shkollës së mesme profesionale të Liceut Artistik “Jordan Misja”, në degën e Artit Dramatik.

Më 19 qershor 1961 i jepekt titulli Teknik i Mesëm (aktor) dhe menjëherë fillon punë .

Në karrierën e tij si aktor, prej dy dekadash, ka luajtur në gati 80 premiera, në të cilat kryesisht ka pasur role kryesore.

Do të kujtohet gjithmonë për rolet e tij të spikatura, si ai i Xhemës tek premiera “Ndalim Qarkullimi”, brigadier Meti në komedinë muzikore “Festa në brigadë”, për rolet e tij po ashtu në skeçe si “Ndihma e magazinierit”, “Materniteti”, “Dhëndri me dy nuse”. Nuk mund të lihen pa përmendur edhe rolet e tij në paroditë si: “Udhëtimi i cilësisë”, “o Netan more Netan”, “Çu dëshirush për të parë një gol” etj.

Pas vdekjes nderohet me titullin “Artist i shquar i qytetit”, me motivacionin “Për një kontribut të shquar e cilësor në fushën e artit e sidomos në estradën profesioniste “Skampa” të qytetit të Elbasanit.

Më 24 dhjetor 1999, pas vdekjes, merr titullin “Qytetar i Nderuar” për kontribut të spikatur në lëvrimin dhe interpretimin në gjininë e humorit dhe lëvizjen teatrore të Elbasanit.

Si aktor profesionist ai kishte merita të padiskutueshme. Dallohej për disiplinën artistike, teknikën e të folurit skenik dhe për përkushtimin që i jepte çdo personazhi që luante.

Së bashku me kolegët Llambi Burgija, Hysen Biza e Ferit Gjevori formonin katërshen e famshme të musketierëve – aktorë.

Për pozitivitetin që transmetonte, në rrethin familjar e shoqëror ai do të thirrej gjithmonë “Baçi”.

Teatri “Skampa” në kujtim e nder të tij ka realizuar shpesh ceremoni përkujtimore dhe e ka dekoruar.

Ndërroi jetë papritur në 24 gusht të vitit 1979.