Historia e qytetit të Elbasanit ka regjistruar shumë personalitete në fusha të ndryshme, po kështu edhe në fushën e financave. Një i tillë nga ata të parët që dhanë kontribute pas shkollimit jashtë shtetit, është edhe Adem Mustafa Balliçi, pjesëtar i një familjeje muzikantësh.
Adem Mustafa Balliçi lindi në qytetin e Elbasanit në vitin 1905. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Më 1917 së bashku me shokët e tij Fadil Gurmani, Ahmet Duhanxhiu, Sulejman Harri, Ruzhdi Luniku etj, shkon për studime në Austri. Atje mbaron shkollën e mesme, dhe pas saj universitetin ku u specializua ne degën e financave. Pas rreth 10 vjet studime, kthehet në atdhe dhe jep kontributin e tij në Ministrinë e Financave.
Pas çlirimit të vendit, për Ademin filloi kalvari i vuajtjeve, të cilat e shoqëruan deri ditën që vdiq. Fillimisht pushohet nga puna, ndonëse ishte një intelektual i vërtetë. Në vitin 1947, i sekuestrohet shtëpia në Tiranë me të gjitha placket dhe lihet në mes të katër rrugëve.
Të njejtin fat pësoi edhe bahskëshortja e tij Blanka Corvin nga Vjena e Austrisë me të cilën bashkëjetoi deri në vdekje.
Adem Balliçi duke qenë me një formim të kompletuar perëndimor, regjimi komunist filloi një persekutim të egër kundrejt tij, duke i mbyllur të gjitha shtigjet e jetës dhe të aktivitetit. Lihet pa shtëpi, pa punë dhe në varfëri të plotë, ashtu si dhe dhjetra figura të tjera intelektuale të asaj kohe.
Në vitin 1948, ai vendoset nga regjimi si llogaritar në fermën e Sukthit, por në atë kohë Sukthi ishte fshat dhe kjo qe për të një mënyrë internimi, izolimi dhe survejimi. Kjo periudhë zgjati vetëm një vit.
Sinjfikativ është fakti se nga çlirimi i vendit dhe deri në ditën kur vdiq, ky patriot punoi vetëm një vit e gjysëm: një vit izolimi në Sukth dhe gjashtë muaj në bibliotekën e qytetit të lindjes. Pra nga 1944 deri më 1962, ai jetoi i persekutuar, i izoluar dhe në varfëri të plotë duke patur vetëm ndihmën dhe kujdesin e të afërmve të tij.
Vdiq më 25. 12. 1962 dhe u varros më 27. 12. 1962 sepse dy ditë trupi i tij u mbajt në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit për ekspertizë.