Libri me vjersha për fëmijë “Xixëllonja”, i poetit Stavri Çipi më tërhoqi që në rreshtat e parë. Menjëherë sapo i hodha sytë në vjershat e para, m’u kujtua letra e Umberto Ekos, drejtuar nipit të tij, tek i thoshte: “Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër. Mirë do ishte të bëje ndonjë garë edhe me miqtë e tu për të parë se kush mban mend më shumë.”  Me këtë libër për fëmijë nga 3-6 vjeç, autori na jep një mundësi të mirë për ta afruar çdokënd prej tyre me poezinë. Të recitosh një poezi, është një ushtrim i përkryer i kujtesës, një poezi i bën një dhuratë shumë të mirë asaj, pasi përmes memorizimit, fëmija jep e merr nocione, koncepte gjuhë mbi të gjitha dhe mendim.

Kopertina e librit "Xixëllonja"

Kopertina e librit “Xixëllonja”

Ky libër me poezi për fëmijë, është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, duke përshkruar emocione dhe ndjenja të rëndësishme për t’i mësuar fëmijëve gjërat e rëndësishme dhe thelbësore të jetës. Me një gjuhë të zhdërvjellët, autori ndalet në përshkrime e tema të thjeshta e të vogla në dukje, por nga mënyra si janë përcjellë, vijnë me një melodicitet dhe endje të këndshme. Përdoren fjalë fëmijësh si lojëra fjalësh që ndihmojnë kujtesën e tyre, për të mos  patur ngarkesë, si: roi roi/ ç’bukuri / u vesh ftoi/ me stoli… roi, roi/ dilni shihni,/djalosh ftoin/ a e njihni? (Ftoi); fët e fët/ e qetë-qetë/ ngriti ujku/ grackën vetë… (Kec Laroshi kërcimtar); viu, viu/ fryn veriu,/ dridhet ujku/ dhe ariu. (Dimëro) etj.

Janë poezi të lehta e të rrjedhshme, me përmbajtje edukative dhe etike, si dhe të shpejta e argëtuese. Autori i mëson fëmijët të duan të bukurën, natyrën, historinë e vendit, gjuhës shqipe etj. Në vjershën “Unë e dua Lurën”, poeti u flet fëmijëve për një vend shumë të bukur natyror me shtatë liqene, por që sot e kësaj dite ai vend e ka humbur atë bukuri, pasi për pak vite, “pemët gjith’ i prenë/ dhe mali lakuriq/ mbeti përmbi dhenë.” Përmes thirrjes së beftë të zogut të malit ai u bën thirrje vocërrakëve “Ju lutem fort, o bij,/ mos më lini të shkretë!” se Lura duhet të ribëhet “perlë bukurie” e të derdhim në të “nektar dashurie” e të gjithë duhet të shkojmë pas kësaj ftese e “ta veshim me pemë”. Në këtë libër ata mësojnë të memorizojnë që në moshë të vogël jo vetëm bukurinë e natyrës dhe shijen që ajo të fal, por edhe dëshirën për ta ruajtur e kultivuar me tepër atë.

Fëmija përmes vargjeve, jo vetëm ndihmon kujtesën dhe memorizon vargje, por pasuron edhe fjalorin. Autori përdor shpesh enumeracionin i cili i ndihmon fëmijët në ato mori fjalësh që thuhen. “Gjethe, lule,/këmbë, kokë,/ një të dytë/ s’ka mbi tokë.”(Ftoi)  apo “Dhe të verdha,/dhe të kuqe,/ dhe lejla,/ dhe burbuqe” (Mis trëndafili) “Xixëllonjat/dritat ndezën,/ndritën barin,/ lulet, fletë.” (Xixëllonjat). Mendja e tij gdhën tërë atë pasuri që gjuha ka. Merr përmes mësimit të vjershave një barrë gjërash edukuese, etike e didaktike. Përmes vargjeve që lexon, fëmija njihet edhe me xixëllonjën dhe muajin kur ato mund t’i takosh, muaji maj. Mësojnë se çfarë bën në pemë një qukapik, kur çelin manushaqet, kush është heroi ynë kombëtar, cilat janë liqenet e Lurës dhe si janë dëmtuar ato bukuri sot nga dora e njeriut, cili është lumi që përshkon qytetin e poetit, kur është koha që mbillet toka nga bujku etj. Gjithashtu përmes pyetjeve të ndryshme, autori i vë fëmijët në lëvizje që të zgjerojnë më tej dijet e tyre. Te poezia “’Ç’më tha bora?”, autori pyet “Ju, fëmijë,/ që mirë mësoni,/ ç’më tha bora,/ a e pranoni?”; ndërsa te poezia “Macja ime”, si në një lojë fëmijës që mezi i hap sytë në mëngjes i vë përballë macen e cila kritikon vogëlushin që nuk zgjohet dot. E poeti e përkëdhel fëmijën me të qshurat që shkakton pyetja në fund të poezisë “-Ç’thua, mace,/ nuk e di,/ më gjumashe/ ka se ti?”.

Aty në libër gjenden të përmbledhura temat apo dëshirat e fëmijëve, duke i risjellë filmat më të dashur, ëndrrat e tyre, stinët e pëlqyera, tema të përrallave apo fabulave më të njohura për fëmijë etj. Shumë bukur e sjell  poezinë “Ndriçon hëna” ku shkrin në një përshkrimin e natyrës natën me hënë dhe ëndërrimin e fëmijës në këtë natë. Ai ve në punë mendimin dhe fantazinë e tij duke vëzhguar këtë moment aq piktoresk të natës me hënë dhe djali që frigohet se mos hënëbukurabie e mbytet në liqen”.

Por meraku

qenka kot,

sepse hëna

dika not.

 

Mes liqenit

përmbi dallgë,

S’mbytet kurrë

hënë e bardhë.

 

Autori nuk ndërhyn si i rritur, por lë fantazinë argëtuese të fëmijës që të bën të vesh buzën në gaz dhe kënaqesh dhe ti si i rritur kur e dëgjon. Siç shihet, stili i autorit është i thjeshtë, mjaft i lehtë për t’u mbajtur mend nga një fëmijë.

Fjalët e përzgjedhura nga gjuha fëminore janë gjithashtu edhe një pasuri leksikore ku me një gjuhë dëfryese autori ndan xixëllonjat në “çuna e goca”, duke i thirrur xixi e xixira; hënës i thërret hënëbukura, abetaren e quan shkronjëflori, muaji mars është muaj lagaterë etj.

Në numrin e rrokjeve, në përgjithsi poezitë janë me vargje 4 rrokëshe me rimë të alternuar. Më rrallë vargjet i gjejmë 6 rrokëshe dhe vetëm në poezinë “Blirët”, përdor 8 rrokëshin.

Shtriu krahët stinë e ëmbël,

veshi dheun me gjelbërim

dhe stolisi si për dasmë

blirët e qytetit tim.

Ide e mirë është që çdo vjershë është e shoqëruar me një ilustrim dhe pse do të ishte akoma më mirë të plotësoheshin vargjet me ilustrime më të gjalla e më të plota me ngjyra, pasi ndihmojnë më shumë fantazinë e fëmijës.

Ky libër i shkruar për të vegjël, mund të jetë i pëlqyeshëm edhe për të rriturit, pasi përmes këtyre vargjeve, mund të evidentohen momente të hershme nga fëmijëria dhe gëzohesh që të rizgjohen ato kohëra të arta për çdokënd. Ai na fton si një thirrje këmbane që “shpirtin me dritë ta mbush”. Është kjo dhe vjersha që mbyll vëllimin “Xixëllonja” dhe autori me vokacionin e tij, shpreh kënaqësinë e thirrjes se “sa herë kambanën/ dëgjoj duke rënë,/ unë shkoj në kishë/ si tek e imja nënë.”.