Xhavit bej Biçaku (1895 – 1968) ideatori dhe ndërtuesi i Kinoteatrit Nacional.

Bertold Breht mbahet si një nga studiuesit që në kohëra të vështira ka ditur të thotë mendime të vërteta, duke i kthyer ato në postulate të vyera për të ardhmen, siç është shprehur se “E vërteta nuk lufton vetëm të gënjeshtrat, por edhe disa njerëz që i përhapin ato”.

Po e përmendim këtë sentencë për të kujtuar atë kohë para disa vjetësh kur u dogj Teatri “Skampa” në Elbasan ose “Kinoteatri Nacional” sic u emërtua nga ideatori dhe financuesi i ndërtimit të saj, Xhavit bej Biçaku në vitin 1935, që më pas, për shkak të rrethanave që impononte diktatura dhe filozofia komuniste, në vitin 1962 u emërtua Teatri “Skampa”. Është njëra nga godinat e vjetra që tashmë kanë hyrë në fondin e objekteve që meritojnë vëmendje për etnografinë e një qyteti e më tej të një kombi.

Ajo që duhet thënë më shumë në këtë moment është fakti se asnjëherë nuk kam dëgjuar të përmendet themeluesi i këtij teatri, edhe pse në qytet më të vjetrit e njohin si një vepër e papërsëritshme që mbeti në këmbë si karshillëk ndaj atyre shtesave që u bënë nga diktatura. Gjatë djegies mbeti në këmbë vetëm pjesa e asaj shtese, ndërtuar nga komunizmi, që rethonte kryeveprën e “Kinoteatrit Nacional”. Mbaj mend se shumë gjëra u përmendën gjatë asaj kohe kur ndodhi ngjarja me djegie, por fakti se ky teatër është ndërtuar nga Xhavit bej Biçaku u anashkalua ashtu siç bënte Enver Hoxha me retushimin e figurave qëndrore të luftës që i hiqte nga fotografitë, pasi i kishte cilësuar armiq.

Për fat të keq, askush nuk e përmendi se teatri nuk është pronë vetëm e Bashkisë, por edhe e pasardhësve të njeriut fisnik që e ndërtoi atë. Nëse do të duhej që të vemë në dukje një fakt historik, në lëmin e kulturës së këtij qyteti, duhet thënë se herë pas here ka tendenca për të anashkaluar ngjarjet historike në lidhje me teatrin në Elbasan që e ka zanafillën që nga viti 1917, kur edhe është dhënë tragjedia e “Pirros”.

Ka qenë kjo jetë aktive edhe gjatë kohës së Mbretërisë që solli në jetë edhe godinën në fjalë, që sot nuk përmendet. Edhe para disa vjetësh, u bë festimi për 55 vjetorin e teatrit dhe jo 90 vjetorin e lojës së parë teatrale në Elbasan. Janë këto modele tipike diktatoriale që u trashëguan me fanatizëm edhe në festimin para 10 vjetësh, po aq sa edhe sot anashkalohet ndërtuesi dhe vlera që ai i solli Elbasanit, që e ndërtoi këtë vepër për kulturën e qytetit të tij, për argëtimin e qytetetarëve të tij, më e rëndësishmja në Elbasanin në viteve ‘30.

Ndërkohë që duhet thënë se ditën e kobshme të djegies, gjuhët e flakës që shkatërruan çdo gjë, erdhën deri tek fotografia e Xhavit bej Biçakut varur në mur dhe, si me magji ndalën, u tërhoqën, pa e prekur atë, si një mrekulli nga dora e Zotit!!

Dukej sikur , Xhavit Beu thoshte : “ teatrin e dashur që e ndërtova për qytetin tim, ju ma rrëmbyet për të dytën herë. Një herë në vitin 1946 (madje, për ta justifikuar më torturuat për 10 vjet në burgjet tuaja), dhe sot, për herë të dytë,… ma dogjët fare….Unë u “dogja” nga komunizmi, por teatri im do të jetojë, do apo nuk do një qytetar, kushdo qoftë ai. Ka një Zot që vendos”.

Është e vështirë të shpjegosh se si askund, asnjëherë dhe nga askush nuk përmendet emri i Xhavit bej Biçakut. Bile edhe në Enciklopedinë e Elbasanit, përmendet teatri, por nuk shkruhet se kush e ndërtoi atë ? Edhe fotografinë në hollin e tetarit u detyruan vetë pasardhësit e tij ta venë.

E ndërsa asnjëherë nuk harrohet të përmendet me mburrje se kemi “La Skalën” e vogël, me akustikën më të shkëlqyer në Ballkan, emri i njeriut që financoi dhe ndoqi ndërtimin e saj u mbulua nga harresa.

Sic dhe për shumë ngjarje të tjera në historinë e Shqipërise, që servirej sikur kish filluar pas vitit 1944 edhe për “Skampën”, thuhej që ishte themeluar në vitin 1962 dhe lihej në heshtje data e ndërtimit të “Kinoteatrit Nacional”,që ishte ndërtuar në fakt që në vitin 1935, dhe ishte inaguruar me një shfaqe teatrale me një trupë aktorësh të shquar elbasanas, me regjizor një tjetër elbasanas të nderuar, Abedin Çaushi. Edhe drama e vënë në skenë kishte për autor Et’hem Haxhiademin, një tjetër elbasanas për të cilin me krenari mund te thuhet se ishte babai i tragjedisë shqiptare.

Nuk duhet të harrojmë se Xhavit bej Biçaku është pinjoll i një prej familjeve të nderuara e të shquara të qytetit. Bir i një prej ish kryetarëve të bashkisë së Elbasanit, patriotit Fuat Biçaku.

Po të shfletojmë revistën e përmuajshme kulturale “Përpjekja shqiptare” të dhjetorit 1936, në numrin 3, faqen 184, do të lexojmë : “Më 19 të muajit, në Elbasan, u luajt për herë të parë tragjedia “Diomeni” vepra e fundit e shkrimtarit të njohur Et’hem Haxhiademi. U shfaq bukur në sallën e re të kinotheatrit “Nacional” ku ishte grumbulluar një popullsi tepër e madhe. Dhe me të vërtet kurrë nuk mbahej mend një asistim i madh spektatorësh në çfaqet që janë dhanë der më sot n’Elbasan. Shoqëritë jashtshkollore elbasanase këtë herë patën fitim hem moral, sepse të gjithë u kënaqën nga paraqitja e mire e lojtarëve dhe sidomos nga ajo e Faik Haxhi Ymerit që kishte rolin e Diomedit e Mustafa Shqerrës që kishte rrolin e Daunit, hem material se mblodhi një shumë të mirë, të cilën e përdori për djemt e varfër. Dhe zoti Xhavit Bej Biçaku, i zoti teatrit, porsa e mori vesh që kjo çfaqe jepej për tu ardhur në ndihmë djemve të vobektë, pati mirësinë t’a lëshojë sallën gratis, pa marrë as edhe një qindarkë për vehte. Përgatitja e mirë e kësaj çfaqeje i detyrohet zellit të z. Abedin Çaushi.”

Debatet e atëhershme të bëra se si dhe kush e dogji nuk kanë shumë rëndësi, se ajo ishte pjesë e punës së organeve kompetente, se sa rëndësi ka që gjithmonë do të gjenden njerëz që ose mohojnë gjithçka, ose qëllimisht harrojnë të vërtetat historike, njerës që kërkojnë të na fshijnë nga kujtesa historinë e të vërtetave që ka ky qytet i mrekullueshëm, me vepra filantropike të mrekullueshme.

 

Xhavit bej Biçaku (1895 - 1968), Arkivi Digjital Elbasan

Xhavit bej Biçaku (1895 – 1968)