Është më e madhja dhe më e vjetra faltore e qytetit, ndodhet në pjesën qendrore të saj, në të djathtë të rrugës që nga porta, që të fut në kala dhe është në gjendje relativisht të mirë. Atë e njohim nga përshkrimi i Çelebiut, i cili e quan: xhamia e Gazi Sinan Pashës dhe si një ndërtesë të madhe, portë vjetër dhe të ulët6. Çelebiu na tregon se të katër faqet e mureve të brendshme të sallës së lutjeve janë mbushur me vjersha të shkruara bukur prej udhëtarësh nga Turqia, Arabia dhe Persia. Edhe ai vetë la një shënim në vitin 1670-të. Xhamia sot është e tjetërsuar nga dëmtimet e vitit të mbrapshtë 1967, kur iu rrënua minarja me mjaft vlerë të kohës së ndërtimit dhe iu dëmtua e tjetërsua brendësia.

Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja. Salla e lutjeve është drejtkëndëshe në plan, me përmasa të brendësisë 11,52 x 12,35m dhe mbulohet me çati druri. Për të lehtësuar ndërtimin e çatisë, tërthor aksit gjatësor të godinës, janë vendosur tri shtylla druri, për të zvogëluar hapësirën e dritës së trarëve mbajtës të çatisë, një strukturë e rindërtuar në shek. XIX, që sipas Kiel, është një formë e rrallë7. Në sallë hyhet nga porta në murin verior, e trajtuar në formën e një portali, që e lidh me portikun. Mbas saj është mafili mbi struktura druri. Përballë hyrjes është mihrabi, në të djathtë të tij minberi mbi struktura druri, i ngritur mbi një dysheme pak më të lartë.

Elbasan, Xhamia Mbret,Planimetria, Arkivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia Mbret,Planimetria

Salla ndriçohet nga 14 dritare të vendosura në dy radhë në të tri faqet dhe vetëm në pjesën e poshtme në faqen veriore. Kështu, në secilën faqe kemi nga katër dritare. Dritaret e poshtme janë drejtkëndëshe dhe mbulohen me arkitra druri, duke patur mbi to një hark shkarkues, të ndërtuar me tulla dhe me profil fundlundre të futur e pak më brenda murit. Një shirit tullash qarkon harkun. Nikja që formohet nën hark është e suvatuar dhe e zbukuruar me motive gjeometrike, karakteristike për artin islamik. Dritaret e sipërme janë më të vogla dhe mbulohen me hark të mprehtë prej tullash.

Elbasan, Xhamia Mbret, Dritare, Arkivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia Mbret, Dritare

Ndërtesa e xhamisë ngrihet në një terren që është në nivel më të lartë se rruga pranë dhe për këtë është ndërtuar një mur mbajtës. Vëllim I paralelopipedit i sallës mbulohet me çati druri, me katër kullime e tjegulla vendi me strehë të gjerë. Muratura është ndërtuar me teknikën e kluasonazhit; me dy tulla vertikale e dy tulla horizontale. Pjesa ndërmjet tullave është suvatuar me një patinë të hollë, që për kërkesa estetike dhe pamje të rregullt fsheh ndërtimin e pjesës së murit, që është prej disa gurësh. Pjesa e poshtme e muraturës është ndërtuar me gurë të çrregullt të lidhur me llaç gëlqereje.

Elbasan, Xhamia Mbret, Pamje nga JP, Arkivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia Mbret, Pamje nga JP

Elbasan, Xhamia Mbret, Pamje nga J, Arkivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia Mbret, Pamje nga J

Elbasan, Xhamia Mbret,Pamje nga V, Arkivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia Mbret,Pamje nga V

Me interes për arkitekturën e xhamisë është minarja pak a shumë e ulët. Në të hyhet nga një portë e vogël në këndin veriperëndimor të sallës së lutjeve. Sot prej saj ruhet bazamenti, i ndërtuar me teknikën e kluasonazhit, por i ndryshëm nga ai i mureve, me një tulle horizontale dhe pa suvatim të blloqeve të gurit. Bazamenti me pesë faqe të rregullta të një tetëkëndëshi përfundon me një kornizë të hollë prej gurësh të profiluar, mbi të cilin ishte pjesa kalimtare e ndërtuar prej gurësh pak të punuar. Mbi të ngrihej trupi dymbëdhjetë faqësh i minares, ndërtuar me gurë të punuar e të suvatuar. Dy korniza ndërprisnin trupin e minares, duke e zvogëluar në dukje atë, njëra, pak pas fillimit e tjetra, pak përpara kreut. Kazani i minares ishte ndërtuar me tulla trekëndëshe në pjesën e poshtme, të nxjerra pak ndaj njëra-tjetrës dhe të punuar në mënyrë të rregullt, në formë stalaktitesh.

Elbasan, Xhamia Mbret, Minarja, Arkivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia Mbret, Minarja

 

Portiku i sotëm i xhamisë dallohet nga format arkitektonike që janë ndërtuar vonë dhe me sa duket mbi baza më të vjetra.

Xhamia Mbret e Elbasanit ka interes të veçantë për studiuesit, sepse është e vetmja që ruan format e vjetra e të dikurshme më shumë se xhamitë e tjera të kohëve të para të pushtimit turk.

Për vendosjen në kohë të xhamisë, si një ndërtim i bërë rreth vitit 1492, ne jemi nisur nga cilësimi i saj “Mbret” dhe nga thënia e Çelebiut se janë ndërtuar në kohën e Sulltan Bajazitit II-të (1481-1512)8. Dihet se nga qershori i vitit 1492 deri në mes të dimrit sulltani qëndroi në Shqipëri, prej nga u kthye përsëri në Stamboll9. Sidoqoftë nuk dimë se ku qëndroi Sulltani gjatë kësaj kohe, përveç se 24 ditë të muajit Ramazan i kaloi në Tepelenë, ku ushtria e tij shkretoi zonat përreth dhe u mundua të nënshtronte himarjotët kryengritës. Prandaj mendoj se kjo xhami, si dhe shumë të tjera, që mbajnë cilësimin “Mbret”, ose janë ndërtuar nga Sulltan Bajaziti, ose janë porositur nga ai apo dinjitarë të lartë të tij, për t’u bërë qendra të propagandimit dhe të përhapjes së fees myslimane. Dhe jo vetëm kjo, por edhe teknika e ndërtimit dhe format arkitekturore i takojnë shekullit të  XV-të. Ndërsa, lidhur me ndërtimin dhe dhuruesin, Kiel mendon se kemi të bëjmë me Sinan Pasha Boroviniq, që njihet për vakëfin e tij në Elbasan në kapërcyellin e shekujve XIV-XV10, emrin e të cilit siç pamë më lart na e jep dhe Çelebiu.