Edhe pse e gjymtuar keq në fillim të viteve ’70,  Xhamia Mbret është dhe ka qenë më e hershmja e xhamive të Elbasanit. Ajo ndodhet në rrugën kryesore të lagjes brenda mureve, rrugë që kalon nga porta jugore drejt veriut për në katedralen ortodokse. Përpara gjymtimit të kohëve të fundit, xhamia ka qenë e përbërë nga tre elementet e zakonshëm: salla e faljes, minarja dhe hajati. Ky i fundit ka qenë një ndërtim prej druri dhe, padyshim, produkt i një restaurimi të hershëm. Salla e faljes dhe minarja kanë qenë pjesët më të vjetra të kësaj ndërtese, të punuara sipas traditës së shekullit XV. Salla e faljes është e vetmja pjesë e ndërtesës që vazhdon të mbahet në këmbë akoma (1979); ajo është një drejtkëndësh i madh prej 14.70 m në pjesët anësore dhe thuajse me të njëjtat përmasa tek muri i mihrabit. Muratura është e llojit të gjendur në mënyrë të shpeshtë në Ballkanin perëndimor, kornizat e dritareve janë të mbushura me gurë ose me blloqe të punuar imët, të cilëve u është dhënë një sipërfaqe e lëmuar prej gëlqereje të bardhë, duke marrë kështu pamjen e një punimi kluasonazhi të vërtetë. Punimi është shumë i rregullt me dy shtresa tullash të vendosura horizontalisht dhe dy të tilla të vendosura vertikalisht duke formuar një kornizë. Salla e madhe ka qenë e ndriçuar nga katër dritare në secilin prej mureve anësore dhe po ashtu edhe katër të tjera të vendosura në murin e mihrabit. Në të dyja anët e hyrjes së vetme ndodhej një dritare, duke e çuar numrin e dritareve në 14. Përpara vitit 1972 mund të dalloheshin dy lloje dritaresh: ato drejtkëndore të mëdha, të ndodhura në pjesën e poshtme të mureve dhe dritaret pak më të vogla me harqet osmane me majë, në pjesën e sipërme të ndërtesës. Secili nga harqet ishte i ndërtuar në mënyrë shumë të kujdesshme me tulla të holla. Dritaret në pjesën e poshtme kanë harqe më pak të theksuar mbi to, po ashtu të ndërtuar me tulla. Në vitin 1972, këto dritare nuk ishin në formën e tyre origjinale. Gjatë një riparimi, që ka mundësi të jetë bërë në shekullin XIX, ato janë bërë më të vogla me ndihmën e drurit e të allçisë dhe u janë shtuar korniza të reja e shufra hekuri. Pas rrënimit të ndërtesës, pas vitit 1967, gjendja e saj u ndryshua për keq. Muret u mbuluan nga një shtresë prej ngjyre të verdhë të pistë, çka e bëri punimin e bukur kluasonazh thuajse të padallueshëm dhe urat e ndërtimit midis pjesës së sipërme dhe asaj të poshtme u zhdukën. Kështu, kësaj ndërtese i janë bërë dritare drejtkëndore shumë të mëdha.

Xhamia Mbret në lagjen Kala, (e vjetra)

Xhamia Mbret në lagjen Kala, (e vjetra)

Harqet e mbetura u bllokuan të gjitha me llaç, të përforcuara nga korniza të reja prej druri. Ndryshimet u bënë me qëllim që ta shpërfytyronin objektin si ndërtesë osmane, e cila më pas u përdor si një “qendër për edukimin politik të popullit”. Gjithashtu, minarja u shemb dhe themeli i saj u bashkua me një paradhomë të re të ndërtuar me një mur prej tulle të dobët, e cila zuri vendin e portikut të mëparshëm prej druri. Në gjendjen që ishte para vitit 1972, minarja ka qenë e vendosur në këndin veriperëndimor të sallës së faljes. Hyrja në të bëhej nga brenda ndërtesës. Një pjesë e kësaj hyrjeje shihet akoma nga jashtë. Themeli formohej nga pesë faqet e një tetëkëndëshi, i ndërtuar nga e njëjta punë kluasonazhi e tipit të mirë, sikurse edhe salla e faljes. Trupi dilte nga një brez ndërmjetës i formuar nga një kornizë dhe një zonë e brendshme e pjerrët, e cila përgatiste bazën për një aks dymbëdhjetëfaqësh. Ky bosht ishte i ndërtuar me tulla të holla, i mbuluar nga një shtresë e lëmuar gëlqereje. Ballkoni qëndronte mbi një punim stalaktiti prej tulle dhe i suvatuar me gëlqere. Parmakët prej guri dallohen se janë produkt i një meremetimi. Minarja, e cila ishte relativisht e ulët, vazhdonte mbi ballkon në formë poligonale dymbëdhjetëkëndore të mbuluar me kapak në formë koni.

Një element tjetër shumë i rrallë i kësaj xhamie ka qenë portiku i hapur prej druri. Ai ishte shumë më i gjerë sesa vetë xhamia, një tipar ky i zakonshëm në Shqipëri. Tetë shtylla të drunjta përpara dhe dy të tjera anash mbanin një çati të drunjtë me një tavan dhe një shtresë prej tjegullash. Midis shtyllave kishte harqe dekorative me një punim prej çatmaje, ku të gjitha kishin hijeshinë tipike të ndërtesave osmane të shekullit XIX. Çatia e sallës së faljes ka qenë gjithashtu produkt i kësaj fushate riparimi të shekullit XIX. Me qëllim për të rrethuar hapësirën e gjerë të brendshme, një lloj i rrallë mbajtëseje ishte e formuar nga tri shtylla prej druri, të konceptuara si një pasazh i tërthortë. Ky është një element shumë i rrallë, prej të cilit kam parë vetëm një shembull tjetër, xhaminë e Muradit II në Uzunköprü në Trakën turke, e ndërtuar në1435, por e riparuar shumë në fillim të shekullit XVII. Pasazhi i Elbasanit e ndante dhomën e faljes në dy pjesë thuajse të ngjashme. Në pjesën përballë, atë që ishte afër me hyrjen, ndodhej një mafil i gjerë për gratë, i ndërtuar gjithashtu prej druri dhe që i përket shekullit XIX. Pas vitit 1967, paraqitja e brendshme e sallës u ndryshua dhe hajati u zëvendësua nga një sallë hyrëse e një cilësie të dobët.Gjithçka u bëpër të ndryshuar aspektin origjinal të ndërtesës. Nuk është e nevojshme të thuhet se nuk ka mbetur asnjë gjurmë e mundshme nga minberi apo mihrabi. Megjithatë, pjesët më origjinale të ndërtesës, pjesa më e madhe e muraturës së shekullit XV dhe baza shumëkëndore e minares, ekzistojnë akoma dhe mund të kthehen në gjendjen e tyre origjinale.

Pamje e Xhamisë Mbret

Pamje e Xhamisë Mbret

Viti në të cilin u ndërtua xhamia si dhe identiteti i ndërtuesit të saj nuk dihen me saktësi. Emri i ndërtesës tregon për një ndërtues mbretëror. Megjithatë, e vetmja xhami që i atribuohet një sulltani nga një burim kaq i mirëinformuar, siç është Evlia Çelebiu, ka qenë ajo e Mehmedit II mbi hyrjen e Pazarit. Kjo xhami është shembur në shekullin e kaluar, ndoshta gjatë shtypjes së revoltave shqiptare kundër reformave të Tanzimatit dhe po ashtu me çmontimin e fortesës. E vetmja xhami që Evlia përmend brenda kështjellës, është ajo e Sinan Pashës, e cila është një nga xhamitë më të mëdha dhe më të rëndësishme të qytetit. Xhamia tjetër e kështjellës ka qenë ajo e Mehmedit II. Në lidhje me këto dy xhami, ai tregon: “Ekzistojnë gjithsej 46 mihrabe. Më i vjetri prej tyre është ai i xhamisë së mbretit, Sulltan Mehmed Kan Gazi, e cila ndodhet mbi portën e kështjellës, një xhami e vjetër me shumë njerëz që kryejnë ritet në të”. Në përshkrimin e tij për kështjellën në një faqe më përpara, ai përmend gjithashtu xhaminë e Sulltanit: “Mbi harkun e kësaj porte, e cila e ka drejtimin nga kibla (afërsisht nga jugu), ndodhet emri i “Babait të pushtimit”, Sulltan Mehmedit, i shkruar mbi një copë të bardhë mermeri, me të gjithë stërgjyshërit e tij, madje edhe deri tek “Osmancik” (Osmani I) dhe data e themelimit të Elbasanit, 859 H (1454/45), (e cila është gabim në vend të 870 H (1465/1466). Mbi këtë portë, ndodhen tre gurë me formë katërkëndore prej mermeri të bardhë, të cilët janë të lidhur me zinxhirë. Ata goditen me shigjeta dhe plumba dhe vrojtohen nga të gjithë kalimtarët.

Xhamia Mbret në Kala - Viti 1948

Xhamia Mbret në Kala – Viti 1948